Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 11

11
Pasardhësi i Davidit
1Një degë do të dalë prej trungut të Jeseut,
një filiz do të mbijë nga rrënja e tij.
2Në të do të prehet shpirti i Zotit,
shpirti i urtisë e i mençurisë,
shpirti i këshillës e i fuqisë,
shpirti i dijes e i drojës së Zotit.
3Kënaqësia e tij do të jetë droja e Zotit.
Ai s'do të gjykojë sipas asaj që sheh me sy
e s'do të vendosë sipas asaj që dëgjon me veshë.
4Skamnorët do t'i gjykojë me drejtësi
e do të marrë vendime të drejta
për të përulurit e tokës.
Me thuprën e gojës së tij do ta godasë tokën,
me frymën e buzëve të tij do ta vrasë të paudhin.
5Drejtësia do të jetë brezi i mesit të tij,
besnikëria brezi që do të ngjeshë ijëve.
6Ujku do të banojë me qengjin,
leopardi do të shtrihet bri kecit,
viçi e këlyshi i luanit do të kullotin bashkë,
fëmija i vogël do t'u prijë udhës.
7Lopa e arusha do të kullotin bashkë,
këlyshët e tyre tok do të rrinë,
luani kashtë do të hajë si kau.
8Foshnja do të luajë mbi vrimën e gjarprit,
fëmija do ta fusë dorën në strofullin e nepërkës.
9Nuk do të dëmtohet kush
e as do të vritet kush
në mbarë malin tim të shenjtë,
se toka do të mbushet me dijen e Zotit,
siç mbulojnë ujërat detin.
Teprica e Izraelit
10Atë ditë rrënja e Jeseut
do të ngrihet si flamur për popujt,
atë do të kërkojnë kombet,
e lavdishme do të jetë banesa e tij.
11Atë ditë Zoti do ta shtrijë sërish krahun,
për të shpenguar tepricën e popullit të tij,
ata që do të kenë mbetur në Asiri e në Egjipt,
në Patros e në Kush, në Shinar e në Hamat,
nëpër ishujt e detit.
12Do të ngrejë emblemën për kombet,
të shpërngulurit e Izraelit do t'i mbledhë,
të dëbuarit e Judës do t'i bashkojë
nga të katërt anët e dheut.
13Smira e Efraimit do të marrë fund,
armiqtë e Judës do të shfarosen,
Efraimi s'do të ketë më smirë për Judën
e Juda s'do ta ngucë Efraimin.
14Do të vërsulen mbi kurrizin e filistinëve në perëndim,
popujt e lindjes bashkë do t'i plaçkitin,
do ta shtrijnë krahun mbi Edomin e Moabin,
bijtë e Amonit do t'u nënshtrohen.
15 Zoti do ta shkatërrojë krejt gjirin e detit të Egjiptit,
lart do ta ngrejë dorën kundër Eufratit,
me zjarrminë e frymës së tij,
do ta godasë e do ta ndajë në shtatë përrenj,
me sandale do të kapërcehet.
16Do të hapet një udhë për tepricën e popullit të tij,
të atyre që do të kenë mbijetuar në Asiri,
ashtu siç u bë dikur për Izraelin,
ditën që doli prej dheut të Egjiptit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr