Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Mbretërve 11:13-43

1 Mbretërve 11:13-43 AL1

Nuk do t'ia heq të gjithë mbretërinë, por për hir të Davidit, shërbëtorit tim, e të Jerusalemit, qytetit që kam zgjedhur, do t'i jap birit tënd vetëm një fis». Atëherë ZOTI ngriti kundër Solomonit Hadad Edomitin, pasardhësin e mbretit të Edomit. Pasi Davidi e kishte pushtuar Edomin, kreu i ushtrisë, Joabi, kishte shkuar për të varrosur të vrarët. Ai i kishte vrarë të gjithë meshkujt në Edom dhe kishte qëndruar atje për gjashtë muaj me gjithë ushtrinë e Izraelit, derisa i kishte vrarë të gjithë meshkujt e Edomit. Por Hadadi, që ishte i vogël në atë kohë, kishte marrë arratinë dhe kishte shkuar në Egjipt bashkë me disa nga shërbëtorët edomitë të të atit. Ata ishin larguar nga Midiani dhe kishin shkuar në Paran. Në Paran kishin marrë me vete disa njerëz të tjerë dhe kishin shkuar në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit. Faraoni i kishte dhënë shtëpi e toka dhe i kishte siguruar ushqim. Hadadi i kishte hyrë në zemër faraonit, i cili i kishte dhënë për grua motrën e gruas së vet, mbretëreshës Tahpenesë. Motra e Tahpnesës i kishte lindur Hadadit një djalë, Genubatin, të cilin Tahpenesa e rriti në pallatin e faraonit. Genubati jetoi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij. Kur Hadadi mori vesh në Egjipt se Davidi kishte ndërruar jetë dhe se Joabi, kreu i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: «Më lër të kthehem në vendin tim». Faraoni i tha: «Çfarë të mungon këtu tek unë, që kërkon të kthehesh në vendin tënd?». Ai iu përgjigj: «Asgjë, por më lër të shkoj». Perëndia ngriti kundër Solomonit edhe Rezonin, birin e Eliadait. Rezoni kishte marrë arratinë nga Hadadezeri, zotëria i tij, mbreti i Cobahut. Kur Davidi kishte masakruar ushtrinë e Hadadezerit, Rezoni kishte bashkuar rreth vetes disa burra dhe ishte bërë prijës i një çete kusarësh. Ata kishin shkuar e ishin vendosur në Damask, ku Rezoni sundoi si mbret. Ai qe kundërshtar i Izraelit sa qe gjallë Solomoni, duke i shtuar ligësisë së Hadadit urrejtjen e vet për Izraelin. Rezoni mbretëroi në Aram. Kundër mbretit Solomon ngriti krye edhe një nga nëpunësit e tij, Jeroboami, biri i Nebatit, nga fisi i Efraimit, që jetonte në Ceredah. Nëna e tij quhej Cerua dhe kishte mbetur vejushë. Dhe ja cili qe shkaku i kryengritjes së Jeroboamit kundër mbretit: Solomoni po ndërtonte Milonë dhe po mbyllte të çarën në muret e qytetit të Davidit, atit të tij. Jeroboami ishte i zoti. Solomoni e vuri re djaloshin tek punonte dhe e caktoi mbikëqyrës të të gjithë punëtorëve të fiseve të Jozefit. Një ditë teksa po dilte nga Jerusalemi, Jeroboami ndeshi udhës profetin Ahijah, shilonitin. Në fushë ishin vetëm ata të dy. Ahijahu kishte veshur një mbulojë të re. Ahijahu mori mbulojën dhe e shqeu në dymbëdhjetë copa. Pastaj i tha Jeroboamit: «Merri dhjetë copa, sepse kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Ja unë do t'ia heq mbretërinë nga duart Solomonit dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Atij do t'i lë vetëm njërin fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jerusalemit, qytetit që zgjodha për vete ndër të gjitha fiset e Izraelit, sepse izraelitët më braktisën dhe u përkulën para Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe Milkomit, perëndisë së amonitëve. Ata nuk ecin më sipas udhës sime, nuk bëjnë më çfarë është e drejtë në sytë e mi dhe nuk i zbatojnë më rregullat e vendimet e mia, si Davidi, ati i Solomonit. Nuk do t'ia heq nga duart të gjithë mbretërinë, por do ta lë të sundojë sa të jetë gjallë, për hir të Davidit, shërbëtorit tim, që ishte i zgjedhuri im dhe i mbajti urdhërimet dhe rregullat e mia. Do t'ia heq mbretërinë nga duart birit të tij dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Birit të tij do t'i lë vetëm njërin fis, që Davidit, shërbëtorit tim, t'i mbetet përherë një pishtar i ndezur para meje në Jerusalem, në qytetin që zgjodha për të vendosur emrin tim. Ty, Jeroboam, do të të marr që të mbretërosh mbi çfarë të dëshirosh. Ti do të jesh mbreti i Izraelit. Nëse u bindesh urdhrave të mi, nëse ecën udhëve të mia dhe nëse bën çfarë është e drejtë në sytë e mi, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të jap një mbretëri të përhershme, siç bëra me Davidin. Unë do të të jap Izraelin. Do t'i poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithmonë”». Solomoni u përpoq ta vriste Jeroboamin, por ai iku në Egjipt te Shishaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt derisa vdiq Solomoni. Veprat e tjera të Solomonit, gjithçka që ai bëri dhe urtia e tij janë të shkruara në librin e Veprave të Solomonit. Solomoni mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem dhe qe mbreti i mbarë Izraelit. Solomoni vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi Rehoboami, i biri.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë