2 Kronikave 4
4
Orenditë e tempullit
1Solomoni bëri një altar prej bronzi, që ishte dhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë e pesë metra i lartë. 2Ai punoi edhe një det prej metali të shkrirë që kishte trajtë rrethore dhe gjerësi pesë metra nga buza në buzë. Thellësia e detit prej metali ishte dy metra e gjysmë, ndërsa perimetri ishte pesëmbëdhjetë metra i gjatë. 3Nën buzët e detit të metaltë, përgjatë perimetrit, vareshin dy vargje me figura demash, të derdhura njësh me detin, me nga njëzet dema për metër. 4Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë dema, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti mbështetej mbi kurrizin e demave, që të pasmet i kishin të kthyera për nga brenda. 5Trashësia e detit ishte një pëllëmbë, ndërsa buzët e tij ishin si buzë kupe, në trajtë zambaku. Ai nxinte rreth njëqind e njëzet mijë litra. 6Solomoni bëri edhe dhjetë legenë. Pesë legenë i vuri në të majtë të detit të metaltë dhe pesë në të djathtë. Legenët përdoreshin për larjen e sendeve që shërbenin për flitë e shkrumbimit, ndërsa deti i metaltë përdorej për larjen e priftërinjve.
7Solomoni bëri edhe dhjetë shandanë prej ari, sipas trajtës së duhur, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë. 8Ai bëri edhe dhjetë tryeza dhe i vendosi edhe ato në tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë, si edhe njëqind kupa prej ari. 9Pastaj bëri tremen e priftërinjve, tremen e madhe dhe dyert e tremes, të cilat i veshi me bronz. 10Detin e metaltë e vendosi në anën e djathtë, në juglindje.
11Pastaj Hirami punoi rrethjet, lopatëzat dhe kupat. Kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e Perëndisë. 12Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. 13Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. 14Punoi edhe bazat për legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, 15detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, 16rrethjet, lopatëzat dhe pirunët. Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Huram Abiut për tempullin e Zotit, u punuan me bronz të pastër. 17Mbreti kishte urdhëruar, që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Ceredahut. 18Solomoni bëri aq shumë pajisje, sa nuk u llogaritej pesha.
19Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e Perëndisë: altarin prej ari, tryezën e paraqitjes së bukës, 20shandanët bashkë me llambat prej ari të pastër, që digjeshin në kohën e caktuar brenda shenjtërores, 21gonxhet, llambat dhe mashat prej ari tejet të pastër, 22thikat, kupat, kusitë dhe mangallët prej ari të pastër, si edhe dyert e hyrjes së shenjtërores dhe të anijatës, po prej ari.
Aktualisht i përzgjedhur:
2 Kronikave 4: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020