Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Ezra 2

2
Vendimi i Kirit
1Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të persëve, që të përmbushej fjala e Zotit thënë përmes gojës së profetit Jeremi, Zoti i vuri në shpirt Kirit, mbretit të persëve, të nxirrte një shpallje në mbarë mbretërinë e tij dhe dy letra, ku thuhej: 2«Kështu thotë Kiri, mbreti i persëve: mua më vuri mbret Zoti i Izraelit, Zoti i tejlartë, dhe ai më tha t'i ndërtoja një tempull në Jerusalem të Judesë. 3Nëse ndokush është nga kombi i tij, Zoti i tij qoftë me të. Le të shkojë në Jerusalem të Judesë për të ndërtuar tempullin e Zotit të Izraelit, Zotit që ka ngritur tendën në Jerusalem. 4Të gjithë ata që banojnë me izraelitët nëpër vende të ndryshme, t'i ndihmojnë me ar e me argjend, t'u japin kuaj e bagëti dhe kushtime të tjera për tempullin e Zotit në Jerusalem».
5Krerët e fiseve të Judës dhe të Benjaminit u ngritën bashkë me priftërinjtë e me levitët dhe me të gjithë ata që Zoti u kishte vënë në shpirt të shkonin për të ndërtuar tempullin e Zotit në Jerusalem. 6Fqinjët i ndihmuan për gjithçka me argjend e me ar, me kuaj dhe me bagëti, dhe shumë prej tyre menduan të jepnin kushtime të shumta. 7Mbreti Kir i nxori sendet e shenjta të Zotit, që Nabukodonosori i kishte plaçkitur në Jerusalem dhe i kishte vënë në tempullin e idhullit të vet. 8Pasi i mori, Kiri, mbreti i persëve, ia dorëzoi Mitredatit, thesarmbajtësit të vet dhe ai ia dorëzoi Sanabasarit, qeveritarit të Judesë. 9Numri i tyre ishte një mijë enë ari, një mijë enë argjendi, njëzet e një temjanica argjendi, 10tridhjetë kupa ari, dy mijë e katërqind e dhjetë argjendi dhe një mijë sende të tjera. 11Sendet prej ari e prej argjendi ishin gjithsej pesë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë. Sanabasari i mori nga Babilonia dhe i çoi në Jerusalem në të njëjtën kohë me të robëruarit.
Ndërprerja e punimeve
12Por, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të persëve, Beslemi, Mitredati, Tabeli, Rahumi, Beltemi, Samsai, shkruesi, dhe të gjithë zyrtarët e tjerë, që punonin me ta e që jetonin në Samari dhe në rrethina, i dërguan këtë letër kundër banorëve të Judës: 13«Mbretit Artakserks, zotërisë! Shërbëtorët e tu Rahumi, historishkruesi, Samsai, shkruesi, dhe të tjerët, gjyqtarë të këshillit të tyre në Sirinë e Madhe dhe në Fenikë. 14Le t'i bëhet tani e njohur zotërisë, mbretit, se judenjtë që u dërguan nga ju te ne, këtu në Jerusalem, po ndërtojnë këtë qytet kryengritës dhe të lig, po rindërtojnë sheshet e muret e tij dhe po hedhin themelet e tempullit. 15Po të ndërtohet ky qytet dhe po të përfundojnë muret, nuk do të pranojnë të paguajnë më tagra dhe do t'i kundërvihen edhe mbretit. 16Meqë punimet e tempullit kanë filluar, na u duk e drejtë të mos e lëmë pa e vënë re, por të njoftojmë zotërinë, mbretin, që, me pëlqimin tënd, të kërkojmë nëpër librat e etërve të tu. 17Në shënime do të gjesh çfarë është shkruar për ta dhe do të shohësh se ky qytet ka qenë kryengritës dhe se ka shkaktuar kokëçarje për mbretër e për qytete të tjera, se judenjtë kanë qenë kryeneçë dhe se prej kohësh kanë bërë qëndresë në këtë qytet e për këtë arsye u shkretua. 18Prandaj, po të bëjmë tani me dije, o imzot mbret, se, nëse ky qytet ndërtohet dhe nëse muret e tij ngrihen sërish, nuk do të mund të shkosh në Sirinë e Madhe dhe në Fenikë».
19Mbreti i shkroi këtë përgjigje Rahumit, historishkruesit, Beltemit, Samsait, shkruesit, dhe të tjerëve, që punojnë me ta e që jetojnë në Samari, në Siri dhe në Fenikë: 20«E lexova letrën që më dërguat. 21Dhashë urdhër të bëheshin kërkime dhe zbuluam se ai qytet prej kohësh i kundërvihet mbretërve, se banorët e tij ngrenë krye dhe bëjnë luftra 22dhe se mbretër të fuqishëm e të ashpër kanë sunduar në Jerusalem dhe i kanë dhënë tagër Sirisë së Madhe dhe Fenikës. 23Tani kam urdhëruar t'u ndalohet atyre njerëzve të ndërtojnë qytetin 24dhe të kujdesen që të mos bëhet asgjë më shumë se kaq, që të mos shtohet ligësia e të mos kërcënohet mbarëvajtja e mbretërisë».
25Kur lexuan letrën e mbretit Artakserks, Rahumi, Samsai, shkruesi, dhe ata që punonin me ta, e ngritën fushimin me nxitim, shkuan në Jerusalem me kuaj e me ushtarë të armatosur dhe filluan të ndalonin punimet. 26Ndërtimi i tempullit në Jerusalem u ndërpre deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të persëve.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Ezra 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr