2 Kronikave 11
11
Veprat e Rehoboamit
1Me të mbërritur në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisit i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t'ia kthyer mbretërinë vetes. 2Atëherë Zoti i foli Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: 3«Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë izraelitëve të fisit të Judës e të Benjaminit, 4se kështu thotë Zoti: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e Zotit, u kthyen pas, e nuk e sulmuan Jeroboamin.
5Rehoboami banoi në Jerusalem dhe fortifikoi disa nga qytetet e Judës. 6Qytetet që rindërtoi ishin Betlehemi, Etami, Tekoaja, 7Betcuri, Sokohu, Adulami, 8Gati, Mareshahu, Zifi, 9Adoraimi, Lakishi, Azekahu, 10Corahu, Ajaloni dhe Hebroni. Këto qytete të fortifikuara ndodheshin në krahinën e Judës dhe të Benjaminit. 11Rehoboami përforcoi muret e këtyre qyteteve, caktoi qeveritarë dhe i pajisi me ushqime, me vaj e me verë. 12Në çdo qytet të fortifikuar Rehoboami vendosi armatime shumë të forta shqytesh e heshtash. Kështu, ai sundoi mbi Judën e mbi Benjaminin.
Priftërinjtë dhe Rehoboami
13Priftërinjtë dhe levitët, që banonin në mbarë Izraelin, i lanë trojet tyre dhe iu bashkuan Rehoboamit. 14Levitët i lanë kullotat dhe pronat e u vendosën në Judë dhe në Jerusalem, sepse Jeroboami dhe bijtë e tij i kishin përjashtuar prej shërbesës priftërore për Zotin. 15Ai i kishte caktuar vetë priftërinjtë për faltoret në vende të larta, për idhujt në trajtë cjapi e dashi, që kishte bërë. 16Pas levitëve, të gjithë ata nga fiset e Izraelit që kishin vendosur me gjithë zemër t'i qëndronin besnikë Zotit, Perëndisë së Izraelit, shkuan në Jerusalem për t'i kushtuar fli Zotit, Perëndisë së etërve të tyre. 17Kështu, për tre vjet ata e bënë më të qëndrueshme mbretërinë e Judës dhe i dhanë forcë Rehoboamit, birit të Solomonit, sepse për tre vjet Rehoboami u soll si Davidi dhe si Solomoni.
Familja e Rehoboamit
18Rehoboami mori për grua Mahalatën, të bijën e Jerimotit, të birit të Davidit, dhe të Abihajlës, të bijës së Eliabit, të birit të Jeseut. 19Mahalata i lindi tre bij: Jeushin, Shemarjahun dhe Zahamin. 20Pas Mahalatës, Rehoboami u martua edhe me Makën, bijën e Absalomit. Ajo i lindi Abijahun, Atajin, Zizain dhe Shelomotin. 21Rehoboami e deshi Makën, bijën e Absalomit, më shumë se të gjitha gratë dhe shemrat që kishte marrë. Ai u martua me tetëmbëdhjetë gra, mori gjashtëdhjetë shemra dhe i lindën njëzet e tetë djem e gjashtëdhjetë vajza. 22Rehoboami i dha Abijahut, birit të Makahut, vendin e parë dhe e caktoi si udhëheqës të vëllezërve të tij, sepse synonte ta bënte mbret. 23Rehoboami u soll me zgjuarsi dhe i shpërndau bijtë e tij nëpër të gjitha krahinat e Judës dhe të Benjaminit dhe nëpër të gjitha qytetet e fortifikuara. Ai u dha ushqime me shumicë dhe i martoi me shumë gra.
Aktualisht i përzgjedhur:
2 Kronikave 11: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020