Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 14

14
Martesa e Samsonit
1Samsoni shkoi në Timnah dhe atje pa një grua filistine. 2Kur u kthye i tha të atit e të ëmës: «Kam parë një grua filistine në Timnah. Ma merrni për grua». 3I ati dhe e ëma i thanë: «Nuk paska gra mes bijave të vëllezërve të tu dhe të popullit tonë, që të shkosh e të marrësh grua nga filistinët e parrethprerë?». Por Samsoni iu përgjigj: «Atë më merrni, se më pëlqen». 4I ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti, që kërkonte një rast kundër filistinëve. Në atë kohë filistinët sundonin mbi Izraelin.
5Samsoni shkoi në Timnah bashkë me të atin dhe të ëmën. Kur mbërritën te vreshtat e Timnahut, një këlysh luani iu vërsul Samsonit duke ulërirë. 6Atëherë shpirti i Zotit e mbuloi Samsonin dhe ai e shqeu luanin më dysh si të ishte kec, pa pasur gjë në dorë. Nuk i tregoi as të atit e as të ëmës çfarë bëri. 7Pastaj shkoi në Timnah dhe foli me atë grua. Ajo i pëlqeu shumë. 8Pas disa ditësh u kthye për ta marrë dhe doli nga rruga për të parë kufomën e luanit. Brenda kufomës kishte një luzmë bletësh dhe mjaltë. 9Mori ca mjaltë në dorë dhe po e hante rrugës. Kur mbërriti tek i ati dhe e ëma, u dha edhe atyre të hanin, por nuk u tregoi se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.
10I ati i Samsonit shkoi te gruaja dhe aty Samsoni shtroi një gosti, siç e kishin zakon të rinjtë. 11Kur e panë banorët e qytetit, i caktuan tridhjetë shokë, që të rrinin me të. 12Samsoni u tha: «Do t'ju tregoj një gjëegjëzë. Po ta gjeni gjatë shtatë ditëve të festës, do t'ju jap tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba, 13por, po të mos e gjeni, do të më jepni ju tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba». Ata i thanë: «Tregoje gjëegjëzën, që ta dëgjojmë». 14Samsoni u tha:
«Prej gllabëruesit doli ushqim,
prej të fortit ëmbëlsirë».
Për tri ditë nuk ia dolën ta gjenin gjëegjëzën.
15Ditën e shtatë i thanë gruas së Samsonit: «Mbushja mendjen tët shoqi të na e tregojë gjëegjëzën, në mos do të të djegim ty dhe shtëpinë e tët eti. Për çfarë na ftuat, që të na lini lakuriq?». 16Atëherë gruaja e Samsonit qau para tij e i tha: «Ti më urren e nuk më do. U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim, por mua nuk ma tregove përgjigjen». Samsoni i tha: «Nuk ia kam treguar as atit tim, as nënës sime. Mos vallë do të ta tregoj ty?». 17Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës dhe ditën e shtatë Samsoni ia tregoi përgjigjen e gjëegjëzës, ngaqë ajo e mërziti shumë. Ajo ua tregoi përgjigjen bijve të popullit të saj. 18Ditën e shtatë, para perëndimit të diellit, ata i thanë:
«Ç'është më i ëmbël se mjalti?
Ç'është më i fortë se luani?».
Atëherë Samsoni u tha:
«Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time,
gjëegjëzën s'kishit për ta gjetur».
19Shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin e ai zbriti në Ashkelon. Atje vrau tridhjetë nga burrat e qytetit dhe rrobat#14.19 ose: armët e tyre ua dha atyre që kishin gjetur gjëegjëzën. Pastaj, i ndezur nga zemërimi, u kthye në shtëpinë e të atit.
20Gruan e Samsonit ia dhanë shoqëruesit të tij, shokut të tij të ngushtë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr