Dalja 30
30
Altari i temjanit
1«Bëj një altar për të djegur temjan. Punoje me dru akacieje. 2Bëje katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët të jenë një me altarin. 3Praroji me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Punoji një kornizë të artë përreth 4dhe poshtë saj bëj nga dy rrathë të artë në të dyja anët. Vendosi në të dy krahët e altarit, që të futen shufrat për ta mbartur. 5Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. 6Vendose altarin para velit që ndan arkën e dëshmisë dhe pajtimoren mbi të. Atje do të të takoj. 7Aroni të djegë temjan erëkëndshëm mbi të. Këtë ta bëjë çdo mëngjes kur përgatit llambat e shandanit 8dhe çdo mbrëmje kur i ndez ato. Kështu, do të digjet përherë temjan para Zotit, brez pas brezi. 9Mos kushtoni çfarëdolloj temjani mbi të, as fli shkrumbimi, as fli drithi e as fli stërpikjeje. 10Një herë në vit, Aroni do t'i lyejë brirët e altarit me gjak, që altari të shlyhet me gjakun e flisë për mëkatin që bëhet një herë në vit për shlyerjen e mëkatit. Kjo të bëhet brez pas brezi. Altari është tejet i shenjtë për Zotin».
Regjistrimi i popullsisë
11 Zoti i tha Moisiut: 12«Kur të regjistrosh numrin e izraelitëve, secili t'i paguajë Zotit shpagim për jetën e vet. Kështu nuk do të dënoheni me plagë kur të bëhet numërimi. 13Ata që regjistrohen do të japin gjysmë sikle argjendi, gjashtë gramë sipas peshës së shenjtërores. Kjo do t'i kushtohet Zotit si dhuratë. 14Të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart do t'i kushtojnë Zotit këtë dhuratë. 15I pasuri të mos japë më shumë e as i varfri më pak se gjysmë sikle. Ato kushtojani si dhuratë Zotit për të shlyer jetën tuaj. 16Merre shumën e shlyerjes nga izraelitët dhe vëre në shërbim të tendës së takimit. Kjo do t'iu shërbejë si përkujtimore para Zotit dhe si shlyerje për jetën e tyre».
Legeni
17 Zoti i tha Moisiut: 18«Bëj një legen bronzi me bazë bronzi që të përdoret për të larë. Vendose mes tendës së takimit e altarit dhe mbushe me ujë. 19Aroni me bijtë e tij ta përdorin për të larë duart e këmbët. 20Ata të lahen me ujë, që të mos vdesin kur të hyjnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shkrumbuar fli zjarri për Zotin. 21T'i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin. Ky është rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi».
Vaji dhe temjani
22 Zoti i tha Moisiut: 23«Nga erëzat më të mira merr: pesëqind sikla mirrë, dyqind e pesëdhjetë sikla kanellë erëkëndshme, dyqind e pesëdhjetë sikla kallam erëkëndshëm, 24pesëqind sikla kasi, sipas peshës së shenjtërores, dhe katër litra vaj ulliri. 25Përgatit me to vajin e shenjtë të vajosjes, që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri. Ky do të jetë vaji i shenjtë për vajosje. 26Me të vajos tendën e takimit, arkën e dëshmisë, 27tryezën me enët përkatëse, shandanin me pajisjet përkatëse, altarin e temjanit, 28altarin e flive të shkrumbimit me enët përkatëse dhe legenin bashkë me bazën. 29Shenjtëroji dhe ato do të jenë tejet të shenjta. Kushdo që i prek do të shenjtërohet. 30Vajose edhe Aronin me bijtë e tij, shenjtëroji, që të më shërbejnë si priftërinj. 31Ndërsa izraelitëve thuaju: “Ky është vaji im i shenjtë që përdoret për vajosje brez pas brezi. 32Prandaj mos e përdorni për të vajosur këdo dhe as mos përgatitni vaj me të njëjtën përmbajtje. Ai është vaj i shenjtë dhe ju, duhet ta mbani si të tillë. 33Kush përgatit një vaj të tillë apo e përdor për të vajosur dikë që nuk është prift do të zhbihet prej popullit”».
34 Zoti i tha Moisiut: «Merr këto erëra të mira: storaks, guaska aromatike e galban. Merr të njëjtën sasi për secilën dhe përzieje me kem të pastër. 35Përgatit me to temjanin që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri, i kripur, i pastër dhe i shenjtë. 36Thërrmoje një pjesë dhe bëje pluhur që ta vendosësh para dëshmisë, në tendën e takimit ku unë do të të takoj. Temjani të jetë tejet i shenjtë për ju. 37Prandaj, mos përgatitni për vete temjan të tillë, sepse është i shenjtë për Zotin. 38Kush përgatit një temjan të tillë për t'i mbajtur erë, të zhbihet prej popullit».
Aktualisht i përzgjedhur:
Dalja 30: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020