Isaia 23
23
Profeci kundër Tirit
1Profeci për Tirin:
vajtoni, o anijet e Tarshishit,
se u shkretua vendi ku strehoheshit.
U është dhënë lajmi,
teksa vinin prej tokës së Kitimit.
2Heshtni, o banorë të bregdetit,
mbushur plot me tregtarë të Sidonit,
që detin me anije përshkonin.
3Përmes ujërave të mëdha vinte drithi i Shihorit,
prodhimet e Nilit të sillnin fitim,
te ti bëhej tregtia e kombeve.
4Turpërohu, o Sidon, se ka folur deti,
fortesa e detit ja se ç'ka thënë:
«S'i kam provuar dhimbjet e lindjes, kurrë s'kam pjellë,
nuk kam rritur as djem, as vajza».
5Kur ta dëgjojnë këtë në Egjipt,
do të hidhërohen për lajmet që vijnë nga Tiri.
6Kaloni detin për në Tarshish,
vajtoni, o banorë të bregdetit!
7Ky na qenka vallë qyteti juaj i lavdishëm,
që fillimet i ka prej lashtësisë,
që këmbët larg e kanë çuar,
vendbanime të reja për të themeluar?
8E kush e sendërgjoi këtë kundër Tirit,
shpërndarësit të kurorave?
A nuk ishin tregtarët e tij princa
dhe shitësit fisnikëria e vendit?
9Këtë e vendosi Zoti i ushtrive,
që të përdhosë çdo krenari,
që të poshtërojë çdo madhështi
e të përbuzë gjithë fisnikët e dheut.
10Punoje tokën tënde, o bija e Tarshishit,
siç punojnë brigjet e Nilit,
se port më nuk ke#23.10 ose: Përshkoje tokën tënde, o bija e Tarshishit, pengesë më nuk ke.
11Dorën e shtriu përmbi det,
mbretëritë i tronditi,
për Kanaanin urdhëroi Zoti,
që fortesat e tij të shkatërrohen.
12«Nuk do të gëzosh më, o bijë e Sidonit», tha.
«Ti, o virgjëreshë, që ke humbur nderin,
Ngrihu e kalo në Kitim,
por as atje prehje s'do të gjesh».
13Ja, toka e kaldenjve,
popull që nuk është më!
Asiria e bëri banesë egërsirash.
Ngritën rreth tyre kulla rrethimi,
pallatet e tyre i zhveshën,
në pirgje rrënojash i kthyen.
14Vajtoni, o anije të Tarshishit,
se u shkretua vendi ku strehoheshit.
15Atë ditë do të ndodhë që Tiri do të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa zgjat sundimi i një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetësh, me Tirin do të ngjajë siç thotë kënga e lavires:
16«Merre harpën e bjeri përreth qytetit,
ti, o lavire, e lënë në harresë.
Bjeri bukur harpës,
merrja fort këngës,
që të kujtohen për ty».
17Pas shtatëdhjetë vjetësh Zoti do të kujtohet sërish për Tirin. Tiri do t'i rikthehet tregtisë e do të kurvërojë me të gjitha mbretëritë që janë mbi faqen e dheut. 18Por të ardhurat e përfitimet do t'i shenjtërohen Zotit. Nuk do të grumbullohen e as do të ruhen, sepse fitimi do t'u takojë atyre që banojnë pranë Zotit, që të hanë sa të ngopen e të vishen sa më bukur.
Aktualisht i përzgjedhur:
Isaia 23: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020