Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 11:29-39

1 i Mbretërve 11:29-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një ditë teksa po dilte nga Jerusalemi, Jeroboami ndeshi udhës profetin Ahijah, shilonitin. Në fushë ishin vetëm ata të dy. Ahijahu kishte veshur një mbulojë të re. Ahijahu mori mbulojën dhe e shqeu në dymbëdhjetë copa. Pastaj i tha Jeroboamit: «Merri dhjetë copa, sepse kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Ja unë do t'ia heq mbretërinë nga duart Solomonit dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Atij do t'i lë vetëm njërin fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jerusalemit, qytetit që zgjodha për vete ndër të gjitha fiset e Izraelit, sepse izraelitët më braktisën dhe u përkulën para Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe Milkomit, perëndisë së amonitëve. Ata nuk ecin më sipas udhës sime, nuk bëjnë më çfarë është e drejtë në sytë e mi dhe nuk i zbatojnë më rregullat e vendimet e mia, si Davidi, ati i Solomonit. Nuk do t'ia heq nga duart të gjithë mbretërinë, por do ta lë të sundojë sa të jetë gjallë, për hir të Davidit, shërbëtorit tim, që ishte i zgjedhuri im dhe i mbajti urdhërimet dhe rregullat e mia. Do t'ia heq mbretërinë nga duart birit të tij dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Birit të tij do t'i lë vetëm njërin fis, që Davidit, shërbëtorit tim, t'i mbetet përherë një pishtar i ndezur para meje në Jerusalem, në qytetin që zgjodha për të vendosur emrin tim. Ty, Jeroboam, do të të marr që të mbretërosh mbi çfarë të dëshirosh. Ti do të jesh mbreti i Izraelit. Nëse u bindesh urdhrave të mi, nëse ecën udhëve të mia dhe nëse bën çfarë është e drejtë në sytë e mi, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të jap një mbretëri të përhershme, siç bëra me Davidin. Unë do të të jap Izraelin. Do t'i poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithmonë”».

1 i Mbretërve 11:29-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në atë kohë, ndërsa Jeroboami po dilte nga Jeruzalemi, profeti Ahijah nga Shilohu, që kishte veshur një mantel të ri, e takoi rrugës; dhe ishin ata të dy vetëm në fushë. Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë; pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise, (por atij do t'i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit), sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi. Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia. Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise; birit të tij do t'i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t'i vënë emrin tim. Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit. Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin; për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithnjë"".