Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 10:1-33

Veprat 10:1-33 AL1

Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë. Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit». Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë. Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit. Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!». Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë». Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi. Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të. Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam». Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit”. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Veprat 10:1-33