Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Danieli (Gr) 3

3
Shtatorja e artë
1Mbreti Nabukodonosor bëri një shtatore prej ari tridhjetë metra të lartë dhe tre metra të gjerë dhe e vendosi në fushën e Durës, në krahinën e Babilonisë. 2Mandej dërgoi që të mblidheshin të gjithë satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit, këshilltarët, krerët e thesarit, gjyqtarët, shkruesit e ligjit dhe të gjithë zyrtarët e krahinave, për përurimin e shtatores që kishte ngritur. 3Kështu, satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit, këshilltarët, krerët e thesarit, gjyqtarët, shkruesit e ligjit dhe të gjithë zyrtarët e krahinave u mblodhën për përurimin e shtatores, që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor, dhe qëndruan para saj. 4Atëherë zëdhënësi thirri me zë të lartë e tha: «Juve, o popuj, kombe e gjuhë, ju jepet ky urdhër: 5kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, atëherë do të përkuleni përtokë e do të adhuroni shtatoren e artë, që ka ngritur mbreti Nabukodonosor. 6Kush nuk do të përkulet për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në furrën e zjarrit përvëlues». 7Kështu, sapo dëgjuan tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, të gjithë popujt e çdo kombi e të çdo gjuhe u përkulën dhe adhuruan shtatoren e artë që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor.
8Por, në atë kohë, disa kaldenj gjetën rastin për të paditur judenjtë. 9Ata u paraqitën te mbreti Nabukodonosor e i thanë: «Rrofsh përgjithmonë, o mbret! 10Ti, o mbret, nxore një urdhër sipas të cilit, të gjithë njerëzit që do të dëgjonin tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, do të përkuleshin dhe do të adhuronin shtatoren e artë, 11dhe se kushdo që nuk do të përkulej për të adhuruar, do të hidhej në furrën e zjarrit përvëlues. 12Por, disa judenj, që ti i ke caktuar si drejtues të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja, nuk të binden, o mbret. Ata nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk e adhurojnë shtatoren e artë që ke ngritur ti».
13Atëherë Nabukodonosori, i tërbuar nga zemërimi, urdhëroi që t'i sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. Kur i sollën para mbretit, 14ai i pyeti e u tha: «A është e vërtetë Shadrak, Meshak dhe Abed Nego, që ju nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk e adhuroni shtatoren që kam ngritur unë? 15Tani, kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, nëse nuk përkuleni për të adhuruar shtatoren që kam bërë unë, do të hidheni menjëherë në furrën e zjarrit përvëlues. Cili perëndi do t'ju shpëtojë prej duarve të mia?».
16Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja iu përgjigjën mbretit Nabukodonosor e i thanë: «Nuk kemi nevojë të të japim asnjë përgjigje për këtë, o mbret. 17Ja, Perëndia, që ne adhurojmë, është në gjendje të na shpëtojë prej furrës së zjarrit përvëlues e të na çlirojë prej dorës sate, o mbret. 18Por, edhe nëse nuk e bën, dije, o mbret, se ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shtatoren e artë që ke ngritur ti».
19Atëherë Nabukodonosori u mbush me zemërim, i ndryshoi fytyra ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos e dha urdhër që ta nxehnin furrën shtatë herë më shumë se zakonisht. 20Mandej urdhëroi disa burra të fuqishëm të ushtrisë së tij, që t'i lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon e t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues. 21Atëherë i lidhën ashtu siç ishin veshur, me tunika, me kapele e me rroba dhe i hodhën në mes të furrës së zjarrit përvëlues. 22Por, meqenëse urdhri i mbretit ishte i ashpër dhe furra ishte tejnxehur, flakët e zjarrit i dogjën ushtarët që hodhën në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. 23Kështu, tre djemtë, Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja, ranë të lidhur në mes të furrës së zjarrit përvëlues.
Lutja e Azarjahut
23aTre djemtë ecnin mes flakëve, i këndonin himne Perëndisë e bekonin Zotin. 23bAtëherë Azarjahu u ngrit për t'u lutur, hapi gojën në mes të zjarrit e tha:
23c«Bekuar qofsh, o Zot, Perëndia i etërve tanë,
i lëvdueshëm e i lavdishëm emri yt në amshim.
23çI drejtë je në gjithçka që ke bërë,
mbarë veprat e tua janë të vërteta,
të drejta udhët e tua,
të vërteta tërë gjykimet e tua.
23dKe marrë vendime të drejta
për gjithçka bëre për ne e për Jerusalemin,
qytetin e shenjtë të etërve tanë.
Gjithçka e bëre me gjykim të drejtë
për shkak të mëkateve tona.
23dhMëkatuam e bëmë paudhësi,
kur u larguam prej teje.
Mëkatuam në gjithçka
e nuk iu bindëm urdhërimeve të tua.
23eAs i mbajtëm, as i zbatuam,
siç na urdhërove për të mirën tonë.
23ëPrandaj, çdo fatkeqësi që na dërgove
e gjithçka që na bëre,
e bëre me gjykim të drejtë.
23fNa dorëzove tek armiqtë tanë,
kundërshtarë të paudhë e të pafe,
tek një mbret i padrejtë,
më i ligu në mbarë tokën.
23gTani nuk guxojmë as të hapim gojën,
turpi e poshtërimi i mbuloi shërbëtorët e tu
dhe ata që të adhurojnë.
23gjMos na braktis përgjithmonë,
për hir të emrit tënd,
mos hiq dorë nga besëlidhja jote.
23hMos e hiq mëshirën tënde prej nesh,
për hir të Abrahamit, të dashurit tënd,
për hir të Isakut, shërbëtorit tënd,
dhe për hir të Izraelit, të shenjtit tënd.
23iAtyre u premtove t'ua shtoje farën
si yjet e qiellit, si rërën e bregut të detit.
23jJemi bërë më të vegjlit e tërë kombeve, o Zot,
jemi sot më të poshtëruarit në mbarë tokën,
për shkak të mëkateve tona.
23kNuk kemi më prijësa, profetë e udhëheqës,
as fli shkrumbimi, fli, kushtime e temjan,
as vend për të të sjellë kushtime
dhe për të gjetur mëshirë.
23lPor, prano zemrën e dërrmuar
dhe shpirtin e përulur,
23llsi fli shkrumbimi deshësh dhe qesh,
si mijëra qengja të majmë.
E tillë qoftë flija jonë para teje sot,
bëna të vijmë pas teje sërish,
se ata që kanë besim te ti
nuk do të turpërohen.
23mE tani të ndjekim me gjithë zemër,
ty të druajmë e fytyrën tënde kërkojmë.
Mos na turpëro,
23npor sillu me ne butësisht,
sipas përdëllimit tënd të madh.
23njShpëtona me mrekullitë e tua,
jepi lavdi emrit tënd, o Zot.
23oU turpërofshin të gjithë
dashakeqët e shërbëtorëve të tu,
mbetshin të turpëruar e të këputur,
fuqia e tyre u dërrmoftë.
23pLe ta dinë se ti je Zoti, Perëndia i vetëm,
i lavdishëm në mbarë botën».
Kënga e tre djemve
23qShërbëtorët e mbretit, që i kishin hedhur në furrë, vazhdonin t'i hidhnin zjarrit naftë, zift, li e rrozga. 23rFlaka ngrihej më lart se njëzet metra përmbi furrë. 23rrAtëherë flaka shpërtheu e dogji të gjithë kaldenjtë që ishin rrotull furrës. 23sBashkë me shokët e Azarjahut, në furrë zbriti edhe një engjëll i Zotit. Ai i dëboi flakët e zjarrit nga furra 23shdhe e bëri vatrën e furrës si një vend të freskuar me vesë. Flaka nuk i preku fare djemtë dhe nuk u shkaktoi as dëmtim, as dhimbje. 23tAtëherë tre djemtë filluan të këndonin himne njëzëri në mes të furrës, të përlëvdonin e të bekonin Perëndinë, duke thënë:
23th«Bekuar qofsh, o Zot, Perëndi i etërve tanë,
i lavdishëm e tejmadhështor në amshim.
Bekuar qoftë emri i shenjtë i lavdisë sate,
i mbilavdishëm e tejmadhështor në amshim.
23uBekuar qofsh në tempullin e lavdisë sate të shenjtë,
i mbilavdishëm e tejmadhështor në amshim.
23vBekuar qofsh në fronin e mbretërisë sate,
i mbilavdishëm e tejmadhështor në amshim.
23xBekuar qofsh, ti që shqyrton humnerat
e që ulesh mbi kerubët,
i lavdishëm e tejmadhështor në amshim.
23xhBekuar qofsh në kubenë qiellore,
i mbilavdishëm e tejmadhështor në amshim.
23yBekojeni Zotin të gjitha ju, o veprat e Zotit,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23zBekojeni Zotin, o engjëjt e Zotit,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23zhBekojeni Zotin, o qiej,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23aaBekojeni Zotin, o ujëra përmbi qiej,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23abBekojeni Zotin të gjithë ju, o pushtete,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23acBekojeni Zotin, diell e hënë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23açBekojeni Zotin, o yjet e qiellit,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23adBekojeni Zotin, shi e vesë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23adhBekojeni Zotin të gjitha ju, o erëra,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23aeBekojeni Zotin, zjarr e vapë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23aëBekojeni Zotin, acar e vapë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23afBekojeni Zotin, vesë e brymë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23agBekojeni Zotin, ngricë e acar,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23agjBekojeni Zotin, breshër e dëborë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23ahBekojeni Zotin, netë e ditë,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23aiBekojeni Zotin, dritë e terr,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23ajBekojeni Zotin, vetëtima e re,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23akToka e bekoftë Zotin,
këndoftë dhe e madhëroftë në amshim.
23alBekojeni Zotin, male e kodra,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23allBekojeni Zotin të gjitha ju, o bimësitë e tokës,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23amBekojeni Zotin, o burime,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23anBekojeni Zotin, dete e lumenj,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23anjBekojeni Zotin, përbindësha e kafshë uji,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23aoBekojeni Zotin mbarë ju, o shpendët e qiellit,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23apBekojeni Zotin mbarë ju, o egërsira e bagëti,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23aqBekojeni Zotin të gjithë ju, o bijtë e njerëzve,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23arBekoje Zotin, o Izrael,
këndo e madhëroje në amshim.
23arrBekojeni Zotin, o priftërinjtë e Zotit,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23asBekojeni Zotin, o shërbërtorë të Zotit,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23ashBekojeni Zotin, o frymë e shpirtra të drejtësh,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23atBekojeni Zotin, o besnikë e zemërpërulur,
këndoni e madhërojeni në amshim.
23athBekojeni Zotin, Hananiah, Azarjah e Mishael,
këndoni e madhërojeni në amshim,
se ai na nxori prej skëterrës,
na çliroi prej vatrës së furrës së zjarrtë
e na shpengoi prej vatrës së zjarrit.
23auPërlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mëshira e tij mbetet në amshim.
23avBekojeni, të gjithë ju që e druani Zotin,
Zotin, Perëndinë e Perëndive,
këndoni e përlëvdojeni,
se mëshira e tij mbetet në amshim».
24Atëherë mbreti Nabukodonosor shtangu, brofi menjëherë në këmbë dhe pyeti këshilltarët e tij: «A nuk hodhëm tre burra të lidhur në mes të flakës?». Ata iu përgjigjën: «Po, o mbret». 25«Si, pra, unë shoh katër burra të palidhur», tha mbreti, «Që ecin në mes të flakës, pa u djegur? Pamja e të katërtit ngjan me një qenie hyjnore».
26Nabukodonosori iu afrua grykës së furrës së zjarrit përvëlues e tha me zë të lartë: «Shadrak, Meshak dhe Abed Nego, ju, o shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë, dilni prej aty dhe ejani!». Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja dolën nga zjarri. 27Satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të parë ata burra dhe, ja, zjarri nuk ua kishte prekur trupat, flokët e kokës nuk ua kishte përcëlluar, nuk ua kishte dëmtuar tunikat dhe, madje, nuk vinin as era zjarr. 28Atëherë Nabukodonosori tha: «Bekuar qoftë Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos, i cili dërgoi engjëllin e tij për të shpëtuar shërbëtorët e tij. Ata patën besim tek ai dhe e shkelën urdhrin e mbretit, por rrezikuan t'u digjeshin trupat dhe nuk u përkulën për të adhuruar perëndi tjetër, përveç Perëndisë së tyre! 29Prandaj kam nxjerrë këtë vendim: cilido popull, komb apo gjuhë që do të flasë kundër Perëndisë së Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos të bëhet copë e çikë dhe shtëpia e tij të kthehet në vend plehrash, se nuk ka tjetër Perëndi që mund të shpëtojë kështu». 30Pas kësaj, mbreti i ngriti në detyrë Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon, në krahinën e Babilonisë.
Ëndrra e pemës së madhe
31Mbreti Nabukodonosor u drejtohet të gjithë popujve, kombeve e gjuhëve që banojnë në mbarë tokën: «U shtoftë paqja juaj! 32M'u duk mirë t'ju bëja të ditur shenjat dhe mrekullitë që bëri për mua Perëndia i tejlartë.
33Sa të mëdha janë shenjat e tij,
sa të fuqishme mrekullitë e tij!
Mbretëri e amshuar mbretëria e tij,
sundimi i tij është brez pas brezi!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Danieli (Gr) 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr