Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 28:3-25

1 i Samuelit 28:3-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Samueli kishte vdekur dhe tërë Izraeli e kishte vajtuar. E kishin varrosur në Ramah, në qytetin e vet. Sauli i kishte dëbuar nga vendi shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Filistinët u mblodhën e fushuan në Shunem. Sauli bashkë me tërë Izraelin fushoi në Gilboa. Kur Sauli pa fushimin e filistinëve, u frikësua e iu drodh zemra fort. Ai pyeti ZOTIN, por ZOTI nuk iu përgjigj as në ëndrra, as me Urimë, as përmes profetëve. Atëherë u tha shërbëtorëve: «Më gjeni një grua që thërret shpirtra të vdekurish. Do të shkoj tek ajo për ta pyetur». Shërbëtorët i thanë: «Në Endor është një grua që thërret shpirtra të vdekurish!». Sauli ndërroi rrobat, që të mos njihej, e shkoi atje me dy burra. Kur mbërritën te gruaja, ishte natë. Ai i tha: «Thirr shpirtrat e të vdekurve e ngri atë që të them unë». Gruaja iu përgjigj: «Ti e di mirë çfarë ka bërë Sauli. Ai i ka zhbirë nga faqja e dheut shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Përse po më ngre kurth? Që të më vrasin?». Sauli iu betua për ZOTIN e i tha: «Pasha ZOTIN nuk do të dënohesh për këtë». Ajo i tha: «Kë dëshiron të thërras?». Ai i tha: «Më thirr Samuelin». Kur gruaja pa Samuelin, bërtiti me të madhe e i tha Saulit: «Pse më mashtrove? Ti qenke Sauli!». Por mbreti i tha: «Mos ki frikë! Çfarë pe?». Gruaja i tha Saulit: «Shoh një hyjni që po ngrihet prej tokës». Ai e pyeti: «Ç'pamje ka?». Ajo tha: «Po ngrihet një plak, mbështjellë me gunë». Atëherë Sauli e kuptoi që ishte Samueli, prandaj ra me fytyrë përdhe dhe e nderoi. Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? ZOTI është larguar prej teje dhe e ke kundër. ZOTI ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. Ti nuk e dëgjove zërin e ZOTIT e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj ZOTI ta bëri sot këtë gjë. ZOTI do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se ZOTI do t'ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit». Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën. Gruaja iu afrua Saulit, e pa të tmerruar e i tha: «Ja, shërbëtorja jote ta dëgjoi zërin. E vura jetën në rrezik e i dëgjova fjalët që më the. Dëgjoja fjalën shërbëtores sate e më lër të të nxjerr pak bukë. Ha që të kesh fuqi për udhë». Ai nuk pranoi të hante, por shërbëtorët e gruaja ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi. Pastaj u ngrit nga toka e u ul në shtrat. Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë. E theri me të shpejtë, pastaj mori miell e poqi bukë të ndorme. Ua shtroi para Saulit e shërbëtorëve të tij e ata hëngrën. Pastaj u ngritën e shkuan po atë natë.

1 i Samuelit 28:3-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët. Kështu filistenjtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa. Kur Sauli pa ushtrinë e filistenjve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë. Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjigj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve. Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t'u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume". Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them". Gruaja iu përgjigj: "Ja, ti e di ç'ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?". Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!". Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin". Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!". Mbreti iu përgjigj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: "Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga toka". Ai e pyeti: "Ç'formë ka?". Ajo u përgjigj: "Është një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys. Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjigj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse filistenjtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt? Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit, sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë. Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e filistenjve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e filistenjve. Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë. Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t'iu bindur fjalëve që më the. Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lërmë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën". Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat. Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja. I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë