Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Ezra 4

4
Fuqia e mbretit
1Pastaj e mori fjalën i dyti, ai që kishte folur për fuqinë e mbretit: 2«O burra, a nuk janë njerëzit më të fortët e tokës. A nuk e sundojnë ata detin dhe gjithçka në të? 3E, pra, mbreti është më i fortë se ata. I sundon e ata i binden çdo fjale të tij. 4Po t'i urdhërojë të luftojnë kundër njëri-tjetrit, ata luftojnë, dhe, po t'i dërgojë në luftë kundër armiqve, ata nisen e pushtojnë malet, muret dhe fortesat. 5Vrasin e vriten, por urdhrin e mbretit nuk e shkelin. Nëse ngadhënjejnë, ia sjellin të gjitha mbretit, gjithçka të kenë plaçkitur e gjithçka tjetër. 6Ata që nuk shkojnë në ushtri e nuk luftojnë, por punojnë tokën, edhe ata, pasi kanë mbjellë, korrjet ia sjellin mbretit dhe detyrojnë njërit-tjetrin t'i paguajnë tagrin mbretit. 7Mbreti është i vetmi që, nëse urdhëron të vrasin, vrasin, dhe, nëse thotë të falin, falin. 8Jep urdhër të godasin, godasin. Jep urdhër të shkatërrojnë, shkatërrojnë. Jep urdhër të ndërtojnë, ndërtojnë. 9Urdhëron të presin, presin. Urdhëron të mbjellin, mbjellin. 10Mbarë populli e mbarë ushtria i binden. 11Kur është shtruar në tryezë për të ngrënë, për të pirë e për t'u çlodhur, të tjerët rrinë syhapur përreth tij, që askush të mos ikë e të bëjë punët e veta, duke mos iu bindur. 12Kështu, pra, o burra, si nuk qenka më i fortë mbreti, përderisa i binden të gjithë?». Mandej edhe ai heshti.
Fuqia e grave
13I treti, ai që kishte folur për gratë dhe për të vërtetën, ishte Zorobabeli. Ai mori fjalën e tha: 14«Burra, vërtet mbreti është i madh, njerëzit të shumtë dhe vera e fortë, por kush i sundon dhe ka pushtet mbi to? A nuk janë gratë? 15Ishin gratë ato që lindën mbretin dhe mbarë popullin, i cili sundon detin dhe tokën. 16Prej tyre kanë lindur këta dhe ato i mëkuan ata që mbjellin vreshtat, prej nga bëhet vera. 17Ato bëjnë rrobat e njerëzve, ato u sjellin lavdi dhe, pa gratë, njerëzit nuk mund të jetojnë. 18Burrat, edhe nëse mbledhin ar, argjend apo çdo send tjetër me vlerë, nëse shohin një grua të bukur nga trupi dhe nga pamja, 19i lënë të gjitha, shtangen para saj dhe mbeten gojëhapur kur e shohin. Të gjithë e duan atë më shumë se arin, argjendin apo ndonjë send me vlerë. 20Burri lë të atin, që e rriti, bashkë me vendin e vet dhe lidhet pas gruas. 21Jepet me gjithë shpirt pas gruas, harron edhe të atin, edhe të ëmën, edhe vendin e vet. 22Nga këto gjëra duhet ta dini se gratë ju sundojnë. A nuk mundoheni e përpiqeni t'u jepni e t'u sillni gjithçka grave? 23Burri merr shpatën, del për të grabitur e për të vjedhur, lundron nëpër dete e lumenj, 24ndeshet me luanin, endet nëpër errësirë dhe, kur vjedh, rrëmben e plaçkit, ia çon të dashurës. 25Burri do më shumë gruan e vet sesa të atin apo të ëmën. 26Sa e sa janë marrosur pas grave dhe janë bërë edhe skllevër për to! 27Sa e sa kanë humbur, kanë gabuar dhe kanë mëkatuar për shkak të grave!
28As tani nuk më besoni? A nuk ka mbreti pushtet të madh? A nuk kanë frikë të gjitha vendet që ta prekin? 29E pashë me Apamenë, shemrën e mbretit, të bijën e Bartakut, teksa qëndronte ulur në të djathtë të mbretit. 30Ia merrte mbretit kurorën nga koka, e vendoste mbi kokën e saj dhe i gjuante mbretit me dorën e saj të majtë. 31Për më tepër, mbreti mbette gojëhapur kur e shihte dhe, kur ajo i buzëqeshte, qeshte edhe ai. Nëse ajo mërzitej me të, ai e përkëdhelte, që ta kishte mirë me të. 32E pra, o burra, a nuk janë të forta gratë, përderisa sillen kështu?». 33Atëherë mbreti dhe krerët panë njëri-tjetrin.
