Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 30:1-24

Jeremia 30:1-24 AL1

Fjala që ZOTI i drejtoi Jeremisë e i tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Shkruaji në një libër të gjitha fjalët që të thashë, se, ja, po vijnë ditët, kumton ZOTI, kur do t'i kthej të shpërngulurit e popullit tim, Izraelit, e të Judës, kumton ZOTI. Do t'i kthej në tokën që u pata dhënë etërve të tyre dhe ata do ta marrin në pronësi”. Këto janë fjalët që foli ZOTI për Izraelin e për Judën: kështu thotë ZOTI: po dëgjojmë një britmë të tmerrshme frike e jo paqësimi. Pyesni e shikoni, a pjell mashkulli? Pse, pra, i shikoj të gjithë burrat me duar në ijë, si gruaja që pret të lindë? Pse u zbehën të gjitha fytyrat? Ah, madhështore është ajo ditë, nuk ka si ajo! Është kohë ngushtice për Jakobin, por ai do të shpëtohet prej saj. Në atë ditë, kumton ZOTI i ushtrive, do ta thyej zgjedhën e tij prej qafës suaj e do t'i shpërthej vargonjtë tuaj. Të huajt nuk do t'i nënshtrojnë më, por do t'i shërbejnë ZOTIT, Perëndisë së tyre, dhe Davidit, mbretit të tyre, që unë do ta caktoj për ta. Por ti mos u tremb, shërbëtori im, Jakob, kumton ZOTI, mos u frikëso, o Izrael, se do të të çliroj ty prej së largu dhe pasardhësit e tu nga toka e robërisë. Do të kthehet Jakobi e do të pushojë, do të jetë i qetë e askush s'do ta trembë, sepse jam me ty, për të të shpëtuar. Do t'i shuaj fare të gjitha kombet ndër të cilat të kam shpërndarë, por ty nuk do të të shuaj fare. Do të të qortoj me drejtësi, e nuk do të të lë pa ndëshkim. Se kështu thotë ZOTI: dhimbja jote është e pashërueshme, plaga jote, e rëndë. Nuk ka kush e mbron çështjen tënde, as bar për mjekimin tënd nuk ka, as shërim për ty. Të gjithë dashnorët të kanë harruar e më nuk të kërkojnë, se të kam goditur siç godet armiku, me qortim mizor, për fajin tënd të rëndë, për mëkatet tuaja të shumta. Pse bërtet për plagën tënde? E pashërueshme është dhimbja jote. Për fajin tënd të rëndë, për mëkatet tuaja të shumta t'i bëra këto. Por, ata që të përpijnë, do të përpihen, të gjithë armiqtë e tu do të shkojnë në robëri, plaçkitësit e tu do të plaçkiten, të gjithë ata që të zunë pre, pre do t'i bëj. Do të kujdesem për shëndetin tënd e do ta shëroj plagën tënde, kumton Zoti, se të quajnë e dëbuara, o Sion, ajo që askush s'e kërkon. Kështu thotë ZOTI: ja, do t'ia mëkëmb tendat Jakobit, do të kem mëshirë për banesat e tij. Në gërmadhat e tij do të ndërtohet qyteti e pallati në vendbanimin që i takon. Prej tyre do të dalë përlëvdimi dhe tingulli i argëtuesve. Do t'i shumoj e nuk do të pakësohen do t'i nderoj e nuk do të përçmohen. Do të jenë si bijtë e tyre dikur, para meje do të qëndrojë bashkësia e tyre, shtypësit e tyre do t'i ndëshkoj. Do të kenë kryetar njërin prej të vetëve e sundimtari prej tyre do të dalë. Unë do ta afroj te vetja e ai do të më afrohet, se kush do ta linte peng jetën për t'm'u afruar, kumton ZOTI. Ju do të jeni populli im e unë do të jem Perëndia juaj. Ja, stuhia e ZOTIT, furi që shpërthen, stuhi kalimtare, mbi kokën e të paudhëve vorbullon. Nuk do të ndalet zemërimi i flaktë i ZOTIT, derisa t'i kryejë e t'i sosë synimet e zemrës së tij. Kur të mbarojnë ditët, do ta kuptoni».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë