2 Kronikave 5
5
1Kështu, e tërë puna e mbretit Solomon për ndërtimin e tempullit të Zotit përfundoi. Solomoni solli të gjitha sendet, që ati i tij, Davidi, kishte shenjtëruar për Zotin, argjendin dhe arin, e i vuri në thesarin e tempullit të Perëndisë.
Arka e Zotit çohet në tempull
2Atëherë mbreti Solomon mblodhi në Jerusalem pleqësinë e Izraelit, krerët e fiseve dhe prijësit e popullit të Izraelit, për të mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit nga qyteti i Davidit, që është Sioni. 3Të gjithë izraelitët u mblodhën pranë mbretit për të kremten në muajin e shtatë. 4Kur ishte mbledhur e gjithë pleqësia e Izraelit, levitët ngritën arkën. 5Arkën, tendën e takimit dhe të gjitha pajisjet e shenjta, që ishin në tendë, i mbartën priftërinjtë dhe levitët. 6Mbreti Solomon e mbarë bashkësia e Izraelit, që ishte mbledhur pranë tij, kushtuan para arkës aq shumë dele e qe, sa nuk i numëroje dot. 7Priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Zotit në vendin e saj brenda shenjtërores, në shenjtëroren e shenjtëroreve, dhe e vendosën nën krahët e kerubëve. 8Kerubët i shtrinin krahët mbi vendin ku rrinte arka dhe mbulonin arkën me gjithë shufrat. 9Shufrat e arkës ishin të gjata dhe majat e tyre dukeshin nga përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë aty edhe sot e kësaj dite. 10Brenda në arkë ndodheshin vetëm dy pllakat prej guri, të cilat i kishte futur Moisiu në malin Horeb, atje ku Zoti kishte bërë besëlidhjen me izraelitët, pas daljes nga Egjipti.
Lavdia e Zotit në tempull
11Pastaj priftërinjtë filluan të dilnin nga shenjtërorja. Të gjithë priftërinjtë, që ishin aty, ishin shenjtëruar, pa marrë shumë parasysh rangun. 12Ndërkohë të gjithë këngëtarët levitë, Asafi, Hemani dhe Jedutuni, bijtë dhe vëllezërit e tyre, të veshur me veshje të bardha liri, me cimbale, me harpa dhe me qeste në dorë, qëndronin më këmbë në lindje të altarit. Bashkë me ta ishin njëqind e njëzet priftërinj që u binin borive. 13Ata që u binin borive dhe këngëtarët këndonin në një zë, duke i thurur himne Zotit e duke falënderuar me tingujt e borive, cimbaleve e veglave të tjera muzikore, e duke thënë:
«Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë».
Atëherë, tempulli i Zotit u mbulua nga një re. 14Priftërinjtë nuk mundën të qëndronin më në tempull e të kryenin shërbesën për shkak të resë. Tempullin e Perëndisë e kishte mbushur lavdia e Zotit.
Aktualisht i përzgjedhur:
2 Kronikave 5: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020