Dalja 37
37
Arka
1Becaleli e bëri arkën me dru akacieje. Ajo ishte dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. 2E praroi me ar të pastër si brenda, edhe jashtë dhe i punoi një kornizë të artë përreth. 3Shkriu katër rrathë të artë për të katër këmbët, dy në njërin krah e dy në krahun tjetër. 4Pastaj punoi shufra me dru akacieje e i praroi. 5Shufrat i kaloi nëpër rrathë, në krahë të arkës për ta mbartur. 6Bëri edhe një kapak me ar të pastër. Kjo është pajtimorja. E bëri dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. 7Punoi dy kerubë të artë dhe i farkëtoi në të dyja anët e pajtimores. 8Njëri ishte në njërin skaj e tjetri në skajin tjetër. Kerubët ishin një me pajtimoren, në të dyja skajet e saj. 9Krahët i kishin të shtrirë lart e me to mbulonin pajtimoren. Ishin përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja.
Tryeza
10Pastaj bëri tryezën me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. 11E praroi me ar të pastër dhe i bëri një kornizë të artë përreth. 12Vuri përreth tryezës një buzë një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëri një kornizë të artë. 13Pastaj shkriu katër rrathë të artë dhe i vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. 14Ato ishin pranë buzës së tryezës që shufrat të kalonin për të mbartur tryezën. 15Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi që, me to, të mbartet tryeza. 16Enët e tryezës, tasat, kupat, brokat e kanat që përdoren për fli stërpikjeje i bëri prej ari të pastër.
Shandani
17Pastaj bëri shandanin me ar të pastër. Bazën dhe trungun e shandanit e farkëtoi. Kupat, sythat dhe fletët ishin një me shandanin. 18Nga trungu i shandanit dilnin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. 19Dega e parë kishte tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë e kështu me radhë të gjashtë degët që dilnin nga shandani. 20Trungu i shandanit kishte katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. 21Pastaj punoi një syth poshtë dy degëve të para që dilnin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dilnin nga shandani. 22Sythat dhe degët ishin një me shandanin. I tëri u farkëtua si një trup i vetëm prej ari të pastër. 23Shtatë llambat, mashat dhe kacitë i bëri me ar të pastër. 24Për të punuar shandanin dhe tërë enët e tij u përdorën tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër.
Altari i temjanit
25Pastaj bëri altarin për të djegur temjan. E punoi me dru akacieje dhe e bëri katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët ishin një me altarin. 26Praroi me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Pastaj punoi një kornizë të artë përreth 27dhe poshtë saj bëri nga dy rrathë të artë në të dyja anët. I vendosi në të dy krahët e altarit që shufrat të shkohen për ta mbartur. 28Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi.
29Pastaj përgatiti vajin e shenjtë të vajosjes dhe temjanin e pastër erëkëndshëm, një parfum i përzier me mjeshtëri.
Aktualisht i përzgjedhur:
Dalja 37: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020