Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 10:1-33

Veprat e Apostujve 10:1-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë. Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit». Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë. Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit. Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!». Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë». Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi. Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të. Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam». Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit”. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».

Veprat e Apostujve 10:1-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik; ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë. Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: ''Kornel!''. dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: ''Ç'është, Zot?''. Atëherë engjëlli i tha: ''Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë; tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër. Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh''. Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal, u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jopë. Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t'u lutur. E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë; dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë, dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli. Dhe një zë i tha: ''Pjetër, çohu, ther dhe ha!''. Por Pjetri u përgjigj: ''Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!''. Dhe zëri i tha për të dytën herë: ''Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra''. Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell. Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç'kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera. Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty. Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: ''Ja, po të kërkojnë tre burra. Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t'i kam dërguar''. Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: ''Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?''. Dhe ata i thanë: ''Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t'i thënë''. Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopës e shoqëruan. Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi. Por Pjetri e ngriti duke thënë: ''Çohu, edhe unë jam një njeri!''. Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz. Dhe ai u tha atyre: ''Ju e dini se nuk është e ligjshme që një jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur. Prandaj, sapo më ftuat të vij, erdha pa kundërshtuar. Tani po ju pyes: për ç'arsye më keni dërguar ftesë?''. Dhe Korneli u përgjigj: ''Para katër ditësh kisha agjëruar deri në këtë orë, dhe në orën e nëntë po lutesha në shtëpinë time, kur ja, një njeri me rroba të shndritshme qëndroi para meje, dhe tha: "Kornel, lutja jote t'u plotësua dhe lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë. Dërgo, pra, ndonjë njeri në Jopë dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër; ai ndodhet në shtëpinë e Simonit, regjës lëkurësh, pranë detit; dhe, kur të vijë, ai do të të flasë". Kështu dërgova menjëherë të të thërrasin, dhe ti bëre mirë që erdhe; tani ne këtu jemi të gjithë në prani të Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Perëndia të ka urdhëruar''.