Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 11

11
Jeftahu prijës i Izraelit
1Jeftahu nga Gileadi ishte trim i fuqishëm. Ai ishte biri i Gileadit që kishte lindur nga një lavire. 2Por gruaja e Gileadit i kishte lindur atij edhe bij të tjerë. Kur u rritën, ata e dëbuan Jeftahun e i thanë: «Ti nuk ke për të pasur pjesë në trashëgiminë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër». 3Atëherë Jeftahu u largua nga vëllezërit e tij dhe jetoi në vendin e Tobit. Rreth tij u bashkuan njerëz të poshtër, që dilnin për të plaçkitur bashkë me të.
4Pas njëfarë kohe amonitët sulmuan Izraelin. 5Kur amonitët sulmuan Izraelin, pleqësia e Gileadit shkoi për të marrë Jeftahun në vendin e Tobit. 6Ata i thanë Jeftahut: «Eja e bëhu prijësi i ushtrisë sonë, për të luftuar me amonitët». 7Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «A nuk ishit ju ata që më urryet e më zbuat nga shtëpia e tim eti? Përse keni ardhur tek unë tani që keni rënë ngushtë?». 8Pleqësia e Gileadit i tha: «Kemi ardhur tani te ti, që të vish me ne e të luftosh kundër amonitëve e të bëhesh prijësi i të gjithë banorëve të Gileadit». 9Jeftahu i tha pleqësisë së Gileadit: «Nëse më ktheni për të luftuar kundër amonitëve dhe nëse Zoti m'i dorëzon, do të bëhem prijësi juaj». 10Pleqësia e Gileadit i tha: «Zoti do të jetë dëshmitar mes nesh, se do të bëjmë siç the». 11Atëherë Jeftahu shkoi bashkë me pleqësinë e Gileadit dhe populli e caktoi si prijës e sundues. Jeftahu i përsëriti në Micpah para Zotit të gjitha fjalët që pati thënë më parë.
12Jeftahu i dërgoi lajmëtarë mbretit të amonitëve e i tha: «Çfarë ke me mua, që ke ardhur për të sulmuar vendin tim?». 13Mbreti i amonitëve iu përgjigj lajmëtarëve të Jeftahut: «Izraeli mori tokën time kur erdhi nga Egjipti, duke filluar nga Arnoni e deri në Jabok e në Jordan. Tani, na i ktheni këto toka me paqe». 14Jeftahu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të amonitëve 15e i tha: «Kështu thotë Jeftahu: Izraeli nuk ka marrë as tokën e Moabit e as tokën e amonitëve. 16Kur izraelitët dolën nga Egjipti, kaluan shkretëtirën deri në detin e Kuq dhe mbërritën në Kadesh. 17Atëherë i dërguan lajmëtarë mbretit të Edomit e i kërkuan që t'i lejonte të kalonin nëpër tokën e tij, por mbreti i Edomit nuk dëgjoi. I dërguan lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por as ai nuk donte t'i lejonte. Izraelitët u ndalën në Kadesh. 18Pastaj udhëtuan në shkretëtirë dhe anashkaluan tokat e Edomit e të Moabit. Mbërritën në lindje të tokës së Moabit dhe e ngritën fushimin në anën tjetër të Arnonit, pa hyrë brenda kufijve të Moabit, sepse Arnoni është kufiri i Moabit. 19Izraelitët i dërguan lajmëtarë Sihonit, mbretit të amoritëve, mbretit të Heshbonit e i kërkuan që t'i lejonte të kalonin nëpër tokën e tij për të shkuar në vendin e tyre. 20Por Sihoni nuk pati besim tek izraelitët dhe nuk i la të kalonin përmes trojeve të tij. Ai mblodhi tërë popullin e tij dhe e ngriti fushimin në Jahac për të sulmuar Izraelin. 21Por Zoti, Perëndia i Izraelit, ia dorëzoi Sihonin dhe tërë popullin e tij izraelitëve. Izraeli i mposhti dhe mori të gjitha tokat e amoritëve që banonin në atë vend. 22Izraelitët pushtuan gjithë trojet e amoritëve, nga Arnoni deri në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan. 23E tani që Zoti, Perëndia i Izraelit, i ka dëbuar amoritët para Izraelit, popullit të tij, ti dashke që ta marrësh këtë tokë për vete? 24A nuk zotëron ti tokën që të dha Kemoshi, perëndia yt? E pra, edhe ne do të zotërojmë gjithçka që na ka dhënë Zoti, Perëndia ynë. 25Mos je më i mirë se Balaku, biri i Ciporit, mbreti i Moabit? Ai nuk u grind kurrë me Izraelin e as luftoi kundër tij. 26Izraelitët kanë treqind vjet që banojnë në Heshbon dhe në fshatrat përreth, në Aroer dhe në fshatrat përreth, si edhe në të gjitha qytetet që ndodhen në brigjet e Arnonit. Përse nuk i keni marrë këto troje gjatë kësaj kohe? 27Unë s'të kam faj, që të më biesh në qafë duke më shpallur luftë. Zoti, gjykatësi, vendostë sot drejtësi mes izraelitëve dhe amonitëve». 28Por mbreti i amonitëve nuk i përfilli fjalët që i tha Jeftahu përmes lajmëtarëve.
Premtimi i Jeftahut
29Atëherë shpirti i Zotit e pushtoi Jeftahun. Jeftahu përshkoi Gileadin dhe Manaseun, shkoi në Micpah të Gileadit e prej andej tek amonitët. 30Jeftahu iu betua Zotit e i tha: «Nëse më dorëzon amonitët, 31i pari që do të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më takuar, kur të kthehem ngadhënjimtar mbi amonitët, do të të përkasë ty dhe do të ta kushtoj si fli shkrumbimi». 32Kështu, Jeftahu kaloi kufijtë e amonitëve për të luftuar kundër tyre dhe Zoti ia dorëzoi. 33I shpartalloi krejt dhe bëri kërdinë nga Aroeri deri në Minit, gjithsej njëzet qytete, e deri në Abel Keramin. Amonitët u mposhtën prej izraelitëve.
34Jeftahu po kthehej në shtëpi në Micpah, kur, ja, përpara i doli e bija, duke i rënë dajres e duke vallëzuar. Ishte vajza e tij e vetme, se nuk kishte as djem e as vajza të tjera. 35Jeftahu kur e pa, shqeu rrobat e tha: «Mjerë, o bija ime! Sa po ma thyen shpirtin! Sa fatkeq po më bën! I kam dhënë fjalën Zotit e s'mund ta thyej». 36Ajo i tha: «Ati im, nëse i ke dhënë fjalën Zotit, vepro me mua sipas fjalës që ke dhënë, sepse Zoti të dha fitoren mbi armiqtë e tu, amonitët». 37Pastaj i tha të atit: «Por, të lutem për një gjë: shtyje për dy muaj, që të shkoj nëpër male me shoqet e mia e të qaj virgjërinë time». 38Ai i tha të shkonte dhe e la të ikte për dy muaj. Ajo shkoi bashkë me shoqet nëpër male dhe qau për virgjërinë e saj. 39Pas dy muajsh ajo u kthye tek i ati dhe ai veproi me të sipas fjalës që kishte dhënë. Ajo nuk njohu kurrë burrë. Kështu, u bë zakon në Izrael, 40që bijat e izraelitëve të shkonin çdo vit për katër ditë për të vajtuar bijën e Jeftahut nga Gileadi.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë