Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë. Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit». Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë. Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit. Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!». Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë». Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi. Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të.
Lexo Veprat 10
Dëgjoj Veprat 10
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Veprat 10:1-23
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video