Dora e ZOTIT ishte mbi mua. Me anë të shpirtit të ZOTIT më shpuri e më vendosi në mes të luginës që ishte plot me eshtra. Ai më solli rreth tyre dhe, ja, kishte aq shumë mbi sipërfaqen e luginës dhe ishin aq të thata. Ai më tha: «Bir i njeriut, a mund të ngjallen këto eshtra?». Unë u përgjigja: «Zoti im, ZOT, ti e di». Atëherë më tha: «Profetizoju këtyre eshtrave e thuaju: o eshtra të thata, dëgjojeni zërin e ZOTIT. Kështu u thotë Zoti im, ZOTI, këtyre eshtrave: ja, unë do të shtie shpirtin në ju e ju do të ngjalleni. Do të vë në ju deje, do të vë mbi ju mish, do t'ju mbuloj me lëkurë, do të fus në ju shpirtin e ju do të ngjalleni. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam ZOTI».
Unë profetizova siç më ishte urdhëruar. Teksa profetizoja, pati kërcëllitje. Dhe, ja, drithërima! Eshtrat u afruan asht me asht. Unë pashë dhe, ja, dejet e mishi u vendosën mbi to dhe u mbuluan me lëkurë përsipër, por shpirt nuk kishin. Pastaj më tha: «Profetizoji shpirtit! Profetizo, bir i njeriut, e thuaji shpirtit se kështu thotë Zoti im, ZOTI: eja nga të katër erërat, o shpirt, e fryj mbi këta të vrarë, që të ngjallen». Unë profetizova siç më kishte urdhëruar. Atëherë shpirti erdhi tek ato. U ngjallën e u ngritën më këmbë. Ishte një ushtri tejet, tejet e madhe.
Atëherë më tha: «Bir i njeriut, këto eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ja, ata thonë: na janë tharë eshtrat, na u fishk shpresa e jemi këputur. Prandaj profetizo e thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ja tek po i hap varret tuaja dhe do t'ju ngre nga varret, o populli im. Do t'ju çoj në tokën e Izraelit e do ta merrni vesh se unë jam ZOTI, pasi t'ju zhgropos e pasi t'ju ngre nga varret, o populli im. Do të vë shpirtin tim në ju, ju do të ngjalleni e unë do t'ju vendos në tokën tuaj. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam ZOTI. Fola e kështu do të veproj, kumton ZOTI».