Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 28:3-25

1 Samuelit 28:3-25 AL1

Samueli kishte vdekur dhe tërë Izraeli e kishte vajtuar. E kishin varrosur në Ramah, në qytetin e vet. Sauli i kishte dëbuar nga vendi shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Filistinët u mblodhën e fushuan në Shunem. Sauli bashkë me tërë Izraelin fushoi në Gilboa. Kur Sauli pa fushimin e filistinëve, u frikësua e iu drodh zemra fort. Ai pyeti ZOTIN, por ZOTI nuk iu përgjigj as në ëndrra, as me Urimë, as përmes profetëve. Atëherë u tha shërbëtorëve: «Më gjeni një grua që thërret shpirtra të vdekurish. Do të shkoj tek ajo për ta pyetur». Shërbëtorët i thanë: «Në Endor është një grua që thërret shpirtra të vdekurish!». Sauli ndërroi rrobat, që të mos njihej, e shkoi atje me dy burra. Kur mbërritën te gruaja, ishte natë. Ai i tha: «Thirr shpirtrat e të vdekurve e ngri atë që të them unë». Gruaja iu përgjigj: «Ti e di mirë çfarë ka bërë Sauli. Ai i ka zhbirë nga faqja e dheut shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Përse po më ngre kurth? Që të më vrasin?». Sauli iu betua për ZOTIN e i tha: «Pasha ZOTIN nuk do të dënohesh për këtë». Ajo i tha: «Kë dëshiron të thërras?». Ai i tha: «Më thirr Samuelin». Kur gruaja pa Samuelin, bërtiti me të madhe e i tha Saulit: «Pse më mashtrove? Ti qenke Sauli!». Por mbreti i tha: «Mos ki frikë! Çfarë pe?». Gruaja i tha Saulit: «Shoh një hyjni që po ngrihet prej tokës». Ai e pyeti: «Ç'pamje ka?». Ajo tha: «Po ngrihet një plak, mbështjellë me gunë». Atëherë Sauli e kuptoi që ishte Samueli, prandaj ra me fytyrë përdhe dhe e nderoi. Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? ZOTI është larguar prej teje dhe e ke kundër. ZOTI ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. Ti nuk e dëgjove zërin e ZOTIT e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj ZOTI ta bëri sot këtë gjë. ZOTI do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se ZOTI do t'ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit». Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën. Gruaja iu afrua Saulit, e pa të tmerruar e i tha: «Ja, shërbëtorja jote ta dëgjoi zërin. E vura jetën në rrezik e i dëgjova fjalët që më the. Dëgjoja fjalën shërbëtores sate e më lër të të nxjerr pak bukë. Ha që të kesh fuqi për udhë». Ai nuk pranoi të hante, por shërbëtorët e gruaja ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi. Pastaj u ngrit nga toka e u ul në shtrat. Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë. E theri me të shpejtë, pastaj mori miell e poqi bukë të ndorme. Ua shtroi para Saulit e shërbëtorëve të tij e ata hëngrën. Pastaj u ngritën e shkuan po atë natë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë