Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Ezra 1

1
Josia kremton Pashkën
1Josia kremtoi në Jerusalem Pashkën për Zotin e tij. E kushtoi Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. 2Caktoi priftërinjtë për shërbesat e përditshme në shenjtëroren e Zotit dhe i veshi me stoli priftërore. 3U kërkoi edhe levitëve, që i shërbenin tempullit të Izraelit, të shenjtëroheshin për Zotin dhe të vendosnin arkën e shenjtë të Zotit në tempullin që kishte ndërtuar mbreti Solomon, biri i Davidit, e u tha: «Nuk do t'ju duhet më ta ngrini mbi supe. 4E tani adhuroni Zotin, Perëndinë tuaj, dhe shërbejini kombit të tij, Izraelit. Përgatituni sipas familjeve dhe fiseve, sipas asaj që ka shkruar Davidi, mbreti i Izraelit, dhe siç i takon madhështisë së Solomonit, birit të tij. 5Qëndroni në tempull sipas rangjeve të familjeve të etërve tuaj, levitëve, dhe shërbejuni vëllezërve tuaj, izraelitëve. 6Kushtoni Pashkën, përgatisni flitë e vëllezërve tuaj dhe kremtoni Pashkën sipas urdhrit që Zoti i dha Moisiut».
7Josia i dhuroi popullit, që ndodhej atje, tridhjetë mijë qengja e keca dhe tre mijë viça. Këto u dhanë prej thesarit mbretëror, sipas premtimit që i ishte bërë popullit, priftërinjve dhe levitëve. 8Hilkiahu, Zakaria dhe Hesieli, mbikëqyrësit e tempullit, u dhuruan priftërinjve për Pashkë dy mijë e gjashtëqind dele dhe treqind viça. 9Kryemijësit Jehonia, Shemajahu, vëllai i tij Natanaeli, Hasabia, Ohieli e Jorami u dhanë levitëve për Pashkë pesë mijë dele dhe shtatëqind viça.
10Ja si u bë kremtimi: priftërinjtë dhe levitët qëndronin siç u kishte hije, 11me bukët e ndorme në dorë, sipas fiseve 12dhe sipas ndarjes së familjeve, para popullit, që t'ia kushtonin bukët Zotit, siç ishte shkruar në librin e Moisiut. Ashtu bënë edhe të nesërmen në mëngjes. 13E poqën qengjin e pashkës në zjarr, sipas rregullave, ndërsa flitë e tjera i zienë në kazanë bakri dhe në tenxhere, që t'u vinte erë e mirë, dhe ia shpërndanë mbarë popullit. 14Mandej përgatitën ushqim për vete dhe për priftërinjtë, vëllezërit e tyre, bijtë e Aronit, sepse priftërinjtë kushtonin dhjamin deri vonë në darkë dhe prandaj levitët përgatitën ushqim për vete dhe për priftërinjtë, vëllezërit e tyre, bijtë e Aronit.
15Këngëtarët, bijtë e Asafit, ishin në vendet e tyre, sipas urdhrit të Davidit, bashkë me Asafin, Zakarinë dhe Edinusin, shoqëruesit e mbretit, dhe portarët, që qëndronin në secilën hyrje. Asnjërit prej tyre nuk i lejohej të linte shërbesën, sepse u kishin bërë gati ushqim levitët, vëllezërit e tyre. 16Atë ditë u krye gjithçka që kishte lidhje me flinë për Zotin. Pashka u kremtua dhe flitë u kushtuan mbi altarin e Zotit sipas urdhrit të mbretit Josi. 17Izraelitët, që ndodheshin atje në ato çaste, kremtuan Pashkën dhe të kremten e të ndormëve për shtatë ditë. 18Një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar në Izrael që nga koha e profetit Samuel. 19Asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk kishte ndërmarrë kremtimin e një Pashke të tillë si Josia, priftërinjtë, levitët, judenjtë dhe të gjithë izraelitët që ndodheshin në banesat e tyre në Jerusalem. 20Ajo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josisë. 21Veprat e Josisë u pranuan si të drejta nga Zoti, sepse zemra e tij ishte e mbushur me shpresëtari. 22Gjërat që ndodhën në kohën e tij janë shkruar edhe në të shkuarën. Bëhet fjalë për ata që mëkatuan e bënë paudhësi kundër Zotit më shumë se çdo komb dhe mbretëri, për hidhërimin që i sollën dhe për fjalët e Zotit kundër Izraelit.
Vdekja e Josisë
23Pasi Josia përfundoi të gjitha këto, faraoni, mbreti i Egjiptit, mësyu në Karkemish, pranë Eufratit, dhe Josia i doli përpara. 24Mbreti i Egjiptit i dërgoi fjalë e i tha: «Ç'punë ke me mua, o mbreti i Judesë? 25Zoti Perëndi nuk më ka dërguar kundër teje, por jam hedhur në sulm kundër Eufratit. Tani Zoti është me mua dhe Zoti, që është me mua, e ka me ngut. Largohu dhe mos iu kundërvër Zotit». 26Por Josia nuk e ktheu ushtrinë dhe donte të hidhej në sulm, pa ua vënë veshin fjalëve që profeti Jeremi kishte dëgjuar prej gojës së Zotit. 27Kështu, i mësyu në luginën e Megidosë dhe krerët e ushtrisë së faraonit u vërsulën kundër mbretit Josi. 28Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: «Më largoni nga beteja, se jam plagosur rëndë». Shërbëtorët e larguan menjëherë nga radhët e ushtrisë 29dhe e hipën në karrocën e tij të dytë. Kur e çuan në Jerusalem, ai ndërroi jetë dhe e varrosën në varrin e etërve të tij.
30Në mbarë Judenë mbajtën zi për Josinë. Edhe profeti Jeremi vajtoi për të. Krerët dhe gratë e vajtojnë edhe sot e kësaj dite. U vendos që kjo të bëhej përherë në mbarë breznitë e Izraelit. 31Këto janë shkruar në librin e Mbretërve të Judës. Bëmat e Josisë, lavdia e tij, njohuritë e tij për ligjin e Zotit, veprat e mëparshme dhe të tanishme, janë të shënuara në librin e Mbretërve të Izraelit e të Judës.
Pasardhësit e Josisë
32Kombi mori Jehoninë, birin e Josisë, dhe e bëri mbret në vend të të atit, kur ishte njëzet vjeç. 33Ai mbretëroi tre muaj në Jude dhe në Jerusalem, derisa mbreti i Egjiptit ia hoqi mbretërimin në Jerusalem 34dhe i vuri kombit një tagër tre mijë kilogramë argjend dhe tridhjetë kilogramë ar. 35Mbreti i Egjiptit vuri mbret Joakimin, të vëllanë e Jehonisë, të mbretëronte mbi Jude e Jerusalem. 36Joakimi burgosi të mëdhenjtë e mbretërisë, por vëllanë e vet, Zariun, e kapi dhe e solli me vete nga Egjipti.
37Joakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur mbretëroi në Jude e në Jerusalem. Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit. 38Kundër tij doli mbreti Nabukodonosor i Babilonisë. Ai e lidhi me vargonj bakri dhe e çoi në Babiloni. 39Nabukodonosori mori me vete një pjesë të sendeve të shenjta të Zotit dhe i vendosi në tempullin e tij në Babiloni. 40Bëmat e Joakimit, fëlligështia dhe paudhësia e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve.
41Në vend të tij mbretëroi Joakimi, i biri, që ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur u caktua. 42Ai mbretëroi për tre muaj e dhjetë ditë në Jerusalem dhe bëri çka është keq para Zotit. 43Pas një viti Nabukodonosori urdhëroi ta sillnin në Babiloni bashkë me sendet e shenjta të Zotit.
44Ai vuri Sedekinë mbret të Judesë e të Jerusalemit. Sedekia ishte njëzet e një vjeç dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet. 45Ai bëri çka është keq para Zotit dhe nuk pati turp prej fjalëve që profeti Jeremi kishte dëgjuar nga goja e Zotit. 46Ndonëse iu betua mbretit Nabukodonosor në emër të Zotit, e theu betimin dhe ngriti krye. U tregua kokëfortë e zemërgur dhe shkeli ligjet e Zotit, Perëndisë së Izraelit. 47Edhe krerët e popullit bashkë me priftërinjtë bënë shumë paudhësi dhe shkelje, që ua kalonin fëlligështive të mbarë kombeve, dhe e ndotën tempullin e shenjtë të Zotit në Jerusalem.
48Perëndia i etërve të tyre u dërgoi fjalë përmes lajmëtarit të tij që të ktheheshin, sepse i dhimbseshin ata dhe tenda e tij. 49Por ata i përbuzën lajmëtarët e tij dhe ditën që Zoti u foli, u tallën me profetët e tij, derisa Zoti u zemërua me kombin e vet për shkak të paudhësive të tyre dhe urdhëroi mbretërit e kaldenjve të ngriheshin kundër tyre. 50Ata i vranë djelmoshat e tyre me shpatë përreth tempullit të tyre të shenjtë dhe nuk lanë gjallë asnjë djalosh, vashëz, plak apo të ri. Zoti i la të gjithë në dorën e tyre. 51Ata morën të gjitha sendet e shenjta të Zotit, të vogla e të mëdha, gjërat e arkës së Zotit dhe thesaret e mbretit e i çuan në Babiloni. 52Tempullit të Zotit i vunë flakën, muret e Jerusalemit i shkatërruan dhe kullave të tij u vunë zjarrin. 53Shkatërruan çdo vepër madhështore të qytetit dhe tepricën e mbetur të popullit e çuan në Babiloni me shpatë. 54Ata u bënë robër të babilonasve dhe të bijve të tyre derisa filloi sundimi i mbretërve persë, sipas fjalës së Zotit thënë përmes gojës së Jeremisë: 55«Toka do të mbetet e shkretë derisa të shijojë të shtunat e saj dhe do të mbajë të shtunën derisa të mbushen shtatëdhjetë vjet».

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Ezra 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr