Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 32

32
1«Mba vesh, o qiell, se do të flas,
dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime.
2U derdhtë mësimi im si shiu,
pikoftë kumti im si vesa,
si pikëlimi mbi bar,
si rrebeshi mbi livadh.
3Emrin e Zotit do ta shpall.
Madhërojeni Perëndinë tonë!
4Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij,
të drejta të gjitha udhët e tij.
Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi.
I drejtë e i vërtetë është ai.
5Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij
e për faj të vet bij të tij nuk janë.
6A kështu ia shpërblen Zotit,
o popull i marrë e i pamend?
A s'është ati yt, që të krijoi,
ai që të bëri e të themeloi?
7Kujto kohët e moçme,
shqyrto vitet e breznive të hershme,
pyet tët atë e ai do të të tregojë,
pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë.
8Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi,
kur njerëzimin ai e ndau,
kufijtë e popujve i caktoi,
sipas numrit të bijve të Izraelit.
9Pjesë e Zotit është populli i tij,
Jakobi, trashëgimia e tij.
10E gjeti në një vend të shkretë,
në një djerrinë ku humbëtira jehon.
E përqafoi e për të u kujdes,
e ruajti si beben e syrit.
11Porsi shqiponja që folenë vrojton,
e mbi zogjtë e saj flatron.
Zoti krahët i shtriu, e kapi,
e mbi vete e mbarti.
12I vetëm Zoti e udhëhoqi,
asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të.
13E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut
e prodhime fushe ai hëngri.
E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi,
me vaj prej shkrepit të strallit,
14me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh,
me dhjamë qengjash e deshësh,
me qe Bashani e cjep,
bashkë me drithë të përzgjedhur.
Gjak rrushi, ti porsi verë pive.
15Por Jeshuruni#32.15 të tjerë: Jakobi u ngop, Jeshuruni u majm u majm e hodhi vickla,
u majm, u dend e u trash,
harroi Perëndinë që e krijoi,
përçmoi shkëmbin që e shpëtoi.
16E bënë xheloz, me hyjni të huaja,
me poshtërsi e ngucën.
17U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë,
perëndive që s'i njihnin,
perëndive të sapoardhur,
që as etërit tuaj nuk i kishin frikë.
18Shkëmbin që të lindi e harrove,
e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë.
19 Zoti e pa dhe i përbuzi,
se e ngucën bijtë e bijat e veta.
20“Do ta fsheh fytyrën”, tha,
“Do të shoh ç'fund do të kenë,
se janë brezni e mbrapshtë,
fëmijë të pabesë.
21Me perëndi të paqena më bënë xheloz,
me kotësi më ngucën.
Ndaj dhe unë, xhelozë do t'i bëj,
me një popull të paqenë,
e me një komb të pamend do t'i nguc.
22Se flakë m'u ndez zemërimi,
flakë që djeg skëterrën thellë,
që përzhit tokë e fryt,
që me themel malet i shkrumbon.
23Me ligësi do t'i kaploj,
shigjetat mbi ta do t'i shteroj.
24Do të veniten nga uria,
do të sharrojnë nga murtaja
e nga i hidhuri shfarim.
Do të çoj bisha për t'i shqyer me dhëmbë,
bashkë me helmin e zvarritësit të pluhurit.
25Do t'i grijë përjashta shpata
e brenda lemeria,
të riun, edhe vashën,
foshnjën bashkë me burrin plak.
26Copë-copë, thashë t'i bëja,
fshirë nga kujtesa e njerëzve,
27por druaj se armiqtë do të mburreshin,
do të gënjeheshin kundërshtarët e do të thoshin:
‘Dora jonë, ajo ngadhënjeu,
të gjitha këto nuk i bëri Zoti’”.
28Popuj ku arsyeja ka marrë fund,
ku gjykimi s'ka më vend.
29Në ishin të urtë, do ta kuptonin,
do ta merrnin vesh fundin që i pret.
30Si mundet njëri të ndjekë një mijë
e dy të zmbrapsin mijëra,
po mos qe Shkëmbi që i shiti,
Zoti që i dorëzoi?
31Se shkëmbi i tyre s'është si i yni,
kështu mendojnë edhe armiqtë tanë.
32Hardhia e tyre, hardhi Sodome,
prej vreshtave të Gomorrës.
Rrushi i tyre, rrush helmi,
vilet të hidhura i kanë.
33Vera e tyre, vrer gjarpërinjsh,
helm i tmerrshëm shlligash.
34A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes,
a nuk i kam kyçur në visaret e mia?
35Derisa të vijë dita#32.35 të tjerë: Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi e hakmarrjes dhe e shpagimit,
derisa këmba t'u rrëshqasë,
se afër është dita e shkatërrimit,
fati i tyre shpejt nxiton.
36 Zoti do të bëjë drejtësi për popullin e tij,
do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij,
kur të shohë se e lanë fuqitë
e se s'ka më rob e të lirë.
37Veçse ai do të thotë:
“Ku janë perënditë e tyre,
shkëmbi ku kërkonin strehë,
38ata që hëngrën dhjamin e flijuar
dhe pinë verën e blatuar?
Të ngrihen, pra, e t'ju shpëtojnë,
ata t'ju strehojnë”.
39Shikoni, pra, se unë
e vetëm unë jam Perëndi,
e krah meje s'ka tjetër.
Unë vras e kthej në jetë,
unë gjymtoj e shëroj.
Prej meje s'ka kush të të shpëtojë.
40Dorën ngre drejt qiellit e betohem:
“Pasha jetën time të amshuar,
41do ta mpreh shpatën që vezullon,
do ta rrokë dora ime gjykimin,
do t'u hakmerrem armiqve,
e hasmit do t'ia shpërblej.
42Me gjak do t'i deh shigjetat e mia,
me mish shpatën do ta ngop,
me gjakun e të vrarëve e të robërve,
me kokat e prijësve armiq”.
43Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij,
se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij,
kundërshtarëve ua shpërbleu,
e shleu tokën e popullit të tij».
44Atëherë Moisiu shkoi bashkë me Hosenë, birin e Nunit dhe këndoi të gjithë këtë këngë, që populli ta dëgjonte. 45Kur e mbaroi këngën para gjithë Izraelit, 46Moisiu u tha: «Thadrojini në zemër të gjitha këto fjalë që unë po i dëshmoj sot kundër jush. Urdhërojini fëmijët, që t'i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji, 47sepse nuk janë të kota. Falë kësaj fjale do të jetoni e do të rroni gjatë në tokën që do të trashëgoni përtej Jordanit».
Vdekja e Moisiut
48Po atë ditë Zoti i tha Moisiut: 49«Ngjitu në malin Abarim, në malin Nebo që është në tokën e Moabit, përballë Jerikosë e shikoje tokën e Kanaanit që po u jap izraelitëve për ta pushtuar. 50Do të vdesësh në malin ku do të ngjitesh. Atje do të bashkohesh me të parët e tu, siç vdiq Aroni në malin Hor e u bashkua me të parët e vet. 51Ju u treguat të pabesë ndaj meje, në mes të izraelitëve, tek ujërat e Meribë Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit, se nuk më shenjtëruat në mes të izraelitëve. 52Do ta shohësh tokën nga larg, por nuk do të hysh në të, në vendin që unë po u jap izraelitëve».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i përtërirë 32: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë