Ligji i përtërirë 21
21
Vrasjet
1«Nëse në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep për të pushtuar gjendet dikush i vrarë përtokë e askush nuk e di se kush e vrau, 2pleqtë dhe gjykatësit të dalin e të llogaritin largësinë mes kufomës dhe qyteteve përreth. 3Pleqtë e qytetit më të afërt të marrin një mëshqerrë që nuk është vënë në punë apo në zgjedhë. 4Pleqtë ta çojnë mëshqerrën në një luginë me ujë të rrjedhshëm, të papunuar e të pambjellë, e atje t'i thyejnë qafën. 5Atëherë do të vijnë priftërinjtë, bijtë e Levit, sepse ata i zgjodhi Zoti, Perëndia yt, që t'i shërbejnë e të bekojnë në emër të Zotit. Fjala e tyre do t'i japë fund çdo zënke e mosmarrëveshjeje. 6Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt të lajnë duart mbi mëshqerrën, të cilës ia thyen qafën në luginë 7e të thonë: “Duart tona nuk e derdhën këtë gjak e sytë tanë nuk panë asgjë. 8Shlyeje, o Zot, fajin e Izraelit, popullit tënd, që e çlirove. Mos ia ngarko Izraelit, popullit tënd, gjakun e pafajshëm”. Kështu faji i gjakderdhjes do t'u shlyhet 9e ti do ta zhdukësh këtë faj nga mesi yt, sepse veprove drejt para Zotit.
Robërit
10Kur të shkosh në luftë kundër armiqve dhe Zoti, Perëndia yt, t'i dorëzon e ti i zë rob, 11nëse sheh mes robërve ndonjë grua të pashme, që e dëshiron dhe e merr për grua, 12atëherë, kur ta sjellësh në shtëpi, ajo ta rruajë kokën, të presë thonjtë 13dhe të heqë rrobat e robërisë. Të rrijë në shtëpinë tënde e të vajtojë të atin e të ëmën për një muaj. Pastaj mund të flesh me të. Ti do të bëhesh burri i saj dhe ajo do të jetë gruaja jote. 14Nëse nuk do të jesh i kënaqur me të, lëre të shkojë e lirë. Nuk do ta shesësh me para e as nuk do ta trajtosh si skllave, sepse tashmë e ke poshtëruar.
Të parëlindurit
15Nëse dikush ka dy gra dhe njërën e do, por tjetrën e urren, dhe nëse të dyja i lindin nga një djalë, por gruaja që urren lind e para, 16kur të vijë koha për të ndarë pasurinë mes fëmijëve, nuk mund ta trajtojë birin e gruas që do sikur të ishte i parëlinduri i gruas që urren. 17Ta pranojë të parëlindurin, birin e gruas që urren, dhe t'i japë dyfishin e gjithçkaje, sepse ai është i fryti i parë i burrërisë së tij dhe atij i përket e drejta e parëlindjes.
Biri i pabindur
18Nëse dikush ka një djalë kokëfortë e të pabindur, që nuk ia dëgjon fjalën të atit apo të ëmës, edhe pasi e qortojnë, 19atëherë i ati dhe e ëma ta marrin të birin e ta çojnë te pleqtë e qytetit, te portat e atij vendi 20e t'u thonë: “Ky, biri ynë, është kokëfortë, i pabindur, nuk na e dëgjon fjalën, është grykës e pijanec”. 21Atëherë të gjithë njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Tërë Izraeli do të dëgjojë e do të ketë frikë.
Rregulla të tjera
22Nëse dikush kryen ndonjë mëkat, që ndëshkohet me vdekje, vritet dhe varet në pemë, 23mos e lër kufomën të varur gjatë natës. Varrose po atë ditë, sepse i varuri është mallkim para Perëndisë. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ligji i përtërirë 21: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020