Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Samuelit 28

28
1Në ato ditë filistinët mblodhën ushtritë për të sulmuar Izraelin. Akishi i tha Davidit: «Dije mirë se ti e njerëzit e tu do të dalin në luftë bashkë me mua». 2Davidi i tha: «Do ta marrësh vesh se çfarë mund të bëjë shërbëtori yt». Akishi ia ktheu: «Do të jesh truproja ime përgjithmonë».
Sauli dhe shortarja
3Samueli kishte vdekur dhe tërë Izraeli e kishte vajtuar. E kishin varrosur në Ramah, në qytetin e vet. Sauli i kishte dëbuar nga vendi shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish.
4Filistinët u mblodhën e fushuan në Shunem. Sauli bashkë me tërë Izraelin fushoi në Gilboa. 5Kur Sauli pa fushimin e filistinëve, u frikësua e iu drodh zemra fort. 6Ai pyeti Zotin, por Zoti nuk iu përgjigj as në ëndrra, as me Urimë, as përmes profetëve. 7Atëherë u tha shërbëtorëve: «Më gjeni një grua që thërret shpirtra të vdekurish. Do të shkoj tek ajo për ta pyetur». Shërbëtorët i thanë: «Në Endor është një grua që thërret shpirtra të vdekurish!».
8Sauli ndërroi rrobat, që të mos njihej, e shkoi atje me dy burra. Kur mbërritën te gruaja, ishte natë. Ai i tha: «Thirr shpirtrat e të vdekurve e ngri atë që të them unë». 9Gruaja iu përgjigj: «Ti e di mirë çfarë ka bërë Sauli. Ai i ka zhbirë nga faqja e dheut shortarët dhe ata që thërrasin shpirtra të vdekurish. Përse po më ngre kurth? Që të më vrasin?». 10Sauli iu betua për Zotin e i tha: «Pasha Zotin nuk do të dënohesh për këtë». 11Ajo i tha: «Kë dëshiron të thërras?». Ai i tha: «Më thirr Samuelin». 12Kur gruaja pa Samuelin, bërtiti me të madhe e i tha Saulit: «Pse më mashtrove? Ti qenke Sauli!». 13Por mbreti i tha: «Mos ki frikë! Çfarë pe?». Gruaja i tha Saulit: «Shoh një hyjni që po ngrihet prej tokës». 14Ai e pyeti: «Ç'pamje ka?». Ajo tha: «Po ngrihet një plak, mbështjellë me gunë». Atëherë Sauli e kuptoi që ishte Samueli, prandaj ra me fytyrë përdhe dhe e nderoi.
15Samueli i tha Saulit: «Përse më trazove e më ngrite?». Sauli i tha: «Gjendem shumë ngushtë. Filistinët po më sulmojnë dhe Perëndia është larguar prej meje. Nuk më përgjigjet as përmes profetëve e as në ëndrra. Të kam thirrur të më tregosh çfarë të bëj». 16Samueli iu përgjigj: «Pse më pyet mua? Zoti është larguar prej teje dhe e ke kundër. 17Zoti ka vepruar siç kishte thënë përmes meje. Ai ta ka hequr mbretërinë prej dorës e ia ka dhënë të afërtit tënd, Davidit. 18Ti nuk e dëgjove zërin e Zotit e nuk e zbatove dënimin e tij kundër amalekitëve, prandaj Zoti ta bëri sot këtë gjë. 19Zoti do të dorëzojë edhe Izraelin në duart e filistinëve bashkë me ty. Nesër ti e bijtë e tu do të vini këtu ku jam unë, se Zoti do t'ua dorëzojë filistinëve fushimin e Izraelit».
20Sauli u shemb i tëri përdhe nga tmerri i fjalëve të Samuelit. E lanë edhe fuqitë, se nuk kishte ngrënë gjithë ditën e gjithë natën. 21Gruaja iu afrua Saulit, e pa të tmerruar e i tha: «Ja, shërbëtorja jote ta dëgjoi zërin. E vura jetën në rrezik e i dëgjova fjalët që më the. 22Dëgjoja fjalën shërbëtores sate e më lër të të nxjerr pak bukë. Ha që të kesh fuqi për udhë». 23Ai nuk pranoi të hante, por shërbëtorët e gruaja ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi. Pastaj u ngrit nga toka e u ul në shtrat. 24Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë. E theri me të shpejtë, pastaj mori miell e poqi bukë të ndorme. 25Ua shtroi para Saulit e shërbëtorëve të tij e ata hëngrën. Pastaj u ngritën e shkuan po atë natë.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Samuelit 28: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë