Gjoni 1

1
1Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
4Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
6Qe një njeri i dërguar nga Perëndia; emri i tij ishte Gjon.
7Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
9Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
10Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
11Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
12por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
14Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
15Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ''Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"''.
16Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai e bëri të njohur.
19Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ''Kush je ti?''.
20Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ''Unë nuk jam Krishti''.
21Atëherë ata e pyetën: ''Kush je, pra? A je Elia?''. Ai tha: ''Nuk jam!''. ''Je ti profeti?''. Dhe ai përgjigjej: ''Jo!''.
22Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç'thua për veten tënde?''.
23Ai u përgjigj: ''Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia''.
24Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;
25ata e pyetën dhe i thanë: ''Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?''.
26Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.
27Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''.
28Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.
29Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!
30Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".
31Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''.
32Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.
33Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".
34Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''.
35Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.
36Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''.
37Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.
38Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ''Ç'kërkoni?''. Ata i thanë: ''Rabi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?''.
39Ai iu përgjigj atyre: ''Ejani e shikoni''. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.
40Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.
41Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ''E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"'';
42dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ''Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"''.
43Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: ''Ndiqmë!''.
44Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
45Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: ''E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!''.
46Dhe Natanaeli i tha: ''A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?''. Filipi i tha: ''Eja e shih!''.
47Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: ''Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s'ka mashtrim''.
48Natanaeli i tha: ''Nga më njeh?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi''.
49Natanaeli duke iu përgjigjur tha: ''Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!''.
50Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!''.
51Pastaj i tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut''.

Obecnie wybrane:

Gjoni 1: ALBB

Podkreślenie

Udostępnij

Kopiuj

None

Chcesz, aby twoje zakreślenia były zapisywane na wszystkich twoich urządzeniach? Zarejestruj się lub zaloguj