Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Ezra 5

5
Përgatitjet për kthimin
1Pas këtyre ngjarjeve, u zgjodhën krerët e familjeve atërore sipas fiseve që të shkonin në Jerusalem bashkë me gratë, me bijtë e me bijat, me shërbëtorët e me shërbëtoret dhe me bagëtitë e tyre. 2Dari dërgoi me ta një mijë kalorës që t'i shoqëronin deri në Jerusalem në paqe, me muzikë, me dajre dhe me fyej. 3Të gjithë vëllezërit e tyre u binin veglave muzikore teksa udhëtonin bashkë me kalorësit që ishin me ta.
4Ja emrat e burrave që shkuan në Jerusalem sipas familjeve atërore, sipas fiseve dhe sipas ndarjeve: 5nga priftërinjtë, bij të Finehasit, të birit të Aronit, ishin Jocadaku i Sarait, Joakimi i Zorobabelit, të birit të Salatielit, prej shtëpisë së Davidit nga klani i Faresit të fisit të Judës. 6Ky ishte Zorobabeli që kishte thënë ato fjalë të urta para Darit, mbretit të persëve, në vitin e dytë të mbretërimit të tij, në muajin nisan, që është muaji i parë.
7Këta janë judenjtë që u kthyen nga mërgimi, të cilët mbreti Nabukodonosor, mbreti i Babilonisë, i kishte shpërngulur në Babiloni. 8Ata u kthyen në Jerusalem dhe në pjesën tjetër të Judesë, secili në qytetin e vet. U kthyen me Zorobabelin, Jozuehun, Neheminë, Serajahun, Resajahun, Enenin, Mordakain, Belsharin, Asfarasin, Boroliun, Roimin dhe Banahun.
9Numri i bashkëkombësve bashkë me ata që i kryesonin ishte: bijtë e Paroshit, dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy; 10bijtë e Shafatit, katërqind e shtatëdhjetë e dy; bijtë e Arahut, shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë; 11bijtë e Pahat Moabit, domethënë bijtë e Jozuehut dhe të Joabit, dy mijë e tetëqind e dymbëdhjetë; 12bijtë e Olamit, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër; bijtë e Zatuit, nëntëqind e dyzet e pesë; bijtë e Korbait, shtatëqind e pesë; bijtë e Baniut, gjashtëqind e dyzet e tetë; 13bijtë e Bebait, gjashtëqind e njëzet e tre; bijtë e Azgadit, një mijë e treqind e njëzet e dy; 14bijtë e Adonikamit, gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë; bijtë e Bigvait, dy mijë e gjashtëqind e gjashtë; bijtë e Adinit, katërqind e pesëdhjetë e katër; 15bijtë e Aterit të Ezekisë, nëntëdhjetë e dy; bijtë e Kilanit dhe Azetait, gjashtëdhjetë e shtatë; bijtë e Azurit, katërqind e tridhjetë e dy; 16bijtë e Hanias, njëqind e një; bijtë e Aromit, bijtë e Basait, katërqind e njëzet e tre; bijtë e Arifit, njëqind e dymbëdhjetë; 17bijtë e Beterusit, tre mijë e pesë; bijtë Betlomonit, njëqind e njëzet e tre; 18ata të Netofahut, pesëdhjetë e pesë; ata të Anatotit, njëqind e pesëdhjetë e tetë; ata të Betasmonit, katërqind e dy; 19ata të Kirjat Arimit, njëzet e pesë; ata të Kefirahut dhe të Berotit, shtatëqind e dyzet e tre; 20hadiasitët dhe amidijtë, katërqind e njëzet e dy; ata të Kiramait dhe të Gebait, gjashtëqind e njëzet e një; 21ata të Makalonit, njëqind e njëzet e dy; ata të Betelit, pesëdhjetë e dy; ata të Nifisit, njëqind e pesëdhjetë e gjashtë; 22bijtë e Kalamoit dhe të Onuit, shtatëqind e njëzet e pesë; bijtë e Jerikosë, treqind e dyzet e pesë; 23bijtë e Sanait, tre mijë e treqind e tridhjetë.
24Priftërinjtë ishin bijtë e Idoit, të birit të Jozuehut dhe të Anasibit, nëntëqind e shtatëdhjetë e dy; bijtë e Emeroit, një mijë e pesëdhjetë e dy; 25bijtë e Pashhurit, një mijë e dyqind e dyzet e shtatë; bijtë e Harmiut, një mijë e shtatëmbëdhjetë.
26Levitët ishin bijtë e Jozuehut, të Kadmielit, të Banahut dhe të Sudiut, shtatëdhjetë e katër.
27Këngëtarët ishin bijtë e Asafit, njëqind e njëzet e tetë.
28Derëtarët ishin bijtë e Shalumit, bijtë e Atarit, bijtë e Tolmanit, bijtë e Akubit, bijtë e Atitait, bijtë e Sobait, gjithsej njëqind e tridhjetë e nëntë.
29Shërbestarët e tempullit ishin bijtë e Esaut, bijtë e Hasupait, bijtë e Tabaotit, bijtë e Kerosit, bijtë e Sijahait, bijtë e Padonit, bijtë e Lebanahut, bijtë e Hagabahut, 30bijtë e Akudit, bijtë e Utait, bijtë e Ketabit, bijtë e Hagabit, bijtë e Sibait, bijtë e Hananit, bijtë e Katuait, bijtë e Gedurit, 31bijtë e Jairit, bijtë e Desanit, bijtë e Noebait, bijtë e Hasebait, bijtë e Gazerait, bijtë e Ozisë, bijtë e Finoes, bijtë e Asarait, bijtë e Bastait, bijtë e Hasanait, bijtë e Manit, bijtë e Nafishit, bijtë e Akufit, bijtë e Ahibait, bijtë e Ashurit, bijtë e Farakimit, bijtë e Basalotit, 32bijtë e Medait, bijtë e Kutait, bijtë e Hareait, bijtë e Barkusit, bijtë e Serarit, bijtë e Tomoit, bijtë e Nasiut dhe bijtë e Atifait.
33Bijtë e shërbëtorëve të Solomonit ishin bijtë e Asafiotit, bijtë e Faridait, bijtë e Jelit, bijtë e Lozonit, bijtë e Isdaelit, bijtë e Safutit, 34bijtë e Pokeret Hacbajimit, bijtë e Sarotieut, bijtë e Masejahut, bijtë e Gashit, bijtë e Hadusit, bijtë e Subait, bijtë e Arefait, bijtë e Barodiut, bijtë e Shafatit dhe bijtë e Amonit. 35Të gjithë shërbestarët e tempullit dhe bijtë e shërbëtorëve të Solomonit ishin treqind e shtatëdhjetë e dy.
36Ishin edhe ata që u larguan nga Telmelahu dhe nga Telharshau, me në krye Haratin, Adanin dhe Amarin, 37por që nuk qenë në gjendje të tregonin prejardhjen e fisit të tyre nga Izraeli. Ata ishin bijtë e Dalanit, të birit të Tubanit, dhe të bijtë e Nekodait, gjithsej gjashtëqind e pesëdhjetë e dy. 38Kishte edhe ndër priftërinj nga ata që hiqeshin si priftërinj, por që nuk iu njoh. Ata ishin bijtë e Hobijahut, bijtë e Hakocit, të bijtë e Jodusit, që kishte marrë për grua Augian, një nga vajzat e Barzilait, dhe që mbajti emrin e tij. 39Prejardhja e tyre u kërkua në regjistër dhe nuk u gjet. Atëherë ata u përjashtuan nga priftëria. 40Nehemia dhe Ataria u kërkuan që të mos hanin nga ushqimet e kushtuara, derisa të vinte prifti i veshur me Urim e Tumim.
41Të gjithë izraelitët nga dymbëdhjetë vjeç e lart, pa përfshirë shërbëtorët dhe shërbëtoret, ishin dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë. Shërbëtorët dhe shërbëtoret e tyre ishin shtatë mijë e treqind e shtatë, muzikantët dhe këngëtarët ishin dyqind e dyzet e pesë, 42devetë, katërqind e tridhjetë e pesë, kuajt, shtatë mijë e tridhjetë e gjashtë, mushkat, dyqind e dyzet e pesë dhe gomarët, pesë mijë e pesëqind e njëzet e pesë.
43Disa prej kryefamiljarëve, kur mbërritën në tempullin e Perëndisë në Jerusalem, bënë dhurata për ndërtimin e tempullit në vendin e vet, sipas mundësive që kishin. 44Ata dhanë në thesarin e tempullit pesëqind kilogramë ar, dy mijë e pesëqind kilogramë argjend dhe njëqind stoli priftërore. 45Priftërinjtë, levitët dhe një pjesë e popullit u vendosën në Jerusalem dhe në mbarë vendin, ndërsa këngëtarët, derëtarët e mbarë populli u vendosën në qytezat e veta.
Përtëritja e flisë
46Kur erdhi muaji i shtatë, bijtë e Izraelit ishin vendosur tashmë nëpër shtëpitë e tyre. Atëherë u mblodhën bashkë në sheshin e portës së parë, me pamje nga lindja. 47U ngrit Jozuehu, biri i Jocadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj, dhe Zorobabeli, biri i Salatielit, bashkë me vëllezërit e tij, e bënë gati altarin e Perëndisë së Izraelit, 48për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi, siç është shkruar në librin e Moisiut, njeriut të Perëndisë. 49Disa nga kombet e tjera u mblodhën kundër tyre, por ata ia dolën ta ngrinin altarin në vendin e vet. Mbarë kombet e tokës ishin armiqësorë ndaj tyre dhe përpiqeshin t'i pengonin. Sidoqoftë, kushtuan fli të ndryshme dhe fli shkrumbimi për Zotin në kohën e caktuar, në mëngjes dhe në mbrëmje. 50Kremtuan edhe festën e Kasolleve, sipas urdhërimeve të ligjit, dhe kushtuan fli çdo ditë, ashtu siç duhej. 51Për më tepër kushtuan edhe flitë e përhershme, flitë e të shtunave, të hënave të reja dhe të të gjitha të kremteve të shenjta. 52Të gjithë ata që i kishin bërë kushte Perëndisë, filluan të kushtonin fli që nga hëna e plotë e muajit të shtatë, ndërsa tempulli i Perëndisë nuk ishte ndërtuar ende. 53U dhanë para gurgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije dhe qerre sidonasve dhe tirasve, që të sillnin dru cedri nga Libani me trape për në Jopë, sipas urdhrit që kishin marrë me shkrim nga Kiri, mbreti i persëve.
Hedhja e themeleve
54Dy vjet pasi kishin ardhur në tempullin e Perëndisë në Jerusalem, në muajin e dytë, Zorobabeli, biri i Salatielit, dhe Jozuehu, biri i Jocadakut, bashkë me vëllezërit e tjerë, priftërinjtë, levitët dhe të gjithë ata që ishin kthyer prej robërisë në Jerusalem 55hodhën themelet e tempullit të Perëndisë në hënën e plotë të muajit të dytë të vitit të dytë që kishin ardhur në Jude dhe në Jerusalem. 56Për punët e Zotit caktuan levitët nga njëzet vjeç e lart. Jozuehu, bijtë dhe vëllezërit e tij, Kadmieli, vëllai i tij dhe bijtë e Jozueh Emadabunit, bijtë e Jodait, bijtë e Iliadunit, me bij e vëllezër, të gjithë levitët, punonin bashkë si mbikëqyrës të punimeve në tempullin e Perëndisë.
57Kur ndërtuesit filluan ndërtimin e tempullit të Zotit, u caktuan priftërinj veshur me stoli, me vegla muzikore dhe me bori, si dhe levitë, pasardhës të Asafit, me trumbeta, që të përlëvdonin Zotin dhe ta bekonin sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit. 58I këndonin Zotit himne përlëvdimi e thoshin: «Mirësia e tij ndaj Izraelit dhe lavdia mbeten në amshim». 59Mbarë populli u binte borive, brohoriste me zë të lartë dhe i këndonte Zotit për ngritjen e tempullit të Perëndisë. 60Disa prej priftërinjve dhe kryefamiljarëve të moshuar, që e kishin parë tempullin e mëparshëm, qanin me të madhe kur filluan ndërtimet e tij. 61Të tjerë u binin trumbetave dhe brohoritnin me zë aq të lartë, 62saqë askush s'ishte në gjendje t'i dëgjonte boritë për shkak të thirrjeve të popullit. Megjithatë turma që u binte borive ishte aq e madhe, saqë dëgjohej nga larg.
Kundërshtime ndaj ndërtimit
63Kur armiqtë e fisit të Judës dhe të Benjaminit dëgjuan boritë, erdhën të shihnin ç'ishte tërë ajo zhurmë. 64E kishin kuptuar tashmë se të kthyerit nga robëria po ndërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. 65Ata iu afruan Zorobabelit, Jozuehut dhe krerëve të fiseve e u thanë: «Do të ndërtojmë edhe ne me ju. 66Ashtu si ju, edhe ne e dëgjojmë Zotin tuaj dhe atij i kemi kushtuar fli që kur Asbasareti, mbreti i asirianëve, na shpërnguli këtu». 67Zorobabeli, Jozuehu dhe krerët e fiseve të Izraelit u thanë: «Nuk na takon ta ndërtojmë bashkë shtëpinë për Zotin, Perëndinë tonë. 68Do ta ndërtojmë vetë për Zotin, Perëndinë e Izraelit, siç na urdhëroi Kiri, mbreti i persëve».
69Atëherë kombet e vendit filluan ta kërcënonin popullin e Judesë. I rrethuan dhe i penguan të ndërtonin. 70Thurën kurthe dhe shpifje kundër tyre, krijuan trazira dhe i penguan punimet gjatë gjithë kohës që mbretëroi Kiri. 71Ndërtimi u ndal për dy vjet, deri në mbretërimin e Darit.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Ezra 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr