Danieli (Gr) 4
4
1«Ja, unë, Nabukodonosori jetoja i qetë në shtëpinë time dhe isha i begatë në pallatin tim, 2kur, ja, pashë një ëndërr që më futi frikën. Teksa isha shtrirë në shtratin tim, më shqetësonin pandehmat e mendjes dhe vegimet. 3Pastaj dhashë urdhër të paraqiteshin para meje të gjithë dijetarët e Babilonisë, që të më tregonin shpjegimin e ëndrrës.
4Erdhën shortarët, magjistarët e dijetarët kaldenj të yjeve dhe ua tregova ëndrrën, por ata nuk ma treguan dot shpjegimin e saj. 5Në fund, u paraqit Danieli, që quhet Belteshacar, sipas emrit të perëndisë tim, dhe që ka shpirtrat e perëndive. Unë i tregova ëndrrën e i thashë: 6Belteshacar, ti je kreu i shortarëve. Unë e di se ti ke shpirtin e perëndive të shenjtë dhe asnjë e fshehtë nuk është e vështirë për ty. Ma trego shpjegimin e ëndrrës që pashë. 7Teksa isha shtrirë në shtratin tim, pashë këtë vegim:
Në mes të tokës, ja, ishte një pemë,
lartësia e saj shumë e madhe!
8U rrit pema, e fortë u bë,
maja e saj qiejt preku,
nga skajet e tokës mund të shihej.
9Sa të bukura gjethet e saj,
sa i begatë fryti i saj,
ushqim për të gjithë ajo kishte!
Nën hijen e saj preheshin kafshët e fushës,
në degët e saj folenë kishin zogjtë e qiellit,
prej saj ushqehej çdo gjë e gjallë.
10I shtrirë në shtratin tim
po shikoja vegimet e mendjes sime,
kur, ja, një rojtar i shenjtë,
ia behu prej qiellit!
11Me zë të fortë shpalli e tha:
“Priteni pemën, këputjani degët,
shkundjani gjethet, shpërndajani frutat!
Dëbojini kafshët prej hijes së saj,
shpendët prej degëve të saj!
12Por lëreni trungun me gjithë rrënjë në dhe,
të rrethuar me vargonj hekuri e bronzi,
atje në mes të barit të fushës.
Le ta ujitë vesa e qiellit,
barin e fushës me egërsirat ta ndajë.
13Le t'ia ndryshojnë, pra, zemrën,
që të mos ketë më zemër njeriu,
por zemër kafshe të ketë,
e le të kalojnë mbi të shtatë stinë”.
14Këtë vendim morën rojtarët,
me urdhërin e të shenjtëve u bë kjo,
që të gjallët ta marrin vesh,
se është i Tejlarti ai që sundon
mbi të gjitha mbretëritë njerëzore,
dhe mbretërimin ia jep kujt të dojë,
më të përulurin në krye të saj e lartëson.
15Kjo ishte ëndrra që pashë unë, mbreti Nabukodonosor. E tani ti, o Belteshacar, më trego shpjegimin e saj, sepse askush nga dijetarët e mbretërisë sime nuk mund të ma shpjegojë. Por ti mundesh, sepse ke brenda teje shpirtin e perëndive të shenjtë».
16Atëherë Danieli, që quhej Belteshacar, u tmerrua për një çast dhe mendimet iu trazuan. Por mbreti i tha: «Belteshacar, mos u tmerro prej ëndrrës dhe kuptimit të saj». Belteshacari iu përgjigj: «Imzot, ëndrra jote u plotësoftë mbi armiqtë e tu dhe shpjegimi i saj mbi kundërshtarët e tu! 17Pema që pe, madhështore dhe e fortë, maja e së cilës rrokte qiejt dhe mund të shihej nga e gjithë toka, 18që i kishte gjethet të bukura, që jepte fruta të begatë dhe që kishte ushqim për të gjithë, nën hijen e së cilës preheshin kafshët e fushës dhe në degët e së cilës kishin folenë zogjtë e qiellit, 19ajo pemë je ti, o mbret. Ti je bërë madhështor e i fuqishëm. Madhështia jote ka arritur qiejt dhe sundimi yt është shtrirë deri në skajet e tokës. 20Por, mandej, mbreti pa një rojtar të shenjtë që zbriti prej qiellit e tha: “Priteni pemën dhe shkatërrojeni, por lini në dhe cungun me gjithë rrënjë, rrethuar me vargonj hekuri e bronzi, në mes të barit të fushës. Le ta ujitë vesa e qiellit dhe barin e fushës ta ndajë me egërsirat, derisa të kalojnë mbi të shtatë stinë”. 21Ky është shpjegimi, o mbret, dhe vendimi që ka marrë i Tejlarti për zotërinë tim, mbretin: 22do të dëbohesh nga njerëzia e do të banosh me kafshët e fushës. Do të të japin të hash bar si kau dhe do të lagesh prej vesës së qiellit. Shtatë stinë do të kalojnë mbi ty, derisa ta kesh kuptuar se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë. 23Sa për urdhrin që të lënë trungun bashkë me rrënjët, kjo do të thotë se mbretëria do të të kthehet, kur të pranosh se Sunduesi është qielli. 24Prandaj, o mbret, dëgjoje këshillën time: jepu fund mëkateve e bëj çka është e drejtë. Ndali paudhësitë e tua dhe tregohu i mëshirshëm me të varfrit. Ndoshta kështu do të zgjasë begatia jote».
25Të gjitha këto i ndodhën mbretit Nabukodonosor. 26Pas dymbëdhjetë muajsh, teksa ecte në pallatin e tij mbretëror, 27mbreti tha: «A nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë e ndërtova si kryeqendër të mbretërisë sime me fuqinë e me pushtetin tim, për lavdinë e madhërisë sime?».
28E ndërsa mbreti po fliste ende, erdhi një zë prej qiellit që tha: «Po ta shpall, o mbret Nabukodonosor, mbretërimi t'u hoq! 29Do të të dëbojnë nga njerëzia dhe do të banosh me kafshët e fushës. Do të të japin të hash bar si kau dhe do të lagesh prej vesës së qiellit. Shtatë stinë do të kalojnë mbi ty, derisa ta kesh kuptuar se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë». 30Po atë çast u përmbush fjala e thënë për Nabukodonosorin. E dëbuan nga njerëzia dhe ai hëngri bar si kau. Trupi i tij u lag prej vesës së qiellit, derisa flokët iu zgjatën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e shpendëve.
31Në fund të kohës së caktuar, unë Nabukodonosori, ngrita sytë në qiej e m'u kthye arsyeja. Atëherë bekova të Tejlartin, lavdërova e përlëvdova atë që jeton në amshim e thashë:
sundimi i tij, sundim i amshuar,
mbretërimi i tij brez pas brezi.
32Të gjithë banorët e tokës
hiçgjë janë para tij.
Sipas dëshirës së tij ai vepron
me mbarë ushtritë e qiejve,
me gjithë banorët e tokës.
Askush nuk ia ndal dot dorën,
apo t'i thotë: «Çfarë po bën?».
33Në atë kohë m'u kthye arsyeja dhe, bashkë me lavdinë e mbretërisë, m'u kthye edhe madhështia. Këshilltarët dhe fisnikët e mi më kërkuan dhe unë u vura sërish në krye të mbretërisë sime. Madhështia ime u rrit edhe më tepër.
34Tani, unë, Nabukodonosori, lavdëroj, nderoj e përlëvdoj mbretin e qiejve. Të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe udhët e tij janë të drejta. Ai e ka pushtetin t'i ulë poshtë ata që ecin me krenari.
Aktualisht i përzgjedhur:
Danieli (Gr) 4: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020