Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 11:13-43

1 i Mbretërve 11:13-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nuk do t'ia heq të gjithë mbretërinë, por për hir të Davidit, shërbëtorit tim, e të Jerusalemit, qytetit që kam zgjedhur, do t'i jap birit tënd vetëm një fis». Atëherë ZOTI ngriti kundër Solomonit Hadad Edomitin, pasardhësin e mbretit të Edomit. Pasi Davidi e kishte pushtuar Edomin, kreu i ushtrisë, Joabi, kishte shkuar për të varrosur të vrarët. Ai i kishte vrarë të gjithë meshkujt në Edom dhe kishte qëndruar atje për gjashtë muaj me gjithë ushtrinë e Izraelit, derisa i kishte vrarë të gjithë meshkujt e Edomit. Por Hadadi, që ishte i vogël në atë kohë, kishte marrë arratinë dhe kishte shkuar në Egjipt bashkë me disa nga shërbëtorët edomitë të të atit. Ata ishin larguar nga Midiani dhe kishin shkuar në Paran. Në Paran kishin marrë me vete disa njerëz të tjerë dhe kishin shkuar në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit. Faraoni i kishte dhënë shtëpi e toka dhe i kishte siguruar ushqim. Hadadi i kishte hyrë në zemër faraonit, i cili i kishte dhënë për grua motrën e gruas së vet, mbretëreshës Tahpenesë. Motra e Tahpnesës i kishte lindur Hadadit një djalë, Genubatin, të cilin Tahpenesa e rriti në pallatin e faraonit. Genubati jetoi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij. Kur Hadadi mori vesh në Egjipt se Davidi kishte ndërruar jetë dhe se Joabi, kreu i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: «Më lër të kthehem në vendin tim». Faraoni i tha: «Çfarë të mungon këtu tek unë, që kërkon të kthehesh në vendin tënd?». Ai iu përgjigj: «Asgjë, por më lër të shkoj». Perëndia ngriti kundër Solomonit edhe Rezonin, birin e Eliadait. Rezoni kishte marrë arratinë nga Hadadezeri, zotëria i tij, mbreti i Cobahut. Kur Davidi kishte masakruar ushtrinë e Hadadezerit, Rezoni kishte bashkuar rreth vetes disa burra dhe ishte bërë prijës i një çete kusarësh. Ata kishin shkuar e ishin vendosur në Damask, ku Rezoni sundoi si mbret. Ai qe kundërshtar i Izraelit sa qe gjallë Solomoni, duke i shtuar ligësisë së Hadadit urrejtjen e vet për Izraelin. Rezoni mbretëroi në Aram. Kundër mbretit Solomon ngriti krye edhe një nga nëpunësit e tij, Jeroboami, biri i Nebatit, nga fisi i Efraimit, që jetonte në Ceredah. Nëna e tij quhej Cerua dhe kishte mbetur vejushë. Dhe ja cili qe shkaku i kryengritjes së Jeroboamit kundër mbretit: Solomoni po ndërtonte Milonë dhe po mbyllte të çarën në muret e qytetit të Davidit, atit të tij. Jeroboami ishte i zoti. Solomoni e vuri re djaloshin tek punonte dhe e caktoi mbikëqyrës të të gjithë punëtorëve të fiseve të Jozefit. Një ditë teksa po dilte nga Jerusalemi, Jeroboami ndeshi udhës profetin Ahijah, shilonitin. Në fushë ishin vetëm ata të dy. Ahijahu kishte veshur një mbulojë të re. Ahijahu mori mbulojën dhe e shqeu në dymbëdhjetë copa. Pastaj i tha Jeroboamit: «Merri dhjetë copa, sepse kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Ja unë do t'ia heq mbretërinë nga duart Solomonit dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Atij do t'i lë vetëm njërin fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jerusalemit, qytetit që zgjodha për vete ndër të gjitha fiset e Izraelit, sepse izraelitët më braktisën dhe u përkulën para Ashtarotës, perëndeshës së sidonasve, Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe Milkomit, perëndisë së amonitëve. Ata nuk ecin më sipas udhës sime, nuk bëjnë më çfarë është e drejtë në sytë e mi dhe nuk i zbatojnë më rregullat e vendimet e mia, si Davidi, ati i Solomonit. Nuk do t'ia heq nga duart të gjithë mbretërinë, por do ta lë të sundojë sa të jetë gjallë, për hir të Davidit, shërbëtorit tim, që ishte i zgjedhuri im dhe i mbajti urdhërimet dhe rregullat e mia. Do t'ia heq mbretërinë nga duart birit të tij dhe dhjetë fise do të t'i jap ty. Birit të tij do t'i lë vetëm njërin fis, që Davidit, shërbëtorit tim, t'i mbetet përherë një pishtar i ndezur para meje në Jerusalem, në qytetin që zgjodha për të vendosur emrin tim. Ty, Jeroboam, do të të marr që të mbretërosh mbi çfarë të dëshirosh. Ti do të jesh mbreti i Izraelit. Nëse u bindesh urdhrave të mi, nëse ecën udhëve të mia dhe nëse bën çfarë është e drejtë në sytë e mi, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të jap një mbretëri të përhershme, siç bëra me Davidin. Unë do të të jap Izraelin. Do t'i poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithmonë”». Solomoni u përpoq ta vriste Jeroboamin, por ai iku në Egjipt te Shishaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt derisa vdiq Solomoni. Veprat e tjera të Solomonit, gjithçka që ai bëri dhe urtia e tij janë të shkruara në librin e Veprave të Solomonit. Solomoni mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem dhe qe mbreti i mbarë Izraelit. Solomoni vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi Rehoboami, i biri.

1 i Mbretërve 11:13-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por nuk do t'i marr tërë mbretërinë, do t'i lë birit tënd një fis, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, dhe për hir të Jeruzalemit që kam zgjedhur". Zoti ngriti kundër Salomonit një armik, Hadadin, idumeun, që ishte një pasardhës i mbretit të Edomit. Kur Davidi kishte vajtur të luftonte në Edom, dhe kur Joabi, komandant i ushtrisë, kishte dalë për të varrosur të vdekurit, mbasi kishte vrarë tërë meshkujt që ishin në Edom, (Joabi, pra, me të gjithë Izraelin kishte mbetur atje gjashtë muaj derisa i shfarosi gjithë meshkujt në Edom), ndodhi që Hadadi arriti të ikë bashkë me disa idumenj në shërbim të atit të tij, për të vajtur në Egjipt. Atëherë Hadadi ishte djalosh. Ata u nisën nga Midiani dhe shkuan në Paran; morën pastaj me vete njerëz nga Parani dhe arritën në Egjipt te Faraoni, mbret i Egjiptit, i cili i dha Hadadit një shtëpi, i siguroi ushqim dhe i dha madje edhe toka. Hadadi ia fitoi zemrën Faraonit deri në atë pikë sa ai i dha për grua motrën e bashkëshortes së tij, motrën e mbretëreshës Tahpenes. Motra e Tahpenes i lindi djalin Genubath, që Tahpenes rriti në shtëpinë e Faraonit; dhe Genubathi mbeti në shtëpinë e Faraonit midis bijve të Faraonit. Kur Hadadi në Egjipt mësoi që Davidi ishte shtrirë pranë etërve të tij në një gjumë të rëndë dhe që Joabi, komandant i ushtrisë kishte vdekur, Hadadi i tha Faraonit: "Më lër të iki, dhe të shkoj në vendin tim". Faraoni iu përgjigj: "Çfarë të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd?". Ai i tha: "Asgjë, megjithatë më lër të shkoj". Perëndia ngriti kundër Salomonit një armik tjetër, Rezonin, birin e Eliadahut, që kishte ikur nga zotëria e tij, Hadadezeri, mbret i Tsobahut. Ai mblodhi rreth tij disa njerëz dhe u bë kryetar i një bande grabitësish, kur Davidi kishte masakruar ata të Tsobahut. Pastaj ata shkuan në Damask, u vendosën atje dhe mbretëruan në Damask. Rezoni qe armik i Izraelit gjatë gjithë kohës së Salomonit (përveç së keqes që bëri Hadadi). Kishte neveri për Izraelin dhe mbretëroi në Siri. Edhe Jeroboami, shërbëtor i Salomonit, ngriti krye kundër mbretit. Ai ishte bir i Nebatit, efrateut të Tseredës, dhe kishte nënë një të ve me emrin Tseruah. Arsyeja pse ngriti krye kundër mbretit ishte kjo: Salomoni, duke ndërtuar Milon, kishte mbyllur të çarën e qytetit të Davidit, atit të tij. Jeroboami ishte një njeri i fortë dhe trim; dhe Salomoni, duke parë se si punonte ky i ri, i besoi mbikëqyrjen e të gjithë atyre që merreshin me punimet e shtëpisë së Jozefit. Në atë kohë, ndërsa Jeroboami po dilte nga Jeruzalemi, profeti Ahijah nga Shilohu, që kishte veshur një mantel të ri, e takoi rrugës; dhe ishin ata të dy vetëm në fushë. Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë; pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise, (por atij do t'i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit), sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi. Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia. Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise; birit të tij do t'i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t'i vënë emrin tim. Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit. Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin; për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo përgjithnjë"". Prandaj Salomoni kërkoi të shkaktonte vdekjen e Jeroboamit; por Jeroboami u ngrit dhe iku në Egjipt pranë Shishakut, mbretit të Egjiptit, dhe qëndroi në Egjipt derisa vdiq Salomoni. Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, gjithë ato që bëri dhe dituria e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e bëmave të Salomonit? Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi të gjithë Izraelin dyzet vjet. Pastaj Salomonin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit, atit të tij; në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë