Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 36

36
1«Kështu, Becaleli, Oholiabi dhe tërë ata të cilëve Zoti u dha urti e dituri për të kryer çdo punë në ndërtimin e shenjtërores, do të bëjnë gjithçka që ka urdhëruar Zoti».
Dhuratat për shenjtëroren
2Atëherë Moisiu thirri Becalelin, Oholiabin dhe çdo njeri të cilit Zoti i kishte dhënë urti dhe që ishte treguar i gatshëm të punonte. 3Ata i morën nga Moisiu tërë dhuratat që izraelitët kishin sjellë për të ndërtuar shenjtëroren. Por populli vazhdoi të kushtonte vullnetarisht mëngjes për mëngjes. 4Prandaj, secili nga mjeshtrat që po ndërtonte shenjtëroren, u kthye nga puna dhe 5i tha Moisiut: «Populli po sjell më shumë se ç'duhet për punën që Zoti urdhëroi të bëhet». 6Atëherë Moisiu dha urdhër dhe lajmi u përhap në fushim që asnjë burrë apo grua, të mos dhurojë më për ndërtimin e shenjtërores. Kështu, populli ndaloi së dhuruari, 7sepse ato që kishin sjellë ishin më se të mjaftueshme për tërë punën.
Ndërtimi i tendës
8Atëherë tërë punëtorët mjeshtra e bënë tendën me dhjetë pëlhura liri të tjerra hollë. Ajo u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur e u qëndis mjeshtërisht me kerubë. 9Çdo pëlhurë ishte njëzet e tetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të gjitha pëlhurat kishin të njëjtat përmasa.
10Pesë nga pëlhurat u qepën me njëra-tjetrën si një copë e vetme, po kështu u bë edhe me pesë të tjerat. 11Pastaj punuan vjegëza me ngjyrë vjollcë në anën e fundit të njërës copë dhe po kështu u bënë në anën e copës tjetër. 12Pesëdhjetë vjegëza u bënë në njërën copë dhe pesëdhjetë në anën e copës tjetër. Vjegëzat e të dyja copave përkonin me njëra-tjetrën. 13Punuan edhe pesëdhjetë grremça të artë, që të mbërthenin me to copat me njëra-tjetrën. Kështu, tenda u bë njëcopëshe.
14Pastaj bënë një mbulesë me njëmbëdhjetë pëlhura me lesh dhie për ta vënë mbi tendë. 15Çdo pëlhurë ishte tridhjetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtat përmasa. 16Pesë nga pëlhurat u qepën si një copë e vetme dhe po kështu u bë me gjashtë të tjerat. 17Pesëdhjetë vjegëza u bënë në fundin e njërës copë dhe po pesëdhjetë u bënë në fundin e copës tjetër. 18Punuan edhe pesëdhjetë grremça bronzi për të mbërthyer tendën që ajo të ishte njëcopëshe. 19E mbuluan tendën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe dhe mbi të vunë një mbulesë tjetër me lëkurë të çmuar.
20Pastaj bënë dërrasat e tendës me dru akacieje dhe i ngulën drejt. 21Çdo dërrasë ishte dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. 22Dërrasat kishin nga dy kunja që të mbërtheheshin me njëra-tjetrën. Kështu u punuan tërë dërrasat e tendës. 23Njëzet u vunë në krahun jugor. 24Dyzet baza argjendi u punuan që të viheshin poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. 25Edhe në krahun tjetër të tendës, atë të veriut, u vunë njëzet dërrasa 26dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. 27Ndërsa në krahun e pasmë, atë të perëndimit, vunë gjashtë dërrasa. 28Pastaj bënë dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. 29Ato ishin të ndara poshtë, por të bashkuara sipër me një rreth. Kështu u bë me dërrasat e të dyja këndeve. 30Gjithsej ishin tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë.
31Pastaj bënë traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, 32pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. 33Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, ishte e gjatë nga cepi në cep. 34Dërrasat e traversat u praruan dhe u bënë rrathë të artë për të mbajtur traversat.
35Pastaj bënë një vel prej liri të tjerrë hollë. Veli u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe u qëndis mjeshtërisht me kerubë. 36Për velin bënë katër shtylla me dru akacieje. Shtyllat u praruan dhe vunë grremça të artë. Pastaj shkrinë katër baza të argjendta për to. 37Në hyrje të tendës bënë një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. 38Për perden bënë pesë shtylla me grremça. Kokat e shtyllave e shtizat i praruan, ndërsa bazat i bënë bronzi.

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 36: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr