Zanafilla 1
1
1Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
2Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.
3Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë.
4Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.
5Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.
6Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t'i ndajë ujërat nga ujërat".
7Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë.
8Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë.
9Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.
10Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "dete". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.
11Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutorë të japin në tokë një frutë që të përmbajë farën e tij, secili sipas llojit të tij". Dhe kështu u bë.
12Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën sipas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
13Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.
14Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;
15dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë.
16Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madh për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.
17Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën,
18për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
19Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.
20Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".
21Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili sipas llojit të vet, e çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
22Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".
23Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.
24Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.
25Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët sipas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës sipas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
26Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".
27Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.
28Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".
29Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë që ka fruta që përmbajnë farë; kjo do t'ju shërbejë si ushqim.
30Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.
31Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.
Obecnie wybrane:
Zanafilla 1: ALBB
Podkreślenie
Udostępnij
Kopiuj
Chcesz, aby twoje zakreślenia były zapisywane na wszystkich twoich urządzeniach? Zarejestruj się lub zaloguj