Ligji i përtërirë 22
22
Rregulla të ndryshme
1«Kur has kaun ose delen e të afërtit, që enden rrugëve, mos bëj sikur nuk i sheh, por merri e çoja. 2Nëse i zoti nuk banon pranë e ti nuk e njeh, merri në shtëpi, mbaji derisa ai t'i kërkojë e atëherë ktheja. 3Kështu vepro edhe me gomarin, rrobën apo gjithçka të humbur që gjen. Mos bëj sikur nuk i sheh.
4Kur has gomarin ose kaun e të afërtit të rrëzuar në rrugë, mos bëj sikur nuk sheh, por ndihmoje ta ngrejë.
5Gruaja të mos mbajë rroba burrash e as burri të mos vishet me rroba grash, sepse kushdo që bën kështu i neveritet Zotit, Perëndisë tënd.
6Nëse rrugës gjen ndonjë fole me zogj apo me vezë, mbi pemë apo përtokë, dhe mbi to rri e ëma, mos ua merr klloçkën zogjve. 7Lëre klloçkën të lirë, ndërsa zogjtë merri me vete. Kështu, do të të shkojë mbarë e do të jetosh gjatë.
8Kur të ndërtosh një shtëpi të re, bëj edhe një parmak për tarracën, që të mos biesh në gjak nëse dikush bie prej saj.
9Mos mbill fara të ndryshme në vresht, përndryshe i gjithë prodhimi, fryti i vreshtit e fara e hedhur, do të përdoren për kushtim.
10Mos lëro me ka e gomar bashkë.
11Mos vish rroba të thurura me lesh e li bashkë.
12Bëj thekë për katër cepat e mbulojës që hedh krahëve.
Marrëdhëniet bashkëshortore
13Nëse dikush merr grua, fle me të e pastaj e urren, 14shpif për të e i nxjerr nam të keq duke thënë: “Kjo është gruaja që mora për bashkëshorte, por, kur fjeta me të, nuk e gjeta të virgjër”, 15atëherë i ati dhe e ëma e vashës të shkojnë te porta e qytetit dhe të provojnë virgjërinë e vashës para pleqve të qytetit. 16I ati i vashës do t'u thotë pleqve: “Këtij burri ia dhashë bijën time për grua, por ky e urren 17e tani thotë: ‘Bija jote nuk ishte e virgjër’. Ja provat e virgjërisë”. E pastaj do të shtrijnë rrobën para pleqve të qytetit. 18Atëherë pleqtë e qytetit ta marrin të shoqin e ta dënojnë. 19Ta gjobisin me njëqind sikla argjendi e t'ia japin të atit të vashës, sepse i nxori nam të keq një virgjëreshe të Izraelit. Ajo do të mbetet bashkëshortja e tij e ai nuk mund ta ndajë sa të jetë gjallë.
20Nëse është e vërtetë që ajo nuk ishte e virgjër, 21nxirre vashën te dera e shtëpisë së të atit e njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Ajo të dënohet me vdekje, sepse duke kurvëruar në shtëpinë e të atit, bëri diçka të turpshme në Izrael. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.
22Nëse ndonjë burrë kapet në shtrat me të shoqen e dikujt tjetri, dënoji me vdekje të dy, si burrin, edhe gruan. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga Izraeli.
23Nëse dikush gjen në qytet një vashë të virgjër, të fejuar me dikë tjetër, e shkon në shtrat me të, 24nxirri të dy te porta e qytetit e vriti me gurë. Vasha do të dënohet, sepse nuk kërkoi ndihmë në qytet, ndërsa burri do të dënohet, sepse poshtëroi gruan e tjetrit.
25Nëse dikush gjen në fushë një vashë, të fejuar me dikë tjetër, e zë e bie në shtrat me të, atëherë të dënohet me vdekje vetëm burri. 26Vashës nuk do t'i bësh gjë. Ajo nuk ka kryer asnjë mëkat të dënueshëm me vdekje. Ky rast ngjan me vrasjen, kur dikush sulmon të afërtin dhe e vret. 27Ai e gjeti në fushë, vasha e fejuar bërtiti, por askush nuk e shpëtoi.
28Nëse dikush gjen një vashë të virgjër, që nuk është e fejuar, e merr e bie në shtrat me të, pastaj i kapin, 29atëherë burri t'i japë të atit të vashës pesëdhjetë sikla argjendi. Ai do të martohet me vashën, sepse e poshtëroi dhe nuk mund ta ndajë sa të jetë gjallë».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ligji i përtërirë 22: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020