Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 49

49
Gjykimet
1Për bijtë e Amonit.
Kështu thotë Zoti:
«A nuk ka bij Izraeli?
A nuk e ka një trashëgimtar?
Pse e mori Milkomi trashëgiminë e Gadit
e populli i vet banon në qytetet e tij?
2Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti,
kur do të bëj të dëgjohet britma e betejës
kundër Rabahut të amonitëve.
Do të bëhet pirg rrënojash
e fshatrat e tij do të digjen në zjarr.
Izraeli do t'ua marrë trashëgiminë
atyre që ia patën marrë,
kumton Zoti.
3Vajto, o Heshbon, se u rrënua Aji!
Çirruni, o bijat e Rabahut,
vishuni me grathore e mbani zi
dhe enduni brenda gardheve,
se Milkomi do të dëbohet
bashkë me priftërinj e me prijës.
4Pse mburresh me luginat e tua,
o bijë besëshkalë,
që u beson thesareve të veta e thua:
“Kush do të më dalë kundër?”.
5Ja, do të sjell tmerrin kundër teje,
kumton Zoti, Zoti i ushtrive,
prej tërë atyre që të rrethojnë.
Do të dëboheni,
secili në drejtimin e vet,
e askush nuk do t'i mbledhë ikanakët.
6Por pastaj do t'i kthej të robëruarit e amonitëve,
kumton Zoti».
7Për Edomin.
Kështu thotë Zoti i ushtrive:
«A nuk ka më urti në Teman?
A u zhbë këshilli i të mençurve?
A u ter urtia e tyre?
8Ikni, kthehuni, hyni nëpër shpella për të banuar,
o banorë të Dedanit,
se do të çoj kundër tij kobin e Esaut,
kohën e ndëshkimit.
9Nëse vijnë te ti vjelësit,
a nuk do të t'i lënë rrëfanat?
Nëse vijnë vjedhësit natën,
a nuk do të bastisin vetëm aq sa munden?
10Se unë vetë do ta zhvesh Esaun,
do t'ia zbuloj të fshehtat
e ai nuk do të mund të përvidhet.
Do t'i shuhet fara, fisi e miqësia
e ai nuk do të jetë më.
11Braktisi jetimët e tu. Unë do t'i mbaj gjallë.
Le të besojnë në mua të vejat e tua.
12Se kështu thotë Zoti: “Ja, ata që nuk ishin të detyruar ta pinin kupën, do ta pinë që do ta pinë. Po ti, a do t'i shpëtosh ndëshkimit? Nuk do t'i shpëtosh, por do ta pish që do ta pish. 13Se jam betuar për veten time, kumton Zoti, se Bocrahu do të bëhet rrënim, tallje, shkretim e mallkim dhe të gjitha qytetet e saj do të kthehen në rrënoja përgjithmonë”.
14Dëgjova një lajm nga Zoti,
një lajmëtar u është dërguar kombeve:
“Mblidhuni e rendni kundër tij!
Çohuni për betejë!”.
15Se, ja, do të të bëj të vogël ndër kombe,
të përçmuar ndër njerëz.
16Të ka mashtruar mujshia jote,
krenia e zemrës sate,
o banor i plasave të shkrepave
që je ngulur majë kodrës.
Edhe po ta vësh lart si shqiponja folenë,
do të të plandos që andej, kumton Zoti.
17Edomi do të bëhet i tmerrshëm. Kushdo të kalojë pranë tij do të tmerrohet e do të fërshëllejë për të gjitha plagët e tij. 18Siç u përmbysën Sodoma, Gomorra dhe rrethinat e saj, thotë Zoti, ashtu nuk do të banojë më askush atje e nuk do të zërë vend në të asnjeri. 19Ja, porsi luanin, që del nga shkurrnaja e Jordanit drejt kullotave të përhershme, ashtu do ta dëboj njëherësh prej andej e do të vendos në të këdo që të zgjedh. Se, kush është si unë? Kush do të më paditë? Kush është ai bari që mund të qëndrojë para meje? 20Prandaj dëgjojeni vendimin që mori Zoti kundër Edomit dhe shestimet që thuri kundër banorëve të Temanit: edhe të vegjlit e grigjave do të merren zvarrë, edhe kullotat e tyre do të shkretohen për ta. 21Toka do të dridhet prej ushtimës së rrëzimit të tyre. Britma e ushtimës së tij do të dëgjohet në detin e Kuq. 22Ja, si shqiponja do të ngrihet, do të flatrojë e do të hapë krahët mbi Bocrah. Dhe, atë ditë, zemra e trimave të Edomit do të jetë si zemra e gruas që lind».
23Për Damaskun.
«Hamati e Arpadi u tronditën,
se dëgjuan një lajm të keq.
U trazuan si deti prej ankthit
e nuk rrinë dot të qetë.
24Damasku u mek,
u kthye për të ikur,
e zuri tmerri, e kapi ankthi
dhe dhimbjet porsi të gruas që lind.
25Si të mos braktisej qyteti i lavdishëm,
qyteti i ngazëllimit tim?
26Prandaj do të bien të rinjtë e tij nëpër sheshe,
të gjithë luftëtarët do të shuhen atë ditë,
kumton Zoti i ushtrive.
27Do t'u vë zjarrin mureve të Damaskut,
që t'i përpijë pallatet e Ben Hadadit».
28Për Kedarin e për mbretëritë e Hacorit që i shpartalloi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë.
Kështu thotë Zoti:
«Çohuni, ngrihuni kundër Kedarit!
Shkatërrojini njerëzit e lindjes.
29Tendat e grigjat do t'u merren,
do t'ua heqin pëlhurat, tërë enët e devetë
e do t'u thonë:
tmerr rreth e rrotull!
30Ikni, fluturoni shpejt,
hyni nëpër shpella për të banuar,
o banorë të Hacorit, kumton Zoti,
se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë,
po thur synime kundër jush,
po bën shestime kundër jush.
31Çohuni, ngrihuni kundër kombit të plogët,
që banon i sigurt, kumton Zoti,
që nuk ka as dyer, as shula
dhe banojnë të veçuar.
32Devetë e tij do të bëhen pre,
bagëtitë e tij të shumta, plaçkë.
Do t'i shpërndaj nëpër tërë erërat
ata që rruajnë tëmthat,
do t'ua sjell rrënimin nga të gjitha anët,
kumton Zoti.
33Hacori do të bëhet strofull çakejsh,
shkretim përgjithmonë.
Atje nuk do të banojë askush
e asnjeri nuk do ta vërë banesën në të».
34Fjala e Zotit drejtuar profetit Jeremi për Elamin, në fillim të mbretërimit të Sedekisë, mbretit të Judës.
35Kështu thotë Zoti i ushtrive: «Ja, do t'ia copëtoj Elamit harkun, kulmin e fuqisë së tij. 36Do të sjell katër erërat kundër Elamit, nga të katër skajet e qiellit. Pastaj do t'i shpërndaj nëpër të gjitha këto erëra e nuk do të ketë komb ku nuk do të shkojnë të dëbuarit e Elamit. 37Do ta tmerroj Elamin para armiqve të vet e para atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Do të sjell zezonën kundër tyre, flakën e zemërimit tim, kumton Zoti. Do të dërgoj shpatën pas tyre derisa t'u jap fund. 38Pastaj do ta vë fronin tim në Elam e do të zhbij që andej mbret e prijës, kumton Zoti.
39Megjithatë, në mbarim të ditëve, do t'i kthej të dëbuarit e Elamit, kumton Zoti».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 49: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr