Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 10:1-23

Veprat e Apostujve 10:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në Cezare jetonte një njeri me emrin Kornel. Ai ishte kryeqindës i asaj që quhej kohorta italike. Korneli ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë dhe e druante atë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Ai i jepte shumë lëmoshë popullit dhe i lutej Perëndisë. Një pasdite, rreth orës tre, pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që shkoi tek ai e i tha: «Kornel!». Ia nguli sytë e i frikësuar i tha: «Çfarë ka o Zot?». Engjëlli i tha: «Lutjet e lëmoshët e tua kanë arritur para Zotit dhe ai të ka kujtuar. Dërgo tani në Jopë ndonjë njeri te Simoni që quhet Pjetër. Ai po rri te Simon lëkurëpunuesi që e ka shtëpinë afër detit». Kur u largua engjëlli që foli me të, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e vet ndërsa nga radhët e atyre që i shërbenin thirri një ushtar që ishte i përkushtuar ndaj Perëndisë. Pasi u tregoi gjithçka, i dërgoi në Jopë. Të nesërmen, rreth mesditës, ndërsa ata po ecnin e po i afroheshin qytetit, Pjetri hipi në tarracë për t'u lutur. Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit. Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!». Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë». Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi. Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të.

Veprat e Apostujve 10:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik; ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë. Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: ''Kornel!''. dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: ''Ç'është, Zot?''. Atëherë engjëlli i tha: ''Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë; tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër. Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh''. Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal, u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jopë. Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t'u lutur. E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë; dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë, dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli. Dhe një zë i tha: ''Pjetër, çohu, ther dhe ha!''. Por Pjetri u përgjigj: ''Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!''. Dhe zëri i tha për të dytën herë: ''Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra''. Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell. Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç'kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera. Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty. Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: ''Ja, po të kërkojnë tre burra. Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t'i kam dërguar''. Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: ''Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?''. Dhe ata i thanë: ''Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t'i thënë''. Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopës e shoqëruan.