Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 37:1-14

Ezekieli 37:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Dora e ZOTIT ishte mbi mua. Me anë të shpirtit të ZOTIT më shpuri e më vendosi në mes të luginës që ishte plot me eshtra. Ai më solli rreth tyre dhe, ja, kishte aq shumë mbi sipërfaqen e luginës dhe ishin aq të thata. Ai më tha: «Bir i njeriut, a mund të ngjallen këto eshtra?». Unë u përgjigja: «Zoti im, ZOT, ti e di». Atëherë më tha: «Profetizoju këtyre eshtrave e thuaju: o eshtra të thata, dëgjojeni zërin e ZOTIT. Kështu u thotë Zoti im, ZOTI, këtyre eshtrave: ja, unë do të shtie shpirtin në ju e ju do të ngjalleni. Do të vë në ju deje, do të vë mbi ju mish, do t'ju mbuloj me lëkurë, do të fus në ju shpirtin e ju do të ngjalleni. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam ZOTI». Unë profetizova siç më ishte urdhëruar. Teksa profetizoja, pati kërcëllitje. Dhe, ja, drithërima! Eshtrat u afruan asht me asht. Unë pashë dhe, ja, dejet e mishi u vendosën mbi to dhe u mbuluan me lëkurë përsipër, por shpirt nuk kishin. Pastaj më tha: «Profetizoji shpirtit! Profetizo, bir i njeriut, e thuaji shpirtit se kështu thotë Zoti im, ZOTI: eja nga të katër erërat, o shpirt, e fryj mbi këta të vrarë, që të ngjallen». Unë profetizova siç më kishte urdhëruar. Atëherë shpirti erdhi tek ato. U ngjallën e u ngritën më këmbë. Ishte një ushtri tejet, tejet e madhe. Atëherë më tha: «Bir i njeriut, këto eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ja, ata thonë: na janë tharë eshtrat, na u fishk shpresa e jemi këputur. Prandaj profetizo e thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ja tek po i hap varret tuaja dhe do t'ju ngre nga varret, o populli im. Do t'ju çoj në tokën e Izraelit e do ta merrni vesh se unë jam ZOTI, pasi t'ju zhgropos e pasi t'ju ngre nga varret, o populli im. Do të vë shpirtin tim në ju, ju do të ngjalleni e unë do t'ju vendos në tokën tuaj. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam ZOTI. Fola e kështu do të veproj, kumton ZOTI».

Ezekieli 37:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka. Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata. Më tha: "Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?". Unë u përgjigja: "O Zot, o Zot, ti e di". Më tha akoma: "Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit. Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni. Do të vë mbi ju mishin, do t'ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti". Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës. Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato. Atëherë ai më tha: "Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë". Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe. Pastaj më tha: "Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: "Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur". Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t'ju çoj përsëri në vendin e Izraelit. Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im. Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t'ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë", thotë Zoti.