Fuqia e së vërtetës
34Mandej Zorobabeli filloi të fliste për të vërtetën: «O burra, a nuk janë të forta gratë? E madhe është toka dhe i lartë është qielli. I shpejtë është dielli tek përshkon qarkun e kubesë qiellore dhe mandej kthehet në vendin e vet brenda ditës. 35Ai që i bën këto, a nuk qenka i madh? Por e vërteta është edhe më e madhe e më e fortë se të gjitha. 36Mbarë toka e kërkon të vërtetën, qielli e bekon dhe të gjitha krijesat dridhen e tmerrohen para saj. Në të nuk ka asnjë padrejtësi. 37E padrejtë është vera, i padrejtë mbreti, të padrejta gratë, të padrejtë të gjithë bijtë e njerëzve, të padrejta tërë veprat e tyre dhe gjithçka tjetër e ngjashme me to. Në to nuk ka të vërtetë dhe do të zhbihen në padrejtësinë e vet. 38Por e vërteta mbetet dhe është përherë e fortë. Jeton dhe sundon përjetë. 39Ajo nuk mban anë dhe nuk bën dallime, por bën çka është e drejtë, larg padrejtësive dhe ligësive. Të gjithë kënaqen me veprat e saj dhe nuk ka asnjë padrejtësi në gjykimin e saj. 40Asaj i përket fuqia, mbretërimi, pushteti dhe madhështia e mbarë shekujve! Bekuar qoftë Perëndia i së vërtetës!». 41Mandej ai heshti e mbarë populli thirri e tha: «E madhe është e vërteta! Ajo është më e forta!».
Përgjigjja e mbretit
42Atëherë mbreti i tha: «Kërko ç'të duash, edhe më shumë se sa është shkruar në letër, do të ta japim, sepse u tregove më i urti nga të gjithë. Do të ulesh krah meje dhe do të quhesh fisi im». 43Zorobabeli iu përgjigj mbretit: «A të kujtohet betimi që bëre ditën që more mbretërinë? U betove për të ndërtuar Jerusalemin, 44për të kthyer të gjitha sendet që ishin marrë prej atje, të cilat Kiri i kishte vënë mënjanë ditën që ishte betuar për të rrafshuar Babiloninë dhe për t'i dërguar sendet në Jerusalem. 45U betove për të rindërtuar tempullin, që e kishin djegur idumenjtë, kur kaldenjtë shkretuan Judenë. 46E tani, ja se ç'të kërkoj e ç'të lyp, o imzot mbret, dhe këtu qëndron madhështia jote: të përgjërohem, pra, të përmbushësh betimin që i bëre mbretit të qiellit me gojën tënde».
47Atëherë mbreti Dar u ngrit, e puthi dhe u dërgoi për të letra të gjithë zyrtarëve, qeveritarëve, kryeushtarakëve dhe satrapëve, që ta shoqëronin bashkë me të gjithë ata që do të shkonin me të për të ndërtuar Jerusalemin. 48U shkroi letra edhe të gjithë qeveritarëve të krahinave të Sirisë së Madhe dhe të Libanit, të çonin në Jerusalem dru cedri nga Libani dhe të ndërtonin qytetin bashkë me Zorobabelin. 49U shkroi letra edhe të gjithë judenjve të mbretërisë së tij që të shkonin në Jude, ku u siguronte lirinë dhe ku thuhej se asnjë pushtetar, satrap, qeveritar krahinash apo zyrtar të mos i pengonte. 50Çdo vend që judenjtë do të zotëronin do të ishte pa tagra dhe idumenjtë do të braktisnin çdo vendbanim jude. 51Për ndërtimin e tempullit do të jepeshin çdo vit rreth gjashtëqind kilogramë argjend, derisa të përfundonte. 52Për kushtimin e përditshëm të flive të shkrumbimit, që sipas urdhërimit ishin shtatëmbëdhjetë, rreth treqind kilogramë argjend të tjera në vit. 53Të gjithë ata që largoheshin nga Babilonia për të ndërtuar qytetin, do të gëzonin liri të plotë për vete, për fëmijët e tyre dhe për priftërinjtë që niseshin për udhë.
54Dari shkroi edhe për të ardhurat dhe veshjet priftërore, që nevojiteshin për shërbesat në tempull. 55Për levitët shkroi që t'u jepeshin të ardhura deri ditën që do të përfundonte ndërtimi i tempullit dhe i Jerusalemit. 56Për të gjithë rojet e qytetit shkroi që t'u jepeshin prona dhe rroga. 57Ai dërgoi në Jerusalem edhe të gjitha sendet, që Kiri kishte ndarë mënjanë në Babiloni, dhe urdhëroi të bëhej gjithçka që kishte urdhëruar edhe Kiri të bëhej.
58Kur Zorobabeli doli nga prania e mbretit, ngriti fytyrën drejt qiellit, u kthye drejt Jerusalemit, bekoi mbretin e qiellit e tha: 59«Prej teje vjen fitorja, prej teje vjen urtia dhe ty të përket lavdia. E unë jam shërbëtori yt. 60Bekuar qofsh ti që më dhe urti! Ty të përlëvdoj, o Zot i etërve!». 61Mandej Zorobabeli mori letrat, u largua për në Babiloni, ku njoftoi të gjithë vëllezërit për ç'kishte ndodhur. 62Ata bekuan Perëndinë e etërve të tyre, që u kishte dhënë lirinë dhe lehtësinë 63për të shkuar në Jerusalem, për ta ndërtuar bashkë me tempullin, ku thirrej emri i tij. E për shtatë ditë me radhë ata festuan me vegla muzikore dhe me kupat plot.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Ezra 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr