Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Judita 2

2
Ndëshkimi i perëndimit
1Në vitin e tetëmbëdhjetë, në ditën e njëzet e dytë të muajit të parë, në pallatin e Nabukodonosorit, mbretit të asirianëve, u fol për hakmarrjen kundër mbarë dheut, siç ishte përfolur. 2Ai i mblodhi të gjithë shërbëtorët e të gjithë fisnikët, u parashtroi vendimin e tij të fshehtë dhe u tregoi me gojën e vet tërë ligësinë e dheut. 3Ata vendosën të vritej kushdo që nuk u ishte bindur fjalëve që kishin dalë nga goja e tij.
4Pasi e mbylli vendimmarrjen, Nabukodonosori, mbreti i Sirisë, thirri Olofernin, kryeushtarakun e ushtrisë së tij, të dytin pas vetes, e i tha: 5«Kështu thotë mbreti i madh, sunduesi i mbarë tokës: ja, ik nga unë e merr me vete njerëz që kanë besim në forcat e veta, njëqind e njëzet mijë këmbësorë e dymbëdhjetë mijë kalorës me shumë kuaj. 6Dil kundër të gjithë tokës së perëndimit, se i përçmuan fjalët e gojës sime. 7Urdhëroi të përgatisin dhe e ujë, se po u sulem me zemërim e do ta mbuloj tërë faqen e dheut me këmbët e ushtarëve të mi. Do t'ua dorëzoj atyre, që ta plaçkisin. 8Të plagosurit e tyre do t'i mbushin luginat dhe përrenjtë e tyre. Edhe lumenjtë do të dalin nga shtrati, se do t'u mbushen me të vdekur. 9Do t'i shpërngul deri në skajet e mbarë dheut. 10Dil dhe m'i pushto tërë trojet e tyre. Ata do të dorëzohen te ti e ti m'i ruaj deri në ditën e ndëshkimit të tyre. 11Syri yt të mos tregojë mëshirë për ata që tregohen kryeneçë, por futi në thertore e plaçkite tërë tokën tënde. 12Pasha jetën time e pasha pushtetin e mbretërisë sime, çfarë kam thënë do ta bëj me dorën time. 13E ti mos e shpërfill asnjë fjalë të zotit tënd, por zbatoji siç të kam porositur dhe zbatoji pa ngurrim».
14Kur Oloferni doli nga prania e zotërisë së vet, i thirri të gjithë princat, kryeushtarakët dhe krerët e ushtrisë së Asirisë 15dhe i numëroi burrat e zgjedhur për t'i rreshtuar, siç e kishte urdhëruar zotëria i vet. Ishin njëqind e njëzet mijë, bashkë me dymbëdhjetë mijë kalorës harkëtarë 16dhe i renditi siç renditet një njësi e madhe luftarake. 17Pastaj mori një sasi shumë të madhe devesh, gomarësh e mushkash për barrë, si edhe dele, qe e dhi të panumërta, 18pajisje të shumta për çdo ushtar, ar e argjend të shumtë prej pallatit mbretëror.
19Doli me mbarë ushtrinë e vet për t'i paraprirë mbërritjes së mbretit Nabukodonosor dhe për të mbuluar mbarë faqen e dheut në perëndim me karrocat e kalorësit e tyre, si edhe me këmbësorë të zgjedhur. 20Një shumicë e madhe dhe e gjithëllojshme shkoi me ta, si karkalecat dhe rëra e detit, moria të cilëve nuk numërohet.
21Shkuan për tri ditë nga Niniva në rrafshin e Bektiletit dhe fushuan kundruall Bektiletit, afër malit në veri të Kilikisë së Epërme. 22Ai mori tërë ushtrinë e vet, këmbësorinë, kalorësinë e karrocat dhe u ngjit në kodrina. 23Atëherë shkatërroi Pudin e Ludin, plaçkiti të gjithë bijtë e Rasinit dhe të Ishmaelit, përballë shkretëtirës, në jug të kelenjve. 24Pastaj kaloi Eufratin dhe përshkoi Mesopotaminë. Ai i shkatërroi të gjitha qytetet e fortifikuara përgjatë përroit Abron, derisa mbërriti te deti. 25Pushtoi edhe trojet e Kilikisë, vrau të gjithë ata që e kundërshtuan dhe mbërriti në trojet jugore të Jafetit, kundruall Arabisë. 26Rrethoi midianitët, ua dogji tendat, ua plaçkiti tufat. 27Atëherë zbriti në rrafshin e Damaskut, në kohën e të korrave, u dogji arat, u rrënoi grigjat e tufat, u plaçkiti qytetet, u shkretoi tokat dhe kaloi në teh të shpatës të gjithë të rinjtë e tyre.
28Atëherë frika e tmerri pushtoi tërë popullin që banonte përgjatë bregdetit, në Sidon e Tir, banorët e Surit e të Okinës, si edhe të gjithë banorët e Jamnisë. Edhe banorët e Azotit dhe të Ashkalonit i trembeshin shumë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Judita 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr