Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:18-31

Gjyqtarët 16:18-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se ZOTI ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish. Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte. Atëherë Samsoni i thirri ZOTIT e i tha: «O ZOT, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij. Vëllezërit dhe familja e tij shkuan, e morën trupin e tij dhe e varrosën mes Corahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, atit të tij. Samsoni qe gjyqtar në Izrael për njëzet vjet.

Gjyqtarët 16:18-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur Delilah u bind që ai ia kishte çelur plotësisht zemrën, dërgoi të thërrasin princat e filistenjve dhe u dërgoi këto fjalë: "Ejani lart këtë radhë se ai ma hapi tërë zemrën e tij". Atëherë princat Pastaj ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e saj, thirri një njeri që i rroi të shtatë gërshetat të kokës së Sansonit; pastaj filloi ta trajtoj keq, dhe fuqia e tij e la. Atëherë ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t'ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur. Dhe filistenjtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg. Ndërkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten. Princat e filistenjve u mblodhën për t'i paraqitur një flijim të madh Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për t'u gëzuar. Ata thoshin: "Perëndia ynë na ka dhënë në dorë Sansonin, armikun tonë". Kur populli e pa, filloi të lavdërojë perëndinë e vet dhe të thotë: "Perëndia ynë na dha në dorë armikun tonë, atë që shkatërronte vendin tonë dhe që ka vrarë aq shumë njerëz tanë". Kështu në gëzimin e zemrës së tyre, ata thanë: "Silleni Sansonin që të dëfrehemi me të!". E nxorën Sansonin nga burgu dhe ai bëri karagjozllëqe para tyre. Pastaj e vunë midis shtyllave. Atëherë Sansoni i tha fëmijës, që e mbante prej dore: "Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat qëndron shtëpia, që të mund të mbështetem në to". Shtëpia ishte pot me burra dhe gra; aty ndodheshin tërë princat e filistenjve, dhe mbi çati tre mijë veta, burra e gra, që shikonin Sansonin ndërsa ky bënte palaçon. Atëherë Sansoni kërkoi ndihmën e Zotit dhe tha: "O Zot, o Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me filistenjtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi". Pastaj Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin, dhe u mbështet tek ato, tek njëra me dorën e djathtë dhe tek tjetra me dorën e majtë; pastaj Sansoni tha: "Le të vdes bashkë me filistenjtë!". U përkul pastaj me të gjithë forcën e tij, dhe shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë. Pastaj vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij zbritën dhe e morën; dhe e çuan ta varrosin midis Tsorahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, të atit të tij. Ai qe gjyqtar i Izraelit njëzet vjet me radhë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë