Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:18-31

Gjyqtarët 16:18-31 AL1

Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se ZOTI ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish. Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte. Atëherë Samsoni i thirri ZOTIT e i tha: «O ZOT, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij. Vëllezërit dhe familja e tij shkuan, e morën trupin e tij dhe e varrosën mes Corahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, atit të tij. Samsoni qe gjyqtar në Izrael për njëzet vjet.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë