Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 30

30
Premtimet për ngushëllim
1Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: 2«Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Shkruaji në një libër të gjitha fjalët që të thashë, 3se, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do t'i kthej të shpërngulurit e popullit tim, Izraelit, e të Judës, kumton Zoti. Do t'i kthej në tokën që u pata dhënë etërve të tyre dhe ata do ta marrin në pronësi”.
4Këto janë fjalët që foli Zoti për Izraelin e për Judën:
5kështu thotë Zoti:
po dëgjojmë një britmë të tmerrshme
frike e jo paqësimi.
6Pyesni e shikoni,
a pjell mashkulli?
Pse, pra, i shikoj të gjithë burrat
me duar në ijë,
si gruaja që pret të lindë?
Pse u zbehën të gjitha fytyrat?
7Ah, madhështore është ajo ditë,
nuk ka si ajo!
Është kohë ngushtice për Jakobin,
por ai do të shpëtohet prej saj.
8Në atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do ta thyej zgjedhën e tij prej qafës suaj e do t'i shpërthej vargonjtë tuaj. Të huajt nuk do t'i nënshtrojnë më, 9por do t'i shërbejnë Zotit, Perëndisë së tyre, dhe Davidit, mbretit të tyre, që unë do ta caktoj për ta.
10Por ti mos u tremb,
shërbëtori im, Jakob, kumton Zoti,
mos u frikëso, o Izrael,
se do të të çliroj ty prej së largu
dhe pasardhësit e tu nga toka e robërisë.
Do të kthehet Jakobi
e do të pushojë,
do të jetë i qetë e askush s'do ta trembë,
11sepse jam me ty, për të të shpëtuar.
Do t'i shuaj fare të gjitha kombet
ndër të cilat të kam shpërndarë,
por ty nuk do të të shuaj fare.
Do të të qortoj me drejtësi,
e nuk do të të lë pa ndëshkim.
12Se kështu thotë Zoti:
dhimbja jote është e pashërueshme,
plaga jote, e rëndë.
13Nuk ka kush e mbron çështjen tënde,
as bar për mjekimin tënd nuk ka,
as shërim për ty.
14Të gjithë dashnorët të kanë harruar
e më nuk të kërkojnë,
se të kam goditur siç godet armiku,
me qortim mizor,
për fajin tënd të rëndë,
për mëkatet tuaja të shumta.
15Pse bërtet për plagën tënde?
E pashërueshme është dhimbja jote.
Për fajin tënd të rëndë,
për mëkatet tuaja të shumta
t'i bëra këto.
16Por, ata që të përpijnë, do të përpihen,
të gjithë armiqtë e tu do të shkojnë në robëri,
plaçkitësit e tu do të plaçkiten,
të gjithë ata që të zunë pre, pre do t'i bëj.
17Do të kujdesem për shëndetin tënd
e do ta shëroj plagën tënde, kumton Zoti,
se të quajnë e dëbuara, o Sion,
ajo që askush s'e kërkon.
18Kështu thotë Zoti:
ja, do t'ia mëkëmb tendat Jakobit,
do të kem mëshirë për banesat e tij.
Në gërmadhat e tij do të ndërtohet qyteti
e pallati në vendbanimin që i takon.
19Prej tyre do të dalë përlëvdimi
dhe tingulli i argëtuesve.
Do t'i shumoj e nuk do të pakësohen
do t'i nderoj e nuk do të përçmohen.
20Do të jenë si bijtë e tyre dikur,
para meje do të qëndrojë bashkësia e tyre,
shtypësit e tyre do t'i ndëshkoj.
21Do të kenë kryetar njërin prej të vetëve
e sundimtari prej tyre do të dalë.
Unë do ta afroj te vetja
e ai do të më afrohet,
se kush do ta linte peng jetën për t'm'u afruar,
kumton Zoti.
22Ju do të jeni populli im
e unë do të jem Perëndia juaj.
23Ja, stuhia e Zotit,
furi që shpërthen,
stuhi kalimtare,
mbi kokën e të paudhëve vorbullon.
24Nuk do të ndalet zemërimi i flaktë i Zotit,
derisa t'i kryejë e t'i sosë synimet e zemrës së tij.
Kur të mbarojnë ditët,
do ta kuptoni».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 30: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë