Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Judita 10

10
Judita dhe Oloferni
1Kur Judita e ndali britmën që i kishte drejtuar Perëndisë së Izraelit dhe i mbaroi të gjitha këto fjalë, 2u ngrit, se kishte rënë përmbys, thirri shërbëtoren e vet dhe shkoi te shtëpia ku rrinte të shtunave dhe për festa. 3Hoqi grathoren që mbante veshur, zhveshi petkat e vejërisë, e lau trupin me ujë, u lye me vaj të çmuar, krehu flokët e kokës, i lidhi me kordele dhe u vesh me petkat e haresë me të cilat vishej kur ishte gjallë burri i saj, Manaseu. 4Mbathi sandalet në këmbë dhe vuri varëse, rrathë, unaza, vëthë e tërë stolitë e veta, për t'i joshur burrat që do ta shihnin. 5I dha shërbëtores një kacek me verë e një enë me vaj dhe e mbushi trastën me grurë të pjekur, me bukëfiqe e me bukë të thjeshtë. Mbështolli të gjitha enët dhe ia dha asaj.
6Pastaj dolën te porta e qytetit të Betulisë dhe hasën Uziahun, që po i priste me pleqtë e qytetit, Kabrisin dhe Harmiun. 7Kur e panë me pamje të shndërruar e të veshur ndryshe, u mahnitën shumë nga bukuria e saj e i thanë: 8«Perëndia i etërve tanë të dhëntë përkrahje, që t'i arrish synimet e tua, për nderimin e popullit të Izraelit e për lartimin e Jerusalemit».
9Ajo adhuroi Perëndinë e u tha: «Urdhëroni të më hapet porta e qytetit, që të dal e të kryej veprën për të cilën më folët». Ata i urdhëruan djemtë t'ia hapnin portën, siç u tha ajo. 10Bënë ashtu dhe Judita doli bashkë me shërbëtoren. Burrat e qytetit e këqyrën nga larg derisa zbriti malin, mbërriti në luginë e nuk e panë më.
11Kur po ecnin drejt nëpër luginë, hasi në një trupë asiriane. 12Ata e ndaluan dhe e pyetën: «Nga je, nga vjen e ku po shkon?». Ajo u përgjigj: «Unë jam bijë e hebrenjve, por po largohem prej tyre, se kanë për të rënë në dorën tuaj e kanë për t'u zhbirë. 13Po shkoj tek Oloferni, kryeushtaraku i ushtrisë suaj, për ta njoftuar me vërtetësi si janë punët. Do t'i tregoj një udhë nga e cila mund të shkojë e të nënshtrojë tërë malësinë, pa u ndodhur asgjë njerëzve të tij».
14Ndërsa e dëgjonin, burrat i shikonin fytyrën dhe kishin mbetur të mahnitur nga bukuria e saj e madhe. Atëherë i thanë: 15«E shpëtove veten, që zbrite me nxitim për të dalë para zotërisë sonë. Shko te tenda e tij. Dikush nga ne do të të shoqërojë e do të të çojë tek ai. 16Kur të qëndrosh para tij, mos të të trembet zemra, por thuaja fjalët e tua e ai do të sillet mirë me ty».
17Zgjodhën njëqind burra prej tyre, e shoqëruan bashkë me shërbëtoren dhe i çuan te tenda e Olofernit. 18Në tërë fushimin pati lëvizje, se lajmi për mbërritjen e saj u përhap nëpër tenda. Ata shkuan e u mblodhën rreth saj, ndërsa qëndronte jashtë tendës së Olofernit, derisa e njoftuan për të. 19Ata u mahnitën me bukurinë e saj dhe u mahnitën me izraelitët prej saj. I thoshin njëri-tjetrit: «Kush mund ta përçmojë këtë popull që ka gra të tilla? Nuk është mirë të lëmë gjallë asnjë burrë prej tyre, se, po t'i lëmë, mund t'ia marrin mendtë mbarë dheut».
20Rojat dhe kujdestarët e Olofernit i dolën para dhe e futën në tendën e tij. 21Oloferni po pushonte në shtratin e vet mbi një mbulesë qendisur me purpur e ar, me smerald e gurë të çmuar. 22Kur i treguan për të, ai doli para tendës dhe i prinin me kandila të argjendtë. 23Kur Judita hyri tek Oloferni dhe te shërbëtorët e tij, të gjithë u mahnitën me bukurinë e fytyrës së saj. Ajo ra përmbys për ta nderuar, por shërbëtorët e tij e ngritën.

Aktualisht i përzgjedhur:

Judita 10: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr