Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 12

12
Idhujtaria e Rehoboamit
1Kur mbretëria e Rehoboamit u bë më e fortë dhe më e qëndrueshme, ai e mbarë Izraeli e braktisën ligjin e Zotit. 2Për shkak të mëkateve të tyre kundër Zotit, në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit sulmoi Jerusalemin 3me një mijë e dyqind qerre lufte, gjashtëdhjetë mijë kalorës dhe me luftëtarë të panumërt libianë, sukitë dhe kushitë, që kishin ardhur bashkë me të nga Egjipti. 4Shishaku pushtoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe arriti deri në Jerusalem. 5Atëherë profeti Shemajah shkoi te Rehoboami dhe te prijësit e Judës, që ishin mbledhur në Jerusalem për shkak të sulmit të Shishakut, e u tha: «Kështu thotë Zoti: “Ju më latë mua, prandaj edhe unë ju lashë në duart e Shishakut”». 6Atëherë prijësit e Izraelit dhe mbreti u përulën e thanë: «Zoti është i drejtë». 7Kur Zoti e pa përulësinë e tyre, i foli Shemajahut e i tha: «Meqenëse u përulën, nuk do t'i shkatërroj. Pas pak do t'u sjell shpëtimin dhe nuk do ta derdh zemërimin tim mbi Jerusalemin përmes Shishakut. 8Por do të bëhen skllevër të Shishakut, që ta kuptojnë ç'do të thotë të më shërbejnë mua e ç'do të thotë t'u shërbejnë mbretërve të tokës».
9Shishaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin dhe plaçkiti thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. 10Në vend të tyre mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve, që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. 11Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e Zotit, ushtarët vinin e merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët. 12Meqenëse mbreti e përuli veten, Zoti e largoi zemërimin prej tij dhe nuk e shkatërroi plotësisht. Për më tepër, në Judë pati edhe gjëra të mira.
13Mbreti Rehoboam u mëkëmb sërish në Jerusalem dhe vazhdoi të mbretëronte. Rehoboami ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që vetë Zoti e kishte zgjedhur mes fiseve të Izraelit për të vendosur emrin e tij. E ëma e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. 14Rehoboami bëri çka është keq, sepse nuk u dha pas Zotit me gjithë zemër.
15Bëmat e hershme dhe të vonshme të Rehoboamit janë të shkruara në Kronikat e profetit Shemajah dhe në Shënimet e Breznive të Idoit, atij që shihte vegime. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. 16Rehoboami u preh me paraardhësit e tij dhe e varros në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Abijahu.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr