Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 11:29-39

1 Mbretërve 11:29-39 AL1

Një ditë teksa po dilte nga Jerusalemi, Jeroboami ndeshi udhës profetin Ahijah, shilonitin. Në fushë ishin vetëm ata të dy. Ahijahu kishte veshur një mbulojë të re. Ahijahu mori mbulojën dhe e shqeu në dymbëdhjetë copa. Pastaj i tha Jeroboamit: «Merri dhjetë copa, sepse kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Ja unë do t'ia heq mbretërinë nga duart Solomonit dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Atij do t'i lë vetëm njërin fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jerusalemit, qytetit që zgjodha për vete ndër të gjitha fiset e Izraelit, sepse izraelitët më braktisën dhe u përkulën para Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe Milkomit, perëndisë së amonitëve. Ata nuk ecin më sipas udhës sime, nuk bëjnë më çfarë është e drejtë në sytë e mi dhe nuk i zbatojnë më rregullat e vendimet e mia, si Davidi, ati i Solomonit. Nuk do t'ia heq nga duart të gjithë mbretërinë, por do ta lë të sundojë sa të jetë gjallë, për hir të Davidit, shërbëtorit tim, që ishte i zgjedhuri im dhe i mbajti urdhërimet dhe rregullat e mia. Do t'ia heq mbretërinë nga duart birit të tij dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Birit të tij do t'i lë vetëm njërin fis, që Davidit, shërbëtorit tim, t'i mbetet përherë një pishtar i ndezur para meje në Jerusalem, në qytetin që zgjodha për të vendosur emrin tim. Ty, Jeroboam, do të të marr që të mbretërosh mbi çfarë të dëshirosh. Ti do të jesh mbreti i Izraelit. Nëse u bindesh urdhrave të mi, nëse ecën udhëve të mia dhe nëse bën çfarë është e drejtë në sytë e mi, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të jap një mbretëri të përhershme, siç bëra me Davidin. Unë do të të jap Izraelin. Do t'i poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithmonë”».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë