Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Judita 9

9
Lutja e Juditës
1Atëherë Judita ra me fytyrë përdhe, i hodhi hi kokës dhe nxori në pah grathoren që mbante veshur. Kur në Jerusalem kushtohej temjani i mbrëmjes në tempullin e Perëndisë, Judita i thirri me zë të lartë Zotit e tha:
2«O Zot, ti je Perëndia i Atit tim, Simeonit.
Ti i dhe në dorë shpatën e hakmarrjes ndaj të huajve,
që virgjëreshës ia kishin hapur nënbarkun
për ta dhunuar,
që ia kishin zbuluar shalët
për ta turpëruar,
ia kishin ndotur barkun
për ta mjeruar,
se ti pate thënë: “Kjo nuk duhet bërë!”,
por ja që ndodhi.
3Ti i shpure në vdekje prijësit e tyre
dhe shtrati i tyre, turpëruar me tradhti,
u njollos me gjak.
Ti godite skllevër, pushtetarë e sundues
në fronet e tyre.
4Gratë ua bëre plaçkë e bijat robinja,
prenë e ndave mes bijve të tu të dashur,
që i kaplonte zelli për ty
e u neveritej përdhosja e gjakut të vet.
Të thirrën për ndihmë, prandaj ti, o Zot,
Përëndia im, dëgjomë edhe mua, të venë.
5Ti bëre ç'ka qenë, ç'është e ç'do të jetë,
ti caktove gjërat e tashme e të ardhmet
e çfarë ke në mendje e kryen.
6Gjërat që vendose u paraqitën e thanë:
“Ja ku jemi”,
se udhët e tua janë të gjitha gati
e ti e paranjeh gjykimin.
7Ja, asirianët e kanë rritur fuqinë,
mburren me kuaj e kalorës,
krenohen me forcën e këmbësorisë,
besojnë te shpata e heshta,
te harku e hobeja.
S'e dinë se ti je Zoti,
që luftën e shkërmoq,
8dhe Zot është emri yt.
Godite forcën e tyre me fuqinë tënde,
me zemërimin tënd hiqua pushtetin,
se shenjtëroren duan të ta përdhosin,
ta ndotin tendën ku prehet
emri i lavdisë sate,
ta thyejnë me hekur
bririn e altarit tënd.
9Shikoje krekosjen e tyre,
bjeru kokës me zemërimin tënd.
Jepi krahut tim prej vejushe
forcë për ç'kam ndërmend.
10Godit, me miklimin tim,
shërbëtorin e princin,
princin me kujdestarin.
Thyeje mujshinë e tyre
me dorën e një femre.
11Se forca jote nuk varet nga numri,
as fuqia jote nga pushteti.
Ti je Perëndia i të përulurve,
ndihmësi i të shtypurve,
mbështetësi i të mekurve,
mbrojtësi i të përbuzurve,
shpëtimtari i të pashpresëve.
12Po, po, Perëndia i atit tim,
Perëndia i trashëgimisë së Izraelit,
Zoti i qiellit e i tokës,
krijuesi i ujërave,
mbreti i mbarë krijimit,
dëgjoje lutjen time.
13Më jep fjalën lajkatare,
plagë e rrënim për ata
që synojnë mizori kundër besëlidhjes sate,
kundër tempullit të shenjtërisë sate,
kundër majës së Sionit
e kundër shtëpisë që bijtë e tu zotërojnë.
14Ta dijë mbarë kombi yt e çdo fis ta kuptojë
se ti je Perëndia, perëndi i çdo force e fuqie
e se fisi i Izraelit
s'ka tjetër mbrojtës veç teje».

Aktualisht i përzgjedhur:

Judita 9: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr