Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 11

11
Gratë e Solomonit
1Mbreti Solomon, përveç bijës së faraonit, dashuroi edhe shumë gra të huaja moabite, amonite, edomite, sidonase dhe hitite. 2Ato vinin nga kombe, për të cilat Zoti u kishte thënë izraelitëve: «Mos hyni e dilni te ato kombe, sepse ata kanë për t'ua kthyer zemrën drejt perëndive të tyre». E megjithatë Solomoni u dha pas tyre e u dashurua me to. 3Solomoni pati shtatëqind gra fisnike dhe treqind shemra. Gratë ia zvetënuan zemrën Solomonit. 4Kur u plak, gratë ia kthyen zemrën Solomonit drejt perëndive të tjerë e zemra e tij nuk qe më e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit, Perëndisë së tij, siç kishte qenë zemra e Davidit, atit të tij. 5Solomoni u dha pas Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, dhe pas Milkomit, idhullit të ndyrë të amonitëve. 6Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk i qëndroi besnik Zotit, si ati i tij, Davidi. 7Mbi malin përballë Jerusalemit Solomoni ndërtoi një faltore në vend të lartë për Kemoshin, idhullin e ndyrë të Moabit, dhe për Molekun, idhullin e ndyrë të amonitëve. 8Të njëjtën gjë bëri për të gjitha gratë e tij të huaja, që ato t'u kushtonin temjan dhe flijime perëndive të tyre.
Armiqtë e Solomonit
9 Zoti u zemërua me Solomonin, për shkak se zemra e Solomonit ishte larguar nga Zoti, Perëndia i Izraelit, i cili i ishte shfaqur dy herë 10dhe e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjerë. Por Solomoni nuk e zbatoi urdhrin e Zotit. 11Prandaj Zoti i tha Solomonit: «Meqenëse veprove kështu e nuk e ruajte besëlidhjen time e as rregullat që të dhashë, kam për të ta hequr mbretërinë e kam për t'ia dhënë njërit prej shërbëtorëve të tu. 12Megjithatë, për hir të atit tënd, Davidit, nuk do ta bëj sa të jesh gjallë ti, por do t'ia heq nga duart birit tënd. 13Nuk do t'ia heq të gjithë mbretërinë, por për hir të Davidit, shërbëtorit tim, e të Jerusalemit, qytetit që kam zgjedhur, do t'i jap birit tënd vetëm një fis».
14Atëherë Zoti ngriti kundër Solomonit Hadad Edomitin, pasardhësin e mbretit të Edomit. 15Pasi Davidi e kishte pushtuar Edomin, kreu i ushtrisë, Joabi, kishte shkuar për të varrosur të vrarët. Ai i kishte vrarë të gjithë meshkujt në Edom 16dhe kishte qëndruar atje për gjashtë muaj me gjithë ushtrinë e Izraelit, derisa i kishte vrarë të gjithë meshkujt e Edomit. 17Por Hadadi, që ishte i vogël në atë kohë, kishte marrë arratinë dhe kishte shkuar në Egjipt bashkë me disa nga shërbëtorët edomitë të të atit. 18Ata ishin larguar nga Midiani dhe kishin shkuar në Paran. Në Paran kishin marrë me vete disa njerëz të tjerë dhe kishin shkuar në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit. Faraoni i kishte dhënë shtëpi e toka dhe i kishte siguruar ushqim. 19Hadadi i kishte hyrë në zemër faraonit, i cili i kishte dhënë për grua motrën e gruas së vet, mbretëreshës Tahpenesë. 20Motra e Tahpnesës i kishte lindur Hadadit një djalë, Genubatin, të cilin Tahpenesa e rriti në pallatin e faraonit. Genubati jetoi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij. 21Kur Hadadi mori vesh në Egjipt se Davidi kishte ndërruar jetë dhe se Joabi, kreu i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: «Më lër të kthehem në vendin tim». 22Faraoni i tha: «Çfarë të mungon këtu tek unë, që kërkon të kthehesh në vendin tënd?». Ai iu përgjigj: «Asgjë, por më lër të shkoj».
23Perëndia ngriti kundër Solomonit edhe Rezonin, birin e Eliadait. Rezoni kishte marrë arratinë nga Hadadezeri, zotëria i tij, mbreti i Cobahut. 24Kur Davidi kishte masakruar ushtrinë e Hadadezerit, Rezoni kishte bashkuar rreth vetes disa burra dhe ishte bërë prijës i një çete kusarësh. Ata kishin shkuar e ishin vendosur në Damask, ku Rezoni sundoi si mbret. 25Ai qe kundërshtar i Izraelit sa qe gjallë Solomoni, duke i shtuar ligësisë së Hadadit urrejtjen e vet për Izraelin. Rezoni mbretëroi në Aram.
26Kundër mbretit Solomon ngriti krye edhe një nga nëpunësit e tij, Jeroboami, biri i Nebatit, nga fisi i Efraimit, që jetonte në Ceredah. Nëna e tij quhej Cerua dhe kishte mbetur vejushë. 27Dhe ja cili qe shkaku i kryengritjes së Jeroboamit kundër mbretit: Solomoni po ndërtonte Milonë dhe po mbyllte të çarën në muret e qytetit të Davidit, atit të tij. 28Jeroboami ishte i zoti. Solomoni e vuri re djaloshin tek punonte dhe e caktoi mbikëqyrës të të gjithë punëtorëve të fiseve të Jozefit. 29Një ditë teksa po dilte nga Jerusalemi, Jeroboami ndeshi udhës profetin Ahijah, shilonitin. Në fushë ishin vetëm ata të dy. Ahijahu kishte veshur një mbulojë të re. 30Ahijahu mori mbulojën dhe e shqeu në dymbëdhjetë copa. 31Pastaj i tha Jeroboamit: «Merri dhjetë copa, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Ja unë do t'ia heq mbretërinë nga duart Solomonit dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. 32Atij do t'i lë vetëm njërin fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jerusalemit, qytetit që zgjodha për vete ndër të gjitha fiset e Izraelit, 33sepse izraelitët më braktisën dhe u përkulën para Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe Milkomit, perëndisë së amonitëve. Ata nuk ecin më sipas udhës sime, nuk bëjnë më çfarë është e drejtë në sytë e mi dhe nuk i zbatojnë më rregullat e vendimet e mia, si Davidi, ati i Solomonit. 34Nuk do t'ia heq nga duart të gjithë mbretërinë, por do ta lë të sundojë sa të jetë gjallë, për hir të Davidit, shërbëtorit tim, që ishte i zgjedhuri im dhe i mbajti urdhërimet dhe rregullat e mia. 35Do t'ia heq mbretërinë nga duart birit të tij dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. 36Birit të tij do t'i lë vetëm njërin fis, që Davidit, shërbëtorit tim, t'i mbetet përherë një pishtar i ndezur para meje në Jerusalem, në qytetin që zgjodha për të vendosur emrin tim. 37Ty, Jeroboam, do të të marr që të mbretërosh mbi çfarë të dëshirosh. Ti do të jesh mbreti i Izraelit. 38Nëse u bindesh urdhrave të mi, nëse ecën udhëve të mia dhe nëse bën çfarë është e drejtë në sytë e mi, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të jap një mbretëri të përhershme, siç bëra me Davidin. Unë do të të jap Izraelin. 39Do t'i poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithmonë”». 40Solomoni u përpoq ta vriste Jeroboamin, por ai iku në Egjipt te Shishaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt derisa vdiq Solomoni.
41Veprat e tjera të Solomonit, gjithçka që ai bëri dhe urtia e tij janë të shkruara në librin e Veprave të Solomonit. 42Solomoni mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem dhe qe mbreti i mbarë Izraelit. 43Solomoni vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi Rehoboami, i biri.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Mbretërve 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë