Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kuvendari 12

12
1Kujtohu për krijuesin tënd
në ditët e rinisë sate,
ende pa ardhur ditët e liga,
vitet për të cilat do të thuash:
«Nuk më japin asnjë kënaqësi!»,
2pa u errur dielli, drita, hëna e yjet,
pa u kthyer retë pas shiut,
3kur të dridhen rojat e shtëpisë,
kur të përkulen trimat e të ndalen bluajtësit,
ngaqë janë pakësuar,
kur të ngrysen ata që vështrojnë nga dritaret,
4kur të mbyllen dyert në rrugë,
pasi të shuhet zhurma e bluarjes,
zogjtë e ulin zërin
dhe këngëtaret tulaten.
5Edhe nga lartësitë do të kenë frikë
e tmerr nëpër rrugë.
Do të lulëzojë bajamja,
do të zvarritet karkaleci,
do të dështojë kopri,
se njeriu do të shkojë në banesën e amshuar,
ndërsa vajtuesit enden nëpër rrugë,
6para se të këputet litari i argjendtë
e të thërrmohet kupa e artë,
para se të thyhet shtamba te burimi
e të copëtohet çikriku në sternë,
7para se të kthehet pluhuri në tokë, siç kishte qenë,
e shpirti të kthehet te Perëndia që e kishte dhuruar.
8Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari,
gjithçka është tymnajë.
9Përveçse qe i urtë, kuvendari i mësoi popullit dijen. Ai dëgjoi, shqyrtoi e renditi shumë fjalë të urta.
10Kuvendari u përpoq të gjente fjalë të hijshme e shkroi drejt fjalë të vërteta.
11Fjalët e të urtëve janë si thumbues. Si gozhdë të ngulura mirë janë përmbledhjet e thënieve. Janë dhënë nga një bari i vetëm. 12Përtej këtyre, biri im, ki kujdes. Nuk ka fund përgatitja e librave të shumtë. Hulumtimi i shumtë e mundon trupin.
13Si përfundim, pasi u dëgjuan të gjitha, druaje Perëndinë e zbato urdhërimet e tij, se kjo është gjithçka për njeriun. 14Se Perëndia do të gjykojë çdo vepër e çdo të fshehtë, të mirë apo të keqe.

Aktualisht i përzgjedhur:

Kuvendari 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr