Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 10

10
1Mjerë ata që nxjerrin rregulla paudhësie
e shkruajnë ligje që përligjin shfryrëzimin,
2për t'u shkelur të drejtën skamnorëve,
për t'u mohuar drejtësinë mjeranëve të popullit tim,
për t'i bërë vejushat prenë e tyre,
për t'i plaçkitur jetimët.
3Ç'do të bëni ditën e ndëshkimit,
kur të vijë mjerimi prej së largu?
Te kush do të vraponi për ndihmë,
thesaret tuaja ku do t'i lini?
4Sepse do të gjunjëzoheni mes të burgosurve
e do të bini ndër të vrarët.
E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit
e krahu i tij mbeti i shtrirë.
Profeci kundër Asirisë
5Mjerë Asiria, thupra e zemërimit tim!
Në duart e saj është shkopi i furisë sime.
6Kundër një kombi të pafe po e dërgoj,
kundër një populli, që më zemëron, e urdhëroj,
që ta plaçkitë e ta bëjë pre,
që ta shkelë me këmbë si baltën e rrugës.
7Por ai nuk e mendon kështu,
në zemër sheston tjetër gjë,
ka vendosur të shfarosë,
të shuajë kombe jo të pakta.
8E thotë: «A nuk janë prijësit e mi si mbretërit?
9A s'është Kalnehu si Karkemishi?
A s'është Hamati si Arpadi?
Si Damasku a s'është Samaria?
10Dora ime pushtoi mbretëritë idhujtare,
ndonëse idhujt e tyre ishin më të shumtë
se në Jerusalem e në Samari.
11A nuk do t'ia bëj Jerusalemit e idhujve të tij
siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj?».
12E kur Zoti ta ketë përfunduar veprën e tij në malin e Sionit e në Jerusalem, do ta ndëshkojë krenarinë e zemrës së mbretit të Asirisë e vështrimin kryeneç të syve të tij, 13se tha:
«Veprova me fuqinë e krahut tim,
me urtinë e mençurinë time.
Kufijtë mes popujve i zhduka,
thesaret e tyre i plaçkita,
si trim i plandosa ata që ulen ndër frone.
14Dora ime i gjeti thesaret e popujve,
si të ishin në një fole zogjsh,
dhe siç mblidhen vezët e braktisura,
ashtu e mblodha botën mbarë.
Askush s'i hapi dot krahët për të fluturuar,
askush s'e hapi sqepin për të cicëruar».
15A mburret sëpata para atij që me të pret?
A krenohet sharra para atij që e përdor?
A thua shufra e drejton atë që e mban në dorë,
apo shkopi e ngre lart atë që s'është prej druri?
16Prandaj, Zoti, Zoti i ushtrive,
mes më të fortëve të tij plagë do të dërgojë,
atje ku kishte lavdi do të ndizet flaka,
do të djegë si zjarri përvëlues.
17Drita e Izraelit do të jetë si zjarri,
i shenjti i Izraelit porsi flaka,
do të djegë e do të përpijë brenda ditës
shkurret e ferrat e tij.
18Lavdisë së pyllit e të kopshtit të tij
do t'ia përpijë mishin e shpirtin,
si i sëmuri që lëngon për vdekje,
ashtu do të mbetet.
19Do të mbesin aq pemë nga pylli i tij,
sa t'i numërojë edhe një fëmijë.
20Atë ditë do të ndodhë që teprica e Izraelit dhe të mbijetuarit e shtëpisë së Jakobit nuk do të mbështeten më tek ai që i godiste, por do të mbështeten me besnikëri te Zoti, i shenjti i Izraelit. 21Teprica, teprica e Jakobit, do të kthehet te Perëndia i fuqishëm. 22E megjithatë, o Izrael, edhe nëse populli yt do të ishte si rëra e detit, vetëm teprica do të kthehej atje. Është vendosur shfarosja, që të shkojë në vend drejtësia. 23Urdhrin e shfarosjes e dha Zoti, Zoti i ushtrive, dhe po e zbaton në mbarë vendin.
24Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: «Mos ki frikë prej Asirisë, o populli im, që banon në Sion. Njëmend do të të godasë me thupër e shkopin do të ngrejë mbi ty, ashtu si Egjipti, 25por edhe pak e do të marrë fund, se zemërimi im do të ndizet flakë për t'i shkatërruar». 26Mbi të Zoti i ushtrive do të ngrejë një fshikull, ashtu siç bëri kundër Midianit te shkëmbi i Orebit. Do ta lartësojë shkopin e tij mbi det, ashtu siç bëri në Egjipt.
27E do të ndodhë atë ditë,
që barra e tij do të hiqet prej shpatullës sate,
zgjedha e tij prej qafës sate,
prej të majmurit do të thyhet zgjedha e tij.
28Ia behu në Ajat,
nëpër Migron kaloi,
në Mikmas plaçkat shkarkoi.
29Ja, tek përshkuan shtegun,
në Gebë po kalojnë natën,
Ramahu po dridhet,
Gibeahu i Saulit merr arratinë.
30Gërthit sa të kesh zë, o bija e Galimit!
Dëgjo mirë, o Lajshah, përgjigju#10.30 të tjerë: E mjera, o Anatot!
31Madmenahu ka marrë arratinë,
banorët e Gebimit kanë ikur.
32Po atë ditë do të qëndrojë në Nob
e do të tundë grushtin kundër malit të bijës së Sionit,
kundër kodrës së Jerusalemit.
33Ja, Zoti, Zoti i ushtrive
me dhunë do t'i presë degët,
më të lartat do të priten,
majat do të shkurtohen.
34Pyllin e dendur do ta presë me sëpatë,
Libani do të bjerë me gjithë madhështinë e tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 10: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr