Amosi 5
5
Vajtim për mëkatin e Izraelit
1«Dëgjojeni këtë fjalë, që unë po thur si vajtim kundër jush, o shtëpia e Izraelit!
2Ra e më s'do të ngrihet
virgjëresha e Izraelit.
U harrua në tokën e vet,
s'ka kush ta ngrejë.
3Kështu thotë Zoti, Zoti im:
qytetit që dërgoi në luftë një mijë vetë,
do t'i mbesin vetëm njëqind
e atij që dërgoi njëqind,
do t'i mbesin vetëm dhjetë,
për shtëpinë e Izraelit.
4Kështu thotë Zoti për shtëpinë e Izraelit:
kërkomëni e do të jetoni!
5Mos kërkoni Betelin,
në Gilgal mos shkoni
e as nëpër Bershebë mos kaloni,
se Gilgali vërtet do të shpërngulet,
Beteli do të zhbëhet.
6Kërkoni Zotin e do të jetoni!
Përndryshe do të vërshojë si zjarri
në shtëpinë e Jozefit, do ta përpijë
e s'do të ketë kush ta shuajë zjarrin në Betel.
7O ju që krimbni drejtësinë
e të drejtën hidhni përdhe.
8Ai që bëri Shenjëzat e Orionin,
që kthen terrin në agim
e ditën në natë e terratis,
ai që mbledh ujërat e deteve
e mbi faqen e dheut i dikon,
Zot është emri i tij.
9Ai kundër të fortit shkatërrimin flakëron,
e mbi fortesat rrënimin dërgon.
10O ju, që urreni gjyqtarin në kuvend
e atë që flet të vërtetën përçmoni,
11ngaqë të varfrit i vini taksë#5.11 ose: shtypni
e tagër merrni nga drithi i tij,
shtëpitë prej guri që ndërtuat nuk do t'i banoni,
vreshtat e vyer që mbollët nuk do t'i shijoni.
12I di shkeljet tuaja të shumta,
mëkatet tuaja të mëdha,
o ju, që kundërshtoni të drejtin e merrni mitë,
ju, që vendosni ta hidhni tej të vobektin.
13Ndaj i urti hesht në këtë kohë,
se kohë të liga janë këto.
14Kërkoni të mirën e jo të ligën,
që të jetoni,
që me ju të jetë Zoti, Perëndia i ushtrive,
siç edhe thatë.
15Urreni të ligën, duajeni të mirën,
vendosni drejtësinë në kuvend.
Ndoshta Zoti, Perëndia i ushtrive,
do ta mëshirojë tepricën e Jozefit.
16Ndaj kështu thotë Zoti, Zoti im,
Perëndia i ushtrive,
në çdo shesh do të vihet kujë,
në çdo rrugicë do të thuhet: Mjerë, Mjerë!
Do të thërrasin bujkun, që zi të mbajë,
njehatoret për të vajtuar.
17Në çdo vresht do të dëgjohen vaje,
se mes teje unë do të kaloj,
thotë Zoti.
18Mjerë ata që dëshirojnë ditën e Zotit.
Pse e kërkoni ditën e Zotit?
Ajo është terr e jo dritë!
19Është siç i ndodh atij
që ia mbath prej luanit,
por has arushën,
që hyn brenda në shtëpi,
mbështet dorën në mur
e gjarpri ia kafshon.
20A s'është dita e Zotit errësirë e jo dritë,
terr e jo shkëlqim?
21I urrej, i përçmoj të kremtet tuaja,
festat ku mblidheni nuk më kënaqin.
22E në më kushtofshi fli shkrumbimi,
kushtimet tuaja s'do t'i pranoj,
flitë e majme të paqtimit s'do t'i vështroj.
23Ma hiqni zhurmën e këngëve,
tingullin e lirës nuk e dëgjoj.
24Le të rrjedhë drejtësia si uji,
e drejta porsi përroi që kurrë s'shteron.
25A më sollët kushtime e flijime
dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit?
26Ju lartësoni Sikutin si mbret,
Kijunin si idhull e yllin si hyjni,
që i bëtë për veten tuaj.
27Ndaj do t'ju shpërngul përtej Damaskut, thotë Zoti.
Perëndi i ushtrive është emri i tij».
Aktualisht i përzgjedhur:
Amosi 5: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020