Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 66

66
Gjykimi i Zotit
1Kështu thotë Zoti:
qielli është froni im,
toka shtroja e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni?
Cili është vendi ku do të gjej prehje?
2Të gjitha këto i bëri dora ime,
kështu u krijuan të gjitha, kumton Zoti.
Vështrimin tim do ta hedh mbi të përulurin,
mbi atë që e ka shpirtin të dërrmuar,
mbi atë që dridhet prej fjalës sime.
3Dikush kushton një dem
e mandej vret një njeri,
kushton një qengj
e mandej i thyen qafën qenit,
kushton një fli drithi
e mandej edhe gjakun e derrit,
kushton temjan
e mandej bekon idhullin.
Këta zgjedhin të ecin udhës së vet,
kënaqen me fëlliqësitë e tyre.
4Por edhe unë do të zgjedh poshtërimin e tyre,
do të dërgoj mbi ta tmerrin,
sepse thirra, por nuk m'u përgjigjën,
fola, por nuk më dëgjuan,
Bënë çka është e keqe në sytë e mi,
zgjodhën çka nuk më pëlqen.
5Dëgjojeni fjalën e Zotit,
ju që dridheni prej fjalës së tij!
Të afërmit tuaj, që ju urrejnë,
që ju përjashtojnë për shkak të emrit tim, thonë:
«Le ta dëftejë Zoti lavdinë e tij,
që ta shohim edhe ne gëzimin tuaj».
E pra, ata do të turpërohen!
6Një rrapëllimë po del nga qyteti,
një zë dëgjohet prej tempullit!
Është zëri i Zotit
që po hakmerret ndaj armiqve të tij.
7Para se të provonte dhimbjet, lindi,
para se t'i vinin dhimbjet, lindi djalë.
8Kush e ka dëgjuar një gjë të tillë?
Kush ka parë gjëra të tilla?
A mund të lindë një vend në një ditë?
A mund të lindë një komb në një çast?
E pra, Sionin e zunë dhimbjet e lindjes
dhe bijtë e saj ajo i lindi.
9«Unë, që jam shkaku i lindjes së jetës,
nuk do ta bëja të lindte?», thotë Zoti.
«Unë, që kujdesem për çdo lindje,
do ta pengoja të lindte?», thotë Perëndia.
Gëzim dhe bekim
10Gëzohuni për Jerusalemin,
ngazëlleni për të, të gjithë ju që e doni!
Dëfreni bashkë me të, dëfreni,
të gjithë ju që vajtuat për të,
11që prej gjirit të tij ngushëllues
të thithni qumësht e të ngiheni,
që prej thithave të begatisë së tij
të thithni e të kënaqeni!
12Se kështu thotë Zoti:
ja, paqen do ta bëj të rrjedhë në të porsi lumi,
pasurinë e kombeve porsi përroi që vërshon.
Do t'ju mbajnë në gji kur të pini qumësht,
do t'ju mbështetin mbi gjunjë kur t'ju përkëdhelin.
13Porsi nëna që ngushëllon të birin,
ashtu do t'ju ngushëlloj edhe unë.
Po, në Jerusalem ngushëllim do të gjeni!
14Do të shihni e do t'ju gëzojë zemra,
si bari i njomë do t'ju përtërihen kockat.
Dora e Zotit do të shfaqet mbi shërbëtorët e tij
e mbi armiqtë e tij, zemërimi.
15Se, ja, Zoti po vjen me zjarr,
qerret e tij janë porsi stuhia,
zemërimin e tij për ta shfryrë me furi,
qortimin e tij, me flakë zjarri.
16Me flakë do të gjykojë Zoti,
me shpatë çdo qenie të gjallë.
Të shumtë do të jenë ata
që do të zhbihen prej Zotit.
17Ata që shenjtërohen e pastrohen
për të shkuar mandej nëpër kopshtet e idhujve,
ata që hanë mishin e derrit,
gjëra të neveritshme e minj,
do të marrin fund që të gjithë,
kumton Zoti.
Fundi
18Unë i njoh mirë veprat dhe synimet e tyre. Prandaj po vjen koha për t'i bashkuar të gjitha kombet e gjuhët. Ata do të vijnë e do të shohin lavdinë time. 19Mes tyre do të vendos një shenjë dhe disa nga të mbijetuarit do t'i dërgoj te kombet, në Tarshish, në Pul, në Lud, te mjeshtrat e harkut, në Tubal, në Javan, në ishujt e largët, që për mua s'kanë dëgjuar dhe që lavdinë time s'e kanë parë. Ata do t'ua shpallin kombeve lavdinë time. 20Ata do t'i kthejnë të gjithë vëllezërit tuaj, prej të gjitha kombeve ku janë, e do t'ia kushtojnë Zotit, me kuaj, me karroca, me qerre, me mushka e me deve njëgungëshe, në malin e tij të shenjtë, në Jerusalem, thotë Zoti. Po ashtu edhe bijtë e Izraelit do ta sjellin flinë e tyre në shtëpinë e Zotit në një enë të pastër. 21Prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë, thotë Zoti.
22Sikurse qielli i ri dhe toka e re,
që unë po krijoj,
do të qëndrojnë përherë para meje,
kumton Zoti,
ashtu do të mbetet edhe fara juaj,
edhe emri juaj.
23Nga hëna e re në hënë të re,
nga e shtuna në të shtunë,
çdo qenie do të vijë
e para meje do të përkulet,
kumton Zoti.
24E kur të dalin, kufoma do të shohin,
kufomat e atyre që u ngritën kundër meje.
Krimbi që i bren nuk do të ngordhë kurrë
e zjarri që i djeg nuk do të shuhet.
Të neveritshëm do të jenë ata
për çdo qenie të gjallë!

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 66: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr