Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 37

37
Eshtrat e thata
1Dora e Zotit ishte mbi mua. Me anë të shpirtit të Zotit më shpuri e më vendosi në mes të luginës që ishte plot me eshtra. 2Ai më solli rreth tyre dhe, ja, kishte aq shumë mbi sipërfaqen e luginës dhe ishin aq të thata. 3Ai më tha: «Bir i njeriut, a mund të ngjallen këto eshtra?». Unë u përgjigja: «Zoti im, Zot, ti e di». 4Atëherë më tha: «Profetizoju këtyre eshtrave e thuaju: o eshtra të thata, dëgjojeni zërin e Zotit. 5Kështu u thotë Zoti im, Zoti, këtyre eshtrave: ja, unë do të shtie shpirtin në ju e ju do të ngjalleni. 6Do të vë në ju deje, do të vë mbi ju mish, do t'ju mbuloj me lëkurë, do të fus në ju shpirtin e ju do të ngjalleni. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti».
7Unë profetizova siç më ishte urdhëruar. Teksa profetizoja, pati kërcëllitje. Dhe, ja, drithërima! Eshtrat u afruan asht me asht. 8Unë pashë dhe, ja, dejet e mishi u vendosën mbi to dhe u mbuluan me lëkurë përsipër, por shpirt nuk kishin. 9Pastaj më tha: «Profetizoji shpirtit! Profetizo, bir i njeriut, e thuaji shpirtit se kështu thotë Zoti im, Zoti: eja nga të katër erërat, o shpirt, e fryj mbi këta të vrarë, që të ngjallen». 10Unë profetizova siç më kishte urdhëruar. Atëherë shpirti erdhi tek ato. U ngjallën e u ngritën më këmbë. Ishte një ushtri tejet, tejet e madhe.
11Atëherë më tha: «Bir i njeriut, këto eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ja, ata thonë: na janë tharë eshtrat, na u fishk shpresa e jemi këputur. 12Prandaj profetizo e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja tek po i hap varret tuaja dhe do t'ju ngre nga varret, o populli im. Do t'ju çoj në tokën e Izraelit 13e do ta merrni vesh se unë jam Zoti, pasi t'ju zhgropos e pasi t'ju ngre nga varret, o populli im. 14Do të vë shpirtin tim në ju, ju do të ngjalleni e unë do t'ju vendos në tokën tuaj. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Fola e kështu do të veproj, kumton Zoti».
Bashkimi i Izraelit
15Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 16«Bir i njeriut, merr një copë dru e shkruaj në të: “Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, ortakë me të”. Pastaj merr një tjetër copë druri e shkruaj në të: “Për Jozefin, pemën e Efraimit, dhe për tërë shtëpinë e Izraelit, ortake me të”. 17Pastaj afroi me njëri-tjetrin, që të bëhen një dru i vetëm, një i vetëm në dorën tënde. 18Kur të të pyesin bijtë e popullit tënd: a nuk do të na tregosh ç'kuptim kanë këto për ty? 19Ti thuaju: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e marr drurin e Jozefit me fiset e Izraelit, ortakët e tij, që është në dorën e Efraimit, dhe do ta vë në drurin e Judës, për t'i bërë një dru të vetëm. Do të bëhen një gjë e vetme në dorën time. 20Kur të kesh në dorë drurët mbi të cilët do të kesh shkruar, para syve të tyre, 21thuaju: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do t'i marr bijtë e Izraelit nga bijtë e kombeve ku kanë shkuar, do t'i mbledh anembanë e do t'i sjell në tokën e tyre. 22Do t'i bëj një komb të vetëm në vend, nëpër malet e Izraelit. Një mbret i vetëm do të jetë mbret mbi të gjithë ata. Nuk do të jenë më dy kombe e nuk do të jenë më të ndarë në dy mbretëri. 23Nuk do të përdhosen më me idhujt e me pështirësitë e tyre apo me çfarëdo shkelje të tyren. Unë do t'i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë me të cilat kanë mëkatuar e do t'i pastroj. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre.
24Shërbëtori im, Davidi, do të jetë mbret mbi ta e do të kenë një bari të vetëm. Do të ecin sipas vendimeve të mia dhe do t'i dëgjojnë e do t'i zbatojnë rregullat e mia. 25Do të banojnë në tokën që i dhashë shërbëtorit tim Jakobit, ku banuan etërit tuaj. 26Do të bëj me ta besëlidhje paqeje. Do të jetë besëlidhje e amshuar. Do t'i vendos në tokën e tyre, do t'i shumoj e do ta vendos shenjtëroren time mes tyre përgjithmonë. 27Tek ata do të jetë banesa ime. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. 28Atëherë kombet do ta marrin vesh se unë jam Zoti, që e shenjtëron Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë mes tyre përgjithmonë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 37: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë