Veprat 10
10
Pjetri e Korneli
1Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. 2Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë.
3Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». 4Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. 5Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. 6Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit#10.6 dorëshk. të tjera edhe: Ai do të të thotë çfarë duhet të bësh». 7Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. 8Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë.
9Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. 10Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. 11Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. 12Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve#10.12 dorëshk. të tjera edhe: egërsirave, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit.
13Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». 14Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». 15Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!».
16Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell.
17Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. 18Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. 19Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. 20Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë».
21Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». 22Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». 23Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi.
Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të. 24Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. 25Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. 26Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam».
27Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. 28Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. 29Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». 30Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh#10.30 dorëshk. të tjera edhe: agjëroja, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. 31Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. 32Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit”#10.32 dorëshk. të tjera edhe: Kur të vijë, ai do të të flasë. 33Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash».
Kombet dëgjojnë ungjillin
34Atëherë Pjetri filloi t'u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. 35Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia. 36Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave. 37Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38dhe tregon sesi Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e shenjtë e me fuqi, sesi ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të. 39Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem.
Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit, 40por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t'i shfaqej 41jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve.
42Jezui na urdhëroi t'i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve. 43Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij».
Kombeve u jepet Shpirti i shenjtë
44Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin. 45Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të shenjtë iu dha edhe kombeve 46dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha: 47«A mund t'ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e shenjtë sikurse edhe ne?». 48Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Veprat 10: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